Është ora 5:40. Dielli nuk ka lindur ende. Tre të rinj, që duken plot energji ndonëse ende nuk është mëngjesi, arrijnë së bashku në oborrin e sallës së klubit të xhudos Ippon. Duke biseduar, me zë të lartë madje, futen në objektin që pos sallës kryesore ka edhe disa hapësira përcjellëse. Nuk janë të veshur me uniformë të xhudos. Janë në uniformë të zakonshme të sportistëve, me tuta.
Nuk vonon shumë dhe tre të rinjtë energjikë fillojnë me rregullimin e dyshekëve. I heqin nga pjesa anësore e sallës dhe i vendosin njërin mbi tjetrin, në dy vende të ndryshme. Po e bëjnë gati sallën për stërvitjen që i pret.
Të tjerë xhudistë shfaqen në oborrin e sallës. Disa i sjellin prindërit me vetura, që njëjtë si xhudistët në sallë gjatë stërvitjes, lëvizin me shpejtësi të madhe. Të tjerë, që i kanë shtëpitë më afër, vijnë në këmbë. Dikush i vetëm e dikush i shoqëruar. Dikush në disponim e ndonjë që ka fjetur më pak, i përgjumur.
Disa, që e kanë ndjenjën se mund të vonohen, vijnë me nxitim. Ende pa u bërë ora 6:00, grupi është i kompletuar.
Janë 16 gjithsej. Të gjithë në sallë, të gatshëm për aksion. Për stërvitje të vërtetë. Stërvitje prej kampionësh.
Djemtë, që janë prej moshës 14 deri në 18-vjeçare, rrinë në njërin kënd. Bisedojnë pa ndalur. Në anën tjetër, janë vajzat, që po ashtu nuk ndalin llafin. E fundit në sallën që e ka shtëpi të dytë, apo edhe të parën, vjen trajnerja. Nuk është çfarëdo trajnere. Është vetë Majlinda Kelmendi, sportistja më e mirë që kanë pasur shqiptarët deri më tani. Kampionia olimpike, kampionia e dyfishtë botërore, e shumëfishtë evropiane.
Të rinjtë, që të gjithë janë nga Peja, janë me shumë fat. Sportin e xhudos po e mësojnë nga një prej më të mirave në histori. Nga një legjendë e sportit që origjinën e ka në Japoni, e në të cilin Kosova është shumë e suksesshme.
Duke ecur më ngadalë, Majlinda përshëndet ekipin e KOHËS dhe futet në sallë. Si me automatizëm, xhudistët e rinj rreshtohen dhe bëhen gati për të nisur stërvitjen. Këmbëzbathur, bëjnë përshëndetjen e zakonshme për të respektuar trajneren, që është prej vlerave të xhudos, dhe nisin vrapin.
Ka pak xhudo në stërvitjen e orës 6:00.
Stërvitja është e orientuar për të përmirësuar anën fizike të të rinjve. Thuajse të gjithë tashmë kanë trup sportisti, trup të ndërtuar. Kjo vërehet qartë.
Pas nxemjes së zakonshme djemtë dhe vajzat ndahen. Pasi numri i vajzave është më i madh, njëra prej tyre, prej më të mirave me gjasë, bashkohet në grupin e djemve. Kështu dy grupet i kanë nga tetë veta.
Nis seria e parë prej dhjetë minutash vrapim dhe kërcime mbi dyshekë, pa ndalë. Pas një pushimi të shkurtër, nis seria e dytë. Sërish dhjetë minuta vrapim e kërcim mbi dyshekë, njëri pas tjetrit. Stërvitja ka qëllim të caktuar, rritjen e forcës në pjesën e poshtme të trupit të xhudistëve të së ardhmes.
Ngarkesa është e madhe dhe minutat e fundit mezi përballohen. Por asnjëri nuk ndalet. Asnjëri nuk dorëzohet. Për të arritur nivelin e Majlindës, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit, Akil Gjakovës, Laura Fazliut, Loriana Kukës, apo për t’iu afruar atij, xhudistët duhet t’i përballojnë këto stërvitje. Ata janë të vetëdijshëm për këtë.
Majlinda nuk dëgjohet shumë në pjesën e parë të stërvitjes. I këshillon të rinjtë herë pas here. Me kalimin e minutave, forma e renditjes së dyshekëve ndryshon e kështu edhe mënyra e kërcimit mbi ta. Pasi përfundon pjesa e punës me kërcime, të gjithë xhudistët marrin pjesë në rregullimin e tyre dhe kthimin në vend. Kontributi është i përbashkët, tjetër vlerë e xhudos kjo.
Stërvitje ka ende. Ngarkesë po ashtu. Fillon pjesa e ngjitjes në litar, përkatësisht në brezin që i ngjason uniformës së xhudistëve. Djemtë ngjiten në litar, vajzat në brezin, që duket se është më pak sfidues. Të gjithë ngjiten shumë herë. Kjo pjesë e stërvitjes ka të bëjë me forcimin e pjesës së epërme të trupit të xhudistëve. Stërvitja vazhdon me ushtrime ulur në dysheme, që po ashtu synim kanë rritjen e forcës. Në fund ka zgjatje të muskujve dhe largim nga palestra. Disa që fillojnë mësimin në ora 7:30 nxitojnë për në shtëpi. Të tjerë që fillojnë më vonë mësimin në shkollë, largohen më ngadalë. Të gjithë e përfundojnë stërvitjen shumë të djersitur. Kjo dëshmon që efekti i synuar është arritur.
Pse në 6:00 të mëngjesit?
Jo shumë kush ushtron në mëngjesin e hershëm në orën gjashtë. Kryetrajneri i Kosovës në xhudo, kryemjeshtri Driton Kuka, në koordinim me Majlindën dhe trajnerët e tjerë, ka vendosur që ky grup i kadetëve dhe parakadetëve të ketë stërvitje herët në mëngjes. Këta të rinj kanë tjetër stërvitje në mbrëmje, çdo ditë.
“Këta janë një grup i kadetëve dhe parakadetëve. E fillojnë shkollën në ora 8:00 dhe kanë moshën kur duhet të fillohet të ushtrohet dy herë në ditë. Një kohë kemi ushtruar në ora 13:30, mirëpo bashkë jemi dakorduar që është më mirë në orën 6:00. Janë dikur 20-25 vetë. Pra ka edhe më shumë se që ishin këtu. Edhe për shkak të agjërimit disa nuk po vijnë. Ka këtu edhe djem edhe vajza që janë agjërueshëm, por prapë nuk mungojnë më stërvitje, kështu që, kemi talente mjaftë, po punojmë shumë”, thotë Majlinda pas stërvitjes.
Ka arsye tjera që stërvitja është vendosur për 6:00 të mëngjesit. Krijimi i shprehisë së punës dhe regjimit që kërkohet për sukses në nivelin më të lartë të sportit në botë. Që xhudistët mos të rrinë zgjuar shumë vonë natën e rrjedhimisht me telefon në dorë. Gjumi i pamjaftueshëm ka ndikim shumë negativ në performancën e sportistëve. Ata që zgjohen para orës gjashtë, e që kanë qëllime të qarta për sport, rrjedhimisht bien në gjumë me kohë dhe nuk e kanë problem të respektojnë orarin. Edhe mbi këtë parim është vendosur për stërvitje të orës 6:00.
Se përkushtimi nuk mungon e thotë edhe Majlinda.
“Jam shumë e kënaqur. Realisht janë shumë të përkushtuar. Edhe kur unë jam jashtë vendit, kur unë udhëtoj, 95 për qind prej tyre nuk mungojnë asnjëherë, çka tregon se janë shumë të përkushtuar për rezultat dhe ia vlen të merresh me ta”, thotë ikona e xhudos.
Ajo e di më së miri se për sukses kulmor, kalimi i barrierave është parakusht. Ato nuk mungojnë asnjëherë në rrugën drejt majës.
“Po nëse vazhdohet të punohet sigurisht se do të ketë rezultat. Thjeshtë duhet të mos ndalesh, të vazhdosh të punosh, të kesh synim, të kesh cak. Te këta po shihet se e kanë pothuajse të gjithë. Këtu sigurisht që koka e punës është Toni, ne thjesht i përcjellim urdhrat e Tonit dhe po besoj që të punosh me sistem të Tonit, sigurisht që një ditë do të ketë sukses, cilido”, thotë Majlinda.
Si çdo herë, e përmend trajnerin, kryemjeshtrin Kuka.
Bashkë me xhudistët e rinj po rritet edhe Majlinda. Por si trajnere. Ajo ka përfunduar karrierën e mahnitshme si xhudiste në verën e vitit 2021. Menjëherë iu bashkua Driton Kukës në shtabin teknik.
“Tash vitin e fundit jam përshtatur goxha. Nuk ka qenë e lehtë aspak. Realisht, punë goxha e vështirë. Kam menduar se është e lehtë, por më ka dalë krejt ndryshe. Por, këtë vitin e fundit jam adaptuar goxha mirë, sidomos me këtë grupin e juniorëve dhe të kadetëve, shumë, shumë mirë”, thotë Majlinda.
Ëndrrat e xhudistëve
Nëse i përmbahen sistemit të punës dhe u rezistojnë ngarkesave e ndikimeve të jashtme, prej këtij grupi xhudistësh do të dalin kampion të mëdhenj. Për këtë është e bindur Majlinda.
Të rinjtë kanë ëndrra e synime të mëdha që lidhen me xhudon
“Unë jam Jon Kuka, ushtroj xhudo qe 8 vjet. Tash e një vit po ushtroj nga dy herë në ditë. Ushtrojmë nga ora 6 të mëngjesit, sepse fillojmë shkollën në orën 8 në mëngjes. Ndonjëherë po përtojmë, por kemi shumë disiplinë dhe çdo ditë ushtrojmë në 6 në mëngjes”.
Joni është djali i kryemjeshtrit. Ka ëndrra edhe për futbollin, ku po ashtu vlerësohet talent i madh, por gradualisht po orientohet në xhudo, sportin e familjes.
“Stërvitjet po shkojnë shumë mirë. Ushtrojmë dy herë në ditë. Në gjashtë të mëngjesit për shkak të shkollës dhe në 18:30, në mbrëmje. Përtojmë të ngrihemi herët në mëngjes, por kemi shumë disiplinë dhe duhet të vazhdojmë me stërvitje”, thotë Yll Maliqi, që vlerësohet me potencial.
Roni Reshitaj është një tjetër xhudist premtues.
“Jam Roni Reshitaj, ushtroj xhudo. Normal, ushtrojmë dy herë në ditë. Bëjmë stërvitje në 06:00 dhe në 18:30. Stërvitjen në mëngjes e bëjmë për arsye të shkollës të cilën e nisim në orën 08:00. Stërvitjet shkojnë shumë mirë. Jemi të kënaqur. Stërvitjet janë pak të mundimshme por jemi të kënaqur që ushtrojmë me një trajner shumë të mirë”.
Fiona është vajza e kryemjeshtrit Toni Kuka. Ajo tashmë ka nisur me suksese në gara ndërkombëtare, njëjtë si disa të tjerë nga ky grup i 6:00 të mëngjesit. Edhe Fiona ushtron për kohë të gjatë, por tash vonë ka nisur të futet në “ujëra serioze”. Fiona e pranon që është privilegj të ushtrohet me Majlindën dhe me sistemin e babait të sja.
“Unë jam Fiona Kuka, ushtroj xhudo prej moshës 5-vjeçare, qe gati 11 vjet. Jemi shumë të privilegjuar që ushtrojmë me një trajnere si Majlinda Kelmendi dhe Driton Kuka, të cilët kanë arritur rezultate kulminante në sportin e xhudos. Ne si kadetë dhe si xhudistë të moshave të reja e kemi shumë privilegj që ushtrojmë me ta. Ne ushtrojmë në mëngjes prej orës 06:00. Edhe pse është pak e mundimshme dhe pak si problem ndonjëherë të zgjohemi në orën 05:30 dhe të vijmë në stërvitje, por e bëjmë me gjithë qejf. Xhudon të gjithë e duam dhe duam të arrijmë rezultate të mëdha. E kemi edhe stërvitjen e pasdites në orën 18:30 dhe kaq. E kemi xhudon sport me shumë qejf dhe e bëjmë me qejf”.
Kur pyetet për synimet, Fiona përmend Majlidën, Distrinë, Norën. E cili sportist nuk i dëshiron sukseset e tyre, medaljen e artë olimpike?
“Synimet e mia, normal mendoj se edhe të gjithëve është që të bëjmë rezultate të mëdha në xhudo, si Majlinda, Distria, Nora. Të gjithë kemi qejf t'i kemi rezultatet e tyre”, thotë ajo.
Erlule Musaj po ashtu ka nisur me paraqitje në gara të nivelit më serioz.
“Unë jam Erlule Musaj. Ushtroj xhudo qe gati 6 vjet. Synimi im është që të arrijë sukseset e trajneres tonë, Majlinda Kelmendit, si dhe Disit e Norës”.
Synime të mëdha, për të cilat e di që duhet të punojë shumë, ka edhe Estea Arifaj.
“Quhem Estea Arifaj. Ushtroj xhudo qe gati 6 vjet. Po ashtu, synimi im kryesor është që të arrij rezultate kulminante si Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe Distria Krasniqi”, thotë Estea.
Joni, Ylli, Roni, Fiona Erlulja, Estea e të tjerat modelin e kanë. E shohin çdo ditë, mësojnë prej saj çdo ditë. U mbetet të vazhdojnë me punë të madhe dhe të përballojnë stërvitjet e forta. Ato të orës 6:00 po ashtu. Dhe një ditë familjet, por edhe e gjithë Kosova, do të jenë krenarë me të arriturat e tyre.