Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Kardiologët këshillojnë njerëzit të gatuajnë më shpesh ushqim në shtëpi

Përgatitje e ushqimit

Kardiologët po u bëjnë thirrje njerëzve të gatuajnë më shpesh në shtëpi për të ulur konsumimin e ushqimeve të shumëpërpunuara, të njohura si UPF, të cilat lidhen me rreziqe serioze për shëndetin.

Sipas një deklarate të re klinike të publikuar nga European Society of Cardiology dhe European Association of Preventive Cardiology, mjekët duhet t’i këshillojnë pacientët të shmangin ushqimin vonë gjatë natës, të përtypin ushqimin më ngadalë dhe të konsumojnë më shumë ushqime të freskëta dhe sa më pak të përpunuara, ka shkruar The Guardian.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu konsumimin e jogurtit natyral në vend të atij me shije frutash apo me sheqer, zëvendësimin e pijeve me sheqer me ujë, si dhe leximin e etiketave ushqyese dhe listës së përbërësve para blerjes së produkteve ushqimore.

Këto këshilla synojnë veçanërisht personat që kanë sëmundje të zemrës ose janë të rrezikuar t’i zhvillojnë ato.

Sipas të dhënave, rreth 8 milionë persona në Britani jetojnë me sëmundje kardiovaskulare, të cilat shkaktojnë afërsisht 170 mijë vdekje çdo vit.

Deklarata u bën thirrje kardiologëve që të flasin më shpesh me pacientët për ushqimet e shumëpërpunuara dhe t’i pyesin rregullisht se sa shpesh i konsumojnë ato.

Ekspertët thonë se mjekët duhet t’i inkurajojnë pacientët të gatuajnë më shpesh në shtëpi, të shmangin konsumimin e ushqimit vonë në mbrëmje, të hanë më ngadalë dhe me kujdes dhe të zgjedhin ushqime me shumë fibra dhe pak të përpunuara.

Sipas dokumentit, përdorimi i fotografive të ushqimeve të shumëpërpunuara gjatë konsultave mund t’i ndihmojë pacientët t’i identifikojnë më mirë ato, pasi vetëm shpjegimet verbale shpesh nuk mjaftojnë.

“Mjekët duhet të bëjnë biseda shumë më praktike me pacientët që kanë probleme me zemrën për ushqimin që konsumojnë çdo ditë”, ka thënë Kawther Hashem nga Queen Mary University of London.

Ajo ka shtuar se njerëzit duhet të reduktojnë ushqime si pijet me sheqer, biskotat, patatinat e shkopinjtë e paketuar, mishrat e përpunuar, ushqimet e gatshme dhe ushqimin e shpejtë, sepse ato përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe yndyrash të pashëndetshme.

Sipas saj, ulja e konsumit të kripës është e rëndësishme sidomos për personat me probleme të zemrës, pasi kripa rrit tensionin e gjakut, një nga faktorët kryesorë të sëmundjeve të zemrës, sulmit në tru dhe sëmundjeve të veshkave.

“Reduktimi i ushqimeve dhe pijeve me sheqer ndihmon gjithashtu në uljen e kalorive të tepërta, shtimit në peshë dhe rrezikut për diabet të tipit 2”, ka thënë ajo.

Një nga autoret e studimit, Luigina Guasti, ka thënë se njerëzit që gatuajnë më shpesh në shtëpi zakonisht kanë dietë më të shëndetshme dhe konsumojnë më pak ushqime të shumëpërpunuara.

“Edhe ndryshimet e vogla dhe graduale në gatimin në shtëpi mund të përmirësojnë shëndetin me kalimin e kohës”, ka thënë ajo.

Studimi konfirmon se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shumëpërpunuara rrit rrezikun për obezitet, diabet, tension të lartë të gjakut, sëmundje kronike të veshkave dhe vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare.

Ndërkohë, Tracy Parker nga British Heart Foundation ka thënë se individët nuk mund ta zgjidhin të vetëm këtë problem dhe se qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të krijuar një ambient ushqimor më të shëndetshëm për qytetarët.