Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministria e Ekonomisë konfirmon se një zyrtar i saj kërcënoi me armë eprorin e tij

Policia

Foto: Ilustrim

Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se një zyrtar i saj ka këcënuar me armë zjarri kolegun e tij, i cili ushtron detyrën e udhëheqësit të tij. 

Ngjarja ka ndodhur brenda objektit të Ministrisë së Ekonomisë. 

“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, ka njoftuar Ministria. 

Ministria ka bërë të ditur se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës. 

“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë. Ministria do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e çdo përgjegjësie eventuale disiplinore apo administrative. Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë. Rasti në lidhje me këtë sulm është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë. Deri në pranimin e raportit nga ana e organeve kompetente,  Ministria nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit”, thuhet nga Ministria. 

Edhe Arrestohet i dyshuari që u paraqit si zyrtar i AKI-së dhe kanosi me armë një person Kronikë Arrestohet i dyshuari që u paraqit si zyrtar i AKI-së dhe kanosi me armë një person

E lidhur me rastin Policia e Kosovës ka konfirmuar se është shoqëruar një person në stacion policor. 

“Sot, rreth orës 12:00, Policia ka pranuar informatën për një rast të kanosjes në objektin e Ministrisë së Ekonomisë. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa lidhur me rastin një person është shoqëruar në stacion policor. Njësitet relevante janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, ka njoftuar Policia e Kosovës.