Numri i ri i revistës shkencore American Journal of Public Health ka ngritur shqetësime serioze për ushqimet e shumëpërpunuara (UPF), duke zbuluar se kompanitë e mëdha të duhanit përdorën të njëjtat strategji marketingu që dikur shërbyen për të shitur cigare, për të promovuar produkte ushqimore si ato të brendit “Lunchables” dhe ushqime të tjera të destinuara për fëmijët, ka shkruar The Guardian.
Sipas studiuesve, ushqimet e shumëpërpunuara janë lidhur me rritjen e rrezikut për sëmundje të zemrës, disa lloje kanceri dhe probleme me funksionin e trurit.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoProfesoresha Cindy Leung nga Universiteti i Harvardit ka thënë se personat që konsumonin sasi të mëdha të këtyre ushqimeve kishin 58 për qind më shumë rrezik për të zhvilluar demencë, 46 për qind më shumë rrezik për dëmtim të lehtë të aftësive njohëse dhe 47 për qind më shumë rrezik për njërën nga këto gjendje.
Studiuesit zbuluan se kompanitë e duhanit, pasi blenë brende të mëdha ushqimore si “Nabisco” dhe “Kraft”, përdorën të njëjtat metoda që kishin përdorur për cigaret. Këto përfshinin krijimin e produkteve me kombinime të veçanta yndyrash dhe karbohidratesh për të nxitur dëshirën për konsum të vazhdueshëm.
Profesoresha Tera Fazzino, e cila analizoi mbi 100 dokumente të brendshme të industrisë së duhanit, ka thënë se ata përdorën të njëjtat strategji si për duhanin.
“Ata përdorën të njëjtat strategji që kishin përdorur për biznesin ndërkombëtar të duhanit, edhe për biznesin e ushqimit”, ka thënë ajo.
Sipas studiueses Laura Schmidt nga Universiteti i Kalifornisë në San Francisko, brendi i njohur “Lunchables” u zhvillua duke përdorur kërkime psikologjike për të kuptuar dëshirat dhe nevojat e fshehta të fëmijëve.
“‘Lunchables’ u projektua për të përmbushur dëshirën e fëmijëve për pavarësi, autonomi dhe lojë”, ka thënë Schmidt.
Ekspertët vlerësuan se lëvizja amerikane “Make America Healthy Again” (MAHA) ka ndihmuar në rritjen e ndërgjegjësimit për rreziqet e ushqimeve të shumëpërpunuara, por theksuan se nevojiten politika më të forta për të nxitur konsumimin e ushqimeve të freskëta dhe të papërpunuara.
Sipas tyre, problemi nuk lidhet vetëm me zgjedhjet individuale të konsumatorëve.
“Duhet ta zhvendosim vëmendjen nga fajësimi i individëve, te industria ushqimore që prodhon, shet dhe reklamon këto produkte, sidomos te fëmijët”, ka thënë dietologia Lindsey Smith Taillie.
Studiuesit paralajmërojnë se provat shkencore po shtohen vazhdimisht dhe tregojnë se konsumimi i shpeshtë i ushqimeve të shumëpërpunuara mund të ketë pasoja serioze për shëndetin afatgjatë.