Bad News Eagles, ekipi kosovar që bëri histori në skenën ndërkombëtare të Counter-Strike, ka paralajmëruar rikthimin në garat profesionale.
Përmes një postimi në “X”, BNE-ja ka paralajmëruar për një “epokë të re, BNE të re... së shpejti”. Postimi është shoqëruar me një video të shkurtër.
VIDEO:
A new era. A new BNE. Coming soon.
https://t.co/nkQmnGveSs https://t.co/e5NoEpt5XO
“Shqiponjat” nga Kosova u shndërruan në një prej tregimeve më të veçanta të Counter-Strike, pasi nga një ekip pa organizatë arritën të depërtojnë në nivelet më të larta të këtij sporti elektronik dhe të përfaqësojnë Kosovën në turnetë më të mëdhenj botërorë.
Bad News Eagles u formua në vitin 2022 dhe në të njëjtin vit shkroi historinë e Counter-Strikeut kosovar duke u bërë ekipi i parë nga Kosova që u kualifikua në një Major, turneu më i rëndësishëm në CS. BNE-ja siguroi pjesëmarrjen në PGL Major Antwerp, ndërsa më pas kaloi edhe në fazën “Legends”, duke mposhtur kundërshtarë të njohur gjatë rrugëtimit.
Suksesi i ekipit nuk ishte i rastësishëm. Bad News Eagles arriti të kualifikohej në tri Majorë radhazi – Antwerp, Rio dhe Paris – një ecuri që e shndërroi ekipin kosovar në një prej emrave më të njohur të skenës së Counter-Strike.
Formacioni i njohur me lojtarët si Dionis “sinnopsyy” Budeci, Flatron “juanflatroo” Halimi, Genc “gxx-” Kolgeci, Rigon “rigoN” Gashi dhe Sener “SENER1” Mahuti është prej simboleve të esports në Kosovë.
Pas një periudhe me organizatën Guild Esports, ekipi u rikthye si Bad News Eagles në shkurt të vitit 2025, por disa muaj më vonë u shpërbë përsëri.
Tash, me paralajmërimin e rikthimit, mbetet të shihet se cili do të jetë formacioni dhe projekti i ri i tyre.