Dy orë në javë ushtrime me pesha mund të ulin ndjeshëm rrezikun e vdekjes së hershme, sugjeron një studim i ri, ka shkruar BBC.
Të dhënat e mbledhura nga studime që kanë zgjatur për dekada tregojnë se ushtrimet e rregullta me peshëngritje (që njihen si “resistance training” ose “weight training”) mund të ulin rrezikun e vdekjes nga sëmundjet e zemrës, sulmet në tru dhe disa sëmundje neurologjike.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas studiuesve, këto gjetje tregojnë se ushtrimet me pesha nuk ndihmojnë vetëm në formën fizike, por mund të ketë rol të rëndësishëm në parandalimin ose vonimin e sëmundjeve serioze, duke lehtësuar edhe presionin mbi sistemet shëndetësore.
28-vjeçarja Kate Hogarth, ka thënë se tashmë mendon për shëndetin e saj afatgjatë.

“Dua të jem e pavarur edhe kur të plakem. Ka kaq shumë studime që tregojnë përfitimet e stërvitjes me forcë, për shëndetin kardiovaskular, për muskujt, për kockat dhe për shëndetin mendor. Dua të jem në gjendje të udhëtoj në botë edhe kur të jem në të 70-at, 80-at apo 90-at dhe të mund të luaj me nipërit e mbesat. Kjo pavarësi është shumë e rëndësishme për mua”, ka thënë Hogarth.
Përfitimet e aktivitetit aerobik, si vrapimi, çiklizmi apo noti, tashmë janë të njohura. Sipas përfaqësuesve të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar në Britani (NHS), këto aktivitete ulin rrezikun e sëmundjeve të zemrës, sulmit në tru dhe diabetit të tipit 2, si dhe ndihmojnë në uljen e stresit.
Por deri tani ka pasur më pak qartësi për rolin e ushtrimeve me pesha në uljen e rrezikut të vdekjes së hershme.
Kjo po ndryshon.
Studiuesit që publikuan gjetjet në “British Journal of Sports Medicine”, kanë analizuar të dhëna nga tre studime afatgjata, që përfshinin 147,374 burra dhe gra gjatë një periudhe 30-vjeçare.
Ata zbuluan se personat që bënin rregullisht 90 minuta deri në dy orë stërvitje me pesha në javë kishin 13 për qind më pak rrezik për vdekje të parakohshme nga çdo shkak.
Rreziku i vdekjes nga sëmundjet kardiovaskulare, si infarkti apo sulmi në tru, ishte 19 për qind më i ulët.
Ndërsa rreziku nga sëmundjet neurologjike, si demenca, u ul me rreth 27 për qind.
Studiuesit përfunduan se “rreziku më i ulët” u vërejt te personat që kombinonin aktivitet të lartë aerobik me ushtrime me pesha.
Në këtë grup më aktiv, rreziku i vdekjes së hershme nga çdo shkak u ul deri në 58 për qind.
Megjithatë, ata vunë re se ushtrimet me pesha mbi dy orë në javë nuk sillnin përfitime shtesë të rëndësishme.
Trajnerja personale Bev Wilson nga Harrogate, ka thënë se e sheh çdo ditë ndikimin pozitiv të ushtrimeve me pesha te klientët e saj.

“Kur punoj me klientë, sidomos me gratë, shpesh vijnë me probleme me dhimbje kyçesh, mungesë energjie apo probleme me metabolizmin dhe shtim në peshë. Ushtrimet me pesha ndihmojnë në përmirësimin e këtyre gjendjeve, rregullon sheqerin në gjak, ul dhimbjet e kyçeve dhe forcon eshtrat. Ata ndihen më të fortë, më energjikë dhe më vitalë”, ka thënë Wilson.
Ajo ka shtuar se përfitimet shtrihen edhe në shëndetin e trurit.
“Përveçse ndihen më energjikë dhe më të shëndetshëm, klientët vërejnë përmirësim në funksionin e aftësive njohëse. Ata përqendrohen më mirë në punë dhe kanë kujtesë më të mirë”, ka thënë ajo.
Edhe Tom Burton, nga Sport England, ka thënë se aktiviteti fizik është thelbësor për shoqëri më të shëndetshme.
“Aktiviteti fizik i bazuar në forcë është një mjet i fuqishëm, sidomos për plakjen e shëndetshme, ndihmon në parandalimin ose vonimin e sëmundjeve, na mban të lëvizshëm dhe të pavarur dhe ul presionin mbi shërbimet shëndetësore dhe sociale”, ka thënë ai.