Lifestyle

Ushqimet e shumëpërpunuara të mira dhe të këqija, sipas Shoqatës Amerikane të Zemrës

Ushqimet e shumëpërpunuara

Ushqimet e shumëpërpunuara

Shoqata Amerikane e Zemrës (American Heart Association, AHA) ka publikuar udhëzimet e reja për konsumin e ushqimeve të shumëpërpunuara (UPFs), duke paralajmëruar se shumica prej tyre janë shumë të dëmshme për shëndetin, përfshirë zemrën, dhe se është koha që industria ushqimore t’i ndalojë ato, ndërsa rregullatorët të mos i lejojnë më, ka raportuar CNN.

Megjithatë, në raportin e publikuar të premten në revistën “Circulation”, AHA ngre pyetjen e debatueshme: a janë të gjitha ushqimet e shumëpërpunuara të pashëndetshme?

Përgjigjja: ndoshta jo.

Sipas tyre, disa kategori si “disa bukë me drithëra të plota, kos me pak sheqer, salca domatesh dhe kremrat e arroreve ose bishtajoret” mund të jenë më të shëndetshme, por edhe këto duhet monitoruar.

“Le të mos e ‘falim’ industrinë vetëm se ka disa gjëra pak më të shëndetshme sesa pjesa dërrmuese e ushqimeve të shumëpërpunuara plot sheqer, kripë dhe yndyrë”, ka thënë Christopher Gardner, nënkryetar i grupit që hartoi raportin.

Sipas tij, ka prova të mjaftueshme se shumë kripë, sheqer dhe yndyrë janë të dëmshme.

“E dimë që nga koha e ‘junk food’. Por, sot ushqimet e këqija janë ultra të përpunuara me aditivë që të nxisin të hash më shumë dhe që sjellin plot probleme shëndetësore. Kjo është çështja. A mund të përqendrohemi te këto? - ka thënë ai.

Problem në rritje


Sipas të dhënave të reja nga Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), amerikanët mbi 1 vjeç marrin mesatarisht 55 për qind të kalorive ditore nga ushqimet ultra të përpunuara, ndërsa për fëmijët nga 1 deri në 18 vjeç kjo shifër rritet në 62 për qind.

Kjo është shqetësuese, sepse studimet kanë treguar lidhje të fortë mes konsumit të këtyre ushqimeve dhe rrezikut për sulm në zemër, sulm në tru, diabet të tip 2, obezitet dhe rritje të vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet.

Një studim i muajit shkurt të vitit 2024, te mbi gati 10 milionë persona, gjeti se vetëm një racion shtesë në ditë rriti me 50 për qind rrezikun e vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare. Rreziku për obezitet rritej me 55 për qind, për çrregullime gjumi me 41 për qind, për diabet të tipit 2 me 40 për qind dhe për depresion me 20 për qind.

Për këtë arsye AHA këshillon që amerikanët t’i shmangin sa më shumë ushqimet më të dëmshme, ato me shumë yndyrë të pashëndetshme, sheqer të shtuar dhe kripë, duke lejuar vetëm “një numër të vogël ushqimesh të zgjedhura, të përballueshme dhe me cilësi më të mirë” si pjesë e një diete të shëndetshme.

Megjithatë, jo të gjithë ekspertët janë dakord.

“Theksi te ‘ushqimet e shëndetshme’ të shumëpërpunuara nuk është i dobishëm për dy arsye: numri i tyre është shumë i vogël dhe studimet e fundit tregojnë se edhe këto të nxisin të hash më shumë sesa ushqimet e përgatitura në shtëpi”, ka thënë Marion Nestle, profesoreshë në Universitetin e New Yorkut.

Ajo iu referua një studimi të 4 gushtit, ku njerëzit humbën dyfish më shumë peshë duke ngrënë ushqime të gatuara në shtëpi krahasuar me ushqimet ultra të përpunuara “të shëndetshme” të blera në dyqan.

Kategoritë e ushqimeve sipas AHA-s

Më të shëndetshme: fruta dhe perime të freskëta ose të ngrira pa sheqer/kripë të shtuar, drithëra të plota si tërshëra dhe orizi i kafenjtë, fara dhe arra pa kripë, bishtajore të thata, vajra bimore, qumësht ose kos me pak yndyrë e pa sheqer, disa lloje të mishit të papërpunuar, uji i blerë në shishe dhe pijet pa sheqer. Gjithashtu, alternativa të qofteve me bazë bimore dhe bulmeti me pak sheqer, kripë e yndyrë.

Mesatarisht të shëndetshme: orizi dhe makaronat e bardha, bulmet me yndyrë të plotë, bukë të rafinuara të freskëta, arrore me kripë, fruta të konservuara me pak shurup, bishtajore të konservuara me kripë, djathëra të fortë, zëvendësues vezësh, supa me pak kripë e yndyrë, ushqime të gatshme të përbëra nga artikuj të grupit të shëndetshëm.

Të pashëndetshme: mish i kuq me shumë yndyrë, mishi i derrit, produkte të përpunuara (nuggets pule, sallam, hot dog), gjalpi, dhjami, vajra tropikalë si ai i kokosit, kremi pana, lëngjet e frutave me 100 për qind sheqer, shurup panje, biskotat, patatinat, patatet e skuqura, buka e rafinuar, pijet me sheqer (edhe pijet energjike), djathi i lëngshëm, çokollata, snacks xhelatinoze, akullorja, supa instante si ato me “noodles”, pica dhe frutat e konservuara me shurup.