Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Lifestyle

Gjumi më i gjatë se nëntë orë mund të jetë rrezik për personat me sëmundje të zemrës

Gjumi

Personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe flenë nëntë ose më shumë orë në natë mund të kenë rrezik më të lartë të vdekjes, krahasuar me ata që flenë shtatë deri në tetë orë. Këtë e tregon një studim i ri i publikuar në revistën shkencore PLOS One, ka shkruar FoxNews.

Studimi ka analizuar të dhënat e 3.287 të rriturve amerikanë me probleme të zemrës, duke ndjekur gjendjen e tyre shëndetësore për rreth 15 vjet.

Rezultatet treguan se personat që flinin nëntë ose më shumë orë kishin 51 për qind rrezik më të lartë të vdekjes nga të gjitha shkaqet, 53 për qind rrezik më të lartë të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, si dhe 50 për qind rrezik më të lartë të vdekjes nga shkaqe të tjera shëndetësore.

Gjatë periudhës së studimit, 49,4 për qind e pjesëmarrësve vdiqën, prejt tyre 16,7 për qind nga shkaqe të lidhura me zemrën.

Pse gjumi i tepërt mund të jetë një sinjal paralajmërues?

Sipas ekspertëve, kohëzgjatja e gjumit ndikon në disa procese të rëndësishme të organizmit, përfshirë tensionin e gjakut, nivelin e sheqerit, inflamacionin dhe hormonet që kontrollojnë oreksin.

Megjithatë, sipas studiuesve, gjumi i gjatë nuk është domosdoshmërisht shkaku i rritjes së rrezikut. Ai mund të jetë edhe shenjë e problemeve të tjera shëndetësore.

“Pacientët që flenë më gjatë mund të kenë probleme si përkeqësimi i shëndetit të zemrës, apnea e gjumit, depresioni, anemia ose efektet anësore të disa medikamenteve”, ka shpjeguar kardiologu Antony Chu.

Edhe dietologia dhe specialistja e diabetit Erin Palinski-Wade ka theksuar se studimi tregon një lidhje mes gjumit të gjatë dhe rrezikut të vdekjes, por nuk provon se njëri shkakton tjetrin.

“Gjumi ndikon te tensioni i gjakut, niveli i sheqet ne gjak, inflamacioni si dhe te hormonet e apetitit, dhe të gjitha këto pastaj ndikojnë në rrezik kardiovaskular”, ka thënë Palinski-Wade.

A është i dëmshëm gjumi i gjatë për të gjithë?

Jo. Sipas studiuesve, rezultatet vlejnë për personat që tashmë kanë sëmundje të zemrës dhe nuk duhet të interpretohen sikur gjumi i gjatë shkakton probleme kardiovaskulare te të gjithë njerëzit.

Gjithashtu, studimi nuk e përjashton rrezikun që mund të vijë nga mungesa e gjumit. Si gjumi i pamjaftueshëm, ashtu edhe ai i tepërt mund të jenë sinjale se diçka nuk shkon me shëndetin.

Ekspertët këshillojnë që njerëzit të mos përqendrohen vetëm te numri i orëve të gjumit, por edhe te mënyra se si ndihen pas zgjimit dhe te cilësia e pushimit gjatë natës.

Nëse një person me probleme të zemrës vëren se ka filluar të flejë dukshëm më shumë se zakonisht, është e rëndësishme të konsultohet me mjekun për të kuptuar nëse pas këtij ndryshimi fshihet ndonjë problem shëndetësor.