Publicisti Veton Surroi mendon se Kosova do të duhej të koncentrohej të bashkëpunojë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket gazifikimit të qymyrit.
Surroi ka thënë se SHBA-ja është në majë të hulumtimit e zbatimit të teknologjive të reja që kanë të bëjnë me gazifikimin e qymyrit, e të shndërrimit të tij në forma të tjera të përdorimit të energjisë.
“Do të ishte veprim strategjik për një periudhë shumë të gjatë ndërlidhja e Kosovës me kompanitë amerikane që merren me këtë çështje. Një nga to është në Dakotën e Veriut”, tha Surroi në “Konfront” të KTV-së.
Surroi ka thënë se Kosova ka nevojë për siguri energjetike dhe se energjia elektrike e prodhuar në Kosovë është e shekullit XX.
“Janë termocentrale të ndërtuara gjatë viteve ’70 e ’80 e ne jemi gati në çerek shekullin e XXI. Kosova s’ka bërë asnjë ndryshim transformativ në furnizimin e vetë me energji”, tha Surroi.
Surroi ka thënë se termocentralet aktuale të Kosovës e kanë tejkaluar moti afatin e tyre.
Surroi ka thënë se deri në vitin 2030 në botë parashihet të rritet për 8 për qind nevoja për energji, e kjo nënkupton rritje të çmimeve. Ai ka thënë se derisa shtetet tjera të rajonit e po ashtu evropiane po bëjnë veprime të shpejta për siguri energjetike, ai nuk është i sigurt se Kosova po bën veprime të tilla.
E sa i përket strategjisë që Kosova duhet ta ndjekë për pavarësi energjetike, Surroi ka përmendur dy.
Ai ka thënë se njëra prej tyre tashmë është, bursa shqiptare e energjisë elektrike ALPEX, kompani e përbashkët e Shqipërisë e Kosovës për tregtimin e energjisë elektrike. E një formë tjetër ka thënë se do të ishte ndërtimi i ndonjë termocentrali nga Kosova në Shqipëri.
“Ekziston formë tjetër që mendoj se duhet të shqyrtohet...Kosova ka nevojë për hidroenergji, ndonëse s’ka lumenj. Mund t’i shfrytëzojë resurset e Shqipërisë në marrëveshje me Shqipërinë. Në Shqipëri ekzistojnë dy hidrocentrale norvegjeze. Pse të mos ekziston një hidrocentral i ndërtuar nga Kosova për nevojat e ALPEX-it”, ka thënë Surroi.