Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reshje bore në zonat malore, Ministria e Infrastrukturës bën thirrje për kujdes

bora

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë thirrje për kujdes në rrugë, pasi të hënën kanë nisur reshje të borës në zonat malore. 

Reshje bore ka në Prevallë, në Bjeshkët e Rugovës dhe në zona të tjera malore. 

“Reshjet e para të borës kanë filluar në Prevallë, në Bjeshkët e Rugovës dhe në zona të tjera malore të vendit. U bëjmë thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, sidomos në segmentet ku mund të ketë ngrica. Ekipet tona të mirëmbajtjes janë në terren 24 orë në ditë, të gatshme për pastrimin e borës dhe trajtimin e ngricave sipas gjendjes së rrugëve. Pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars. Para nisjes, kontrolloni gjendjen e gomave. Gjatë vozitjes, përshtateni shpejtësinë me kushtet e rrugës, mbani distancë më të madhe dhe shmangni frenimin e menjëhershëm”, ka njoftuar Ministria e Infrastrukturës.

Thirrje për kujdes ka bërë edhe Policia e Kosovës.

"Policia Rajonale e Ferizajt apelon tek të gjithë shoferët e mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit rrugor, pas reshjeve të para të borës të cilat kanë filluar në Brezovicë, Prevallë, Jezerc dhe në zona të tjera malore të rajonit të Ferizajt. Duke pasur parasysh mundësinë e krijimit të ngricave dhe rrëshqitjes në rrugë, policia rekomandon që shoferët e mjeteve të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe gjendjen e rrugës, të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve dhe të shmangin frenimet e menjëhershme. Policia Rajonale e Ferizajt është në kontakt të vazhdueshëm me kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve të rajonit".