Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës kanë arrestuar të mërkurën një zyrtar policor në Gjilan, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “sulm”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
IPK-ja ka njoftuar se kishte marrë ankesë në zyrën rajonale në Gjilan lidhur me dyshimet se polici sa ishte jashtë detyre ishte përfshirë në një zënkë.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur më 13 gusht në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan, ku dyshohet se zyrtari policor u përfshi në një mosmarrëveshje me disa të rinj.
Zyrtari policor është ndaluar për 48 orë dhe është rekomanduar edhe suspendimi.
“IPK në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan ka filluar një hetim ndaj zyrtarit të dyshuar. Hetuesit në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore ku pas këtyre veprimeve fillestare hetimore zyrtari policor është arrestuar sot kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë kurse ndaj të njëjtit IPK ka rekomanduar edhe suspendimin. Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në njoftimin e IPK-së.