Ai është një nga figurat më me ndikim në industrinë globale të teknologjisë, duke drejtuar një kompani, çipat kompjuterikë të së cilës janë bërë thelbësorë për zhvillimin e inteligjencës artificiale.
Por drejtori ekzekutiv i Nvidia-s, Jensen Huang, po përballet tashmë me një hetim që mund të ketë pasoja si për të ardhmen e tij, ashtu edhe për kompaninë që drejton.
63-vjeçari ka pranuar se ka pasur një marrëdhënie intime me një drejtuese biznesi, e cila, sipas gazetës “The New York Times”, po mblidhte informacione për Pekinin zyrtar.
Bordi drejtues i Nvidia-s ka nisur një hetim të pavarur lidhur me raportimet se Huang ishte shënjestër e një operacioni të inteligjencës së huaj.
Kompania thotë se nuk ka arsye të besojë se sekretet e saj apo siguria kombëtare e SHBA-së janë komprometuar. Ndërkaq Kina i mohon akuzat për spiunazh.
Edhe
Shefi i Nvidia-s pranon lidhjen jashtëmartesore, kompania heton dyshimet për spiunazh të huaj
Huang u ka kërkuar falje familjarëve dhe kolegëve të tij, ndërsa do të vazhdojë të mbajë postin e drejtorit ekzekutiv gjatë kohës që zhvillohet hetimi.
Për vite me radhë, Huang ka promovuar teknologjitë për të cilat beson se do të përcaktojnë të ardhmen.
Në një konferencë në Paris, në vitin 2025, ai prezantoi një robot të vogël dhe parashikoi se inteligjenca artificiale do të transformojë mënyrën se si funksionojnë makinat.
“Kjo do të jetë dekada e robotikës. Gjatë kësaj dekade, do të shohim robotë në shtëpi, në fabrika dhe kudo tjetër, duke na ndihmuar në punët tona. Kjo është dekada e robotikës dhe është kënaqësi e madhe ta kem në skenë Disney Grek-un e vogël, sepse mënyra se si lëviz dhe artikulohet tregon se ai vërtet ka marrë jetë”, kishte deklaruar ai në Paris.
Megjithatë, Nvidia e nisi aktivitetin e saj si një kompani krejtësisht ndryshe.
E themeluar në vitin 1993, kompania kaliforniane u përqendrua fillimisht te grafika kompjuterike. Ajo zhvillonte çipa që i bënin videolojërat të dukeshin më realiste.
Lojëra si “Virtua Fighter Remix” përdornin teknologjinë e Nvidia-s për të krijuar grafikë tredimensionale.
Në një intervistë arkivore të vitit 1995, një Huang shumë më i ri, i cili në atë kohë ishte tashmë drejtor ekzekutiv i Nvidia-s, thoshte: “Thelbi i teknologjisë sonë është përshpejtimi i aplikacioneve multimediale për konsumatorët”.
Ata procesorë të hershëm grafikë ishin projektuar për të kryer një numër të madh llogaritjesh njëkohësisht.
Kjo aftësi do t'i bënte më vonë ata shumë të vlefshëm për inteligjencën artificiale, e cila kërkon fuqi të jashtëzakonshme kompjuterike për përpunimin e informacionit dhe trajnimin e sistemeve si chatbot-et.
Huang e kuptoi këtë mundësi dhe ndihmoi në zhvendosjen e fokusit të Nvidia-s nga videolojërat drejt furnizimit me çipa për qendrat e të dhënave të inteligjencës artificiale.
“Jensen ka qenë pothuajse si një superhero për aksionarët e Nvidia-s. Dua të them, arsyeja pse kompania u orientua drejt inteligjencës artificiale është vetë Jensen. Prandaj, kjo e bën situatën edhe më të dhimbshme për shumë investitorë, të cilët e kanë parë atë si një figurë të një niveli tjetër, jo thjesht si një drejtor të zakonshëm ekzekutiv. Edhe çmimi i aksioneve e ka reflektuar këtë. Ai ka qenë një pjesë thelbësore e suksesit dhe kjo është arsyeja pse, kur shikon aksionet e Nvidia-s, kupton se një pjesë kaq e madhe e vlerës së tyre lidhet pikërisht me Jensen-in”, thotë Dan Ives, analist dhe partner në kompaninë “Yorkville Ives & Co”.
Sot, Nvidia po zgjeron aktivitetin e saj edhe në fushën e robotikës, duke zhvilluar teknologji të inteligjencës artificiale që mund t'u mundësojnë robotëve në fabrika të mësojnë detyra të reja thjesht duke vëzhguar një person që i demonstron, pa pasur nevojë të programohen për secilën detyrë veçmas.
Edhe
Nvidia nis hetim për lidhjen e drejtorit ekzekutiv me një të dyshuar si spiune kineze
Huang e paraqiti këtë vizion në konferencën GTC të kompanisë në Berlin, në fillim të këtij viti.
“Pra, nëse do të arrinim të krijonim një inteligjencë artificiale që i mundëson robotit të mësojë shumë shpejt, atëherë edhe bizneset e vogla dhe të mesme, të cilat nuk kanë një ekip të tërë robotike për ta mësuar dhe programuar robotin, do të mund t'i tregojnë atij se çfarë duhet të bëjë. Meqenëse roboti ka aftësi të përgjithshme dhe inteligjencë të përgjithshme, ai do të ishte në gjendje të mësonte dhe të përshtatej shpejt. Prandaj, kjo ka të ngjarë të jetë platforma e madhe e radhës”, kishte deklaruar ai.
Nvidia është shndërruar në një nga kompanitë më të vlefshme në botë, ndërsa kërkesa për procesorët e saj, të cilët fuqizojnë sistemet e inteligjencës artificiale të përdorura nga kompanitë e teknologjisë në mbarë botën, është rritur ndjeshëm.
Aksionet e Nvidia-s ranë me rreth 5 për qind në tregtimin para hapjes zyrtare të bursës të hënën, pas njoftimit për nisjen e hetimit.
Huang ka luajtur një rol kyç në negociatat lidhur me kufizimet amerikane për shitjen e çipave të avancuar kompjuterikë drejt Kinës.
Uashingtoni ka kufizuar eksportin e procesorëve më të fuqishëm të Nvidia-s, për shkak të shqetësimeve se Kina mund t'i përdorë ata për zhvillimin e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë ushtarake.
Kina është një nga rivalët më të mëdhenj të SHBA-së në fushën e inteligjencës artificiale, ku kompani si “DeepSeek” po zhvillojnë sisteme që konkurrojnë fuqishëm me teknologjinë amerikane.
Të dyja vendet po investojnë shuma të mëdha në inteligjencën artificiale, e cila po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme për ekonomitë dhe sigurinë e tyre kombëtare.
Çipat e avancuar të Nvidia-s janë në qendër të kësaj gare, duke e bërë qasjen në teknologjinë e saj një çështje veçanërisht të ndjeshme.
Hetimi ndaj Huang-ut ka ngritur pikëpyetje nëse inteligjenca kineze ka arritur të sigurojë informacione për Nvidia-n ose teknologjinë e saj.
Sipas gazetës “The New York Times”, agjencitë amerikane të inteligjencës kanë arritur në përfundimin se Alice Huang, një drejtuese biznesi me origjinë kineze, me të cilën Jensen Huang kishte krijuar një marrëdhënie të afërt, po i përcillte informacione Pekinit.
Alice Huang kishte punuar më parë në kompaninë “Megaspeed”, me seli në Singapor, e cila merret me qendrat e të dhënave dhe është një nga klientët e mëdhenj të Nvidia-s. Gazeta raportoi se “Megaspeed” kishte blerë çipa të Nvidia-s në vlerë prej më shumë se 4.8 miliardë dollarësh amerikanë gjatë një periudhe dyvjeçare.
Edhe
Nvidia njofton çip të ri AI për kompjuterët personalë
Huang thotë se do të bashkëpunojë plotësisht me bordin drejtues të Nvidia-s dhe se mbetet i përkushtuar për mbrojtjen e kompanisë dhe të sigurisë kombëtare amerikane.
Për kompaninë që ai ndihmoi ta shndërronte nga një prodhuese çipash për videolojëra në një gjigant të inteligjencës artificiale, ky hetim do të vërë në provë se sa shumë varet e ardhmja e saj nga njeriu që qëndron në krye.