Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Ushtrimet më të shëndetshme janë ato të shkurtra e me intensitet

Ushtrimet

Ushtrimet

Sipas një studimi të fundit të publikuar në revistën shkencore European Heart Journal, aktiviteti fizik i shkurtër por intensiv mund të ketë përfitime të mëdha për shëndetin, madje duke e ulur rrezikun e sëmundjeve kronike - si sëmundjet e zemrës dhe demenca - ka shkruar San Francisco Chronicle.

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit që bëjnë shpërthime të shkurtra aktiviteti të intensiteti të lartë, si vrapimi për ta kapur autobusin apo ngjitja e shpejtë e shkallëve, kanë më pak gjasa të zhvillojnë disa sëmundje kronike krahasuar me ata që nuk bëjnë fare aktivitet intensiv.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas studimit, edhe vetëm 15-20 minuta në javë aktivitet intensiv, ose 2-3 minuta në ditë, mund të sjellin përfitime të dukshme për shëndetin.

“Mesazhi inkurajues është se sa fort lëvizni ka rëndësi, jo vetëm sa gjatë lëvizni. Për njerëzit që mendojnë se nuk kanë kohë për stërvitje të gjata, edhe sasi të vogla aktiviteti intensiv mund ta ulin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kronike”, ka thënë një nga autorët kryesorë të studimit, profesori Minxue Shen nga Central South University.

Më pak kohë, por më shumë intensitet

Studimi, i cili ka analizuar rreth 96,000 të rritur nga të dhënat e UK Biobank, ka treguar se personat që bënin më shumë aktivitet intensiv kishin nga 29 për qind deri 61 për qind më pak rrezik për tetë sëmundje kronike gjatë shtatë vjetëve.

Përmirësimi më i madh u pa tek ata që kaluan nga “asnjë aktivitet intensiv” në “pak aktivitet”, duke treguar se edhe ndryshimet minimale kanë ndikim të madh.

Ekspertët e përshkruajnë këtë si një version modern të idesë “ngrihu nga divani”, çdo lëvizje është më mirë se asgjë.

Çka konsiderohet aktivitet “intensiv”?

Studiuesit e përkufizuan aktivitetin intensiv si çdo lëvizje që e bën njeriun të mbetet pa frymë dhe të mos mund të mbajë një bisedë të plotë.

Kjo përfshin jo vetëm stërvitjet e rregullta si vrapimi apo ushtrimet ne intensitet te lartë, por edhe aktivitete të përditshme si ngjitja e shkallëve shpejt, mbajtja e peshave, ecja në terren të pjerrët si dhe lëvizje të shpejta gjatë ditës.

S'ka formulë perfekte

Ekspertët theksojnë se nuk ekziston një raport ideal universal midis aktivitetit të lehtë dhe atij intensiv. Për shumicën e njerëzve, kombinimi i aktiviteteve është më i dobishmi.

“Nuk ka një ushtrim të vetëm perfekt, kombinimi i aktivitetit aerobik, forcës dhe lëvizjeve intensive është më i miri”, ka thënë doktori David Ding nga Kaiser Permanente.

Ai ka shtuar se stërvitja e forcës është rëndësishme sidomos me kalimin e moshës, për t'i ruajtur muskujt dhe densitetin e eshtrave.

Pse aktiviteti intensiv ndihmon më shumë?

Sipas ekspertëve, aktiviteti intensiv mund të ketë efekte më të forta anti-inflamatore dhe të ndikojë më shumë në shëndetin metabolik.

Kjo lidhet me uljen e rrezikut për sëmundje si ato kardiovaskulare, diabeti i tipit 2, sëmundjet inflamatore, problemet e veshkave, mëlçisë dhe demenca.