Ministria e Ekonomisë ka konfirmuar se një zyrtar i saj ka këcënuar me armë zjarri kolegun e tij, i cili ushtron detyrën e udhëheqësit të tij.
Ngjarja ka ndodhur brenda objektit të Ministrisë së Ekonomisë.
“Rasti është raportuar në Policinë e Kosovës dhe, pas ndërmarrjes së veprimeve përkatëse, zyrtari i dyshuar është arrestuar. Zyrtarët dëshmitarë dhe personat e përfshirë në rast janë intervistuar dhe kanë dhënë deklaratat e tyre para organeve kompetente”, ka njoftuar Ministria.
Ministria ka bërë të ditur se zyrtari i dyshuar është subjekt i një procedure disiplinore që nga muaji shtator për çështje që lidhen me shkeljen e detyrave dhe përgjegjësive të punës.
“Ministria e Ekonomisë e konsideron këtë sulm tejet serioz dhe të papranueshëm. Kërcënimet me armë zjarri, frikësimi dhe çdo formë e cenimit të shëndetit dhe jetës së njeriut, duhet të trajtohen me prioritet nga organet e drejtësisë. Ministria do të ndërmarrë të gjitha veprimet që janë në kompetencën e saj, në përputhje me legjislacionin në fuqi, për trajtimin institucional të rastit dhe adresimin e çdo përgjegjësie eventuale disiplinore apo administrative. Siguria e punonjësve dhe garantimi i një mjedisi të sigurt dhe profesional të punës mbeten prioritet i Ministrisë së Ekonomisë. Rasti në lidhje me këtë sulm është duke u hetuar nga organet kompetente të drejtësisë. Deri në pranimin e raportit nga ana e organeve kompetente, Ministria nuk do të komentojë më tej rrethanat e incidentit”, thuhet nga Ministria.