Një studim i publikuar në Nature Cardiovascular Research ka konstatuar se burrat duhet të bëjnë rreth dy herë më shumë ushtrime se gratë për të arritur të njëjtin përfitim në uljen e rrezikut nga sëmundjet koronare të zemrës.
Studiuesit po kërkojnë që udhëzimet për një stil jetese të shëndetshme të marrin parasysh dallimet biologjike mes gjinive, ka shkruar The Guardian.
Shkencëtarët kanë analizuar të dhënat e më shumë se 80,000 personave dhe kanë thënë se gratë që bënin 250 minuta ushtrime në javë e ulnin rrezikun e sëmundjeve të zemrës me 30 për qind. Ndërsa burrat, për të pasur të njëjtin efekt, duhej të arrinin 530 minuta aktivitet fizik në javë, që do të thotë gati nëntë orë.
Gratë përfitojnë më shumë nga i njëjti nivel aktiviteti
Studimi mbështet hulumtimet e mëparshme që tregojnë se gratë kanë përfitime më të mëdha shëndetësore nga e njëjta sasi ushtrimesh krahasuar me burrat, ani pse, në përgjithësi, gratë janë më pak aktive fizikisht dhe shpesh nuk e arrijnë nivelin e rekomanduar të aktivitetit.
Sipas udhëzimeve të NHS (Shërbimit Kombëtar Shëndetësor të Britanisë), si burrat ashtu edhe gratë, midis moshës 16 dhe 64 vjeç duhet të bëjnë të paktën 150 minuta ushtrime të moderuara ose 75 minuta ushtrime intensive në javë, duke përfshirë edhe forcimin e muskujve dy herë në javë. Por studimi i ri sugjeron se rekomandimet duhet të përshtaten sipas gjinisë. Autorët theksojnë se gratë mund të arrijnë përfitime të mëdha shëndetësore edhe me sasi më të vogla aktiviteti.
Në nivel botëror, një në tri gra vdes nga sëmundjet kardiovaskulare.
“Krahasuar me burrat, gratë përfitojnë të njëjtat efekte pozitive për shëndetin me vetëm gjysmën e kohës së ushtrimeve. Këto rezultate mund të inkurajojnë më shumë gra të angazhohen në aktivitet fizik”, thuhet në raportin e studimit.
Çka treguan të dhënat?
Ekipi i udhëhequr nga doktori Jiajin Chen në Universitetin Xiamen në Kinë ka përdorur të dhëna nga pajisjet që përcjellin aktivitetin fizik, të cilat i kishin vendosur pjesëmarrësit e moshës së mesme që ishin të përfshirë në projektin UK Biobank.
Nga 80,243 persona që nuk kishin sëmundje koronare, u zbulua se:
-Gratë që përmbushnin objektivin prej 150 minutash aktivitet në javë kishin 22 për qind më pak rrezik për të zhvilluar sëmundje të zemrës;
-Burrat në të njëjtin nivel aktiviteti kishin 17 për qind më pak rrezik.
Kur gratë ushtronin për 250 minuta në javë, rreziku i tyre binte me 30 për qind, ndërsa burrat e arrinin të njëjtin përfitim vetëm kur ushtronin për 530 minuta në javë.
Edhe për pacientët me sëmundje të zemrës, gratë dalin më mirë
Nga të dhënat e mbi 5,000 burrave dhe grave që tashmë kishin sëmundje të zemrës, studiuesit zbuluan se rreziku i vdekjes ishte tri herë më i ulët për gratë që bënin ushtrimet e rekomanduara, krahasuar me burrat që ushtronin po aq.
“Të dyja gjinitë mund të përfitojnë ndjeshëm nga aktiviteti fizik, prandaj çdo person, pavarësisht gjinisë, duhet të ushtrohet rregullisht”, ka theksuar Yan Wang nga ekipi i autorëve.
Megjithatë, ai ka shtuar se në nivel global më shumë gra se burra nuk arrijnë të përmbushin objektivat e aktivitetit fizik.
“Shpresojmë që këto gjetje t’i motivojnë gratë që janë fizikisht joaktive të fillojnë të lëvizin më shumë, duke ulur kështu rrezikun për sëmundje të zemrës”, ka thënë ai.
Pse gratë përfitojnë më shumë?
Shkencëtarët nuk janë plotësisht të sigurt pse ushtrimet kanë efekt më të fortë te gratë, por dyshohet se kjo lidhet me ndryshimet hormonale, llojin e fibrave muskulore dhe mënyrën se si trupi i grave përpunon sheqerin për të prodhuar energji.
“Ky studim është dëshmi e fortë se një qasje unike nuk funksionon për të gjithë. Është koha të zbatojmë strategji të veçanta për secilën gjini dhe të zhvillojmë programe të personalizuara që përmirësojnë shëndetin kardiovaskular të grave”, ka thënë doktoresha Emily Lau, eksperte e shëndetit kardiovaskular të grave në spitalin Massachusetts General.