Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Feronikeli 74 me fitore të madhe ndaj Ballkanit

Feronikeli 74

Ibrahim Cërvadiku ka qenë hero i Feronikelit 74 të shtunën në xhiron e 13-të të Superligës së Kosovës në futboll, me golin që ia siguroi skuadrës nga Drenasi fitoren e madhe ndaj Ballkanit. 

Mesfushori me tipare sulmuese mori një top në zonë në minutën e parë të kohës shtesë, avancoi para dhe në fund e mposhti portierin Gentian Selmani. 

Me golin e Cërvadikut në minutën e 91-të, Feronikeli 74 fitoi 1:0 ndaj Ballkanit. Ndeshja u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi”. 

Me trepikëshin e arritur, skuadra që udhëhiqet nga trajneri Elon Berisha i largohet zonës së rrezikshme. I ka 15 pikë dhe zë vendin e shtatë. Në tri ndeshjet e fundit, Feronikeli 74 ka dy fitore e një barazim. 

Ballkani i trajnerit Sami Sermaxhaj pësoi humbje pas dy fitoreve të njëpasnjëshme. Njërën prej fitoreve e arriti me rezultat zyrtar, atë ndaj Vushtrrisë. Ballkani aktualisht i ka 19 pikë.