Kompania e inteligjencës artificiale Thinking Machines Lab, e themeluar nga shqiptarja Mira Murati, ka arritur një marrëveshje të rëndësishme bashkëpunimi me gjigantin e teknologjisë Nvidia, aktualisht kompania më e vlefshme në botë.
Sipas njoftimit të përbashkët, Nvidia do të bëjë investim të ri në kompaninë e Muratit dhe njëkohësisht do të furnizojë kompaninë me çipa të avancuar për trajnimin dhe funksionimin e modeleve të inteligjencës artificiale, raporton Bloomberg.
Në kuadër të marrëveshjes shumëvjeçare, Thinking Machines Lab do të përdorë gjeneratën e re të çipave të inteligjencës artificiale “Vera Rubin” të Nvidias, të cilët pritet të vendosen në përdorim në fillim të vitit të ardhshëm. Këta çipa do të sigurojnë fuqi kompjuterike që arrin të paktën 1 gigavat, e barabartë me energjinë e nevojshme për të furnizuar rreth 750 mijë shtëpi.
Nvidia, e cila kishte investuar edhe më herët në këtë kompani, nuk ka bërë publike detajet financiare të marrëveshjes së re, por e ka cilësuar investimin si “të rëndësishëm”.
Drejtori ekzekutiv i Nvidias, Jensen Huang, ka thënë se ekipi i Thinking Machines përbëhet nga ekspertë të nivelit botëror që po shtyjnë përpara kufijtë e inteligjencës artificiale.
“Jemi të entuziazmuar të bashkëpunojmë me Thinking Machines për ta realizuar vizionin e tyre për të ardhmen e AI-së”, ka thënë Huang.
Edhe
Nvidia njofton çip të ri AI për kompjuterët personalë
Nga ana tjetër, Murati theksoi se partneriteti do ta përshpejtojë zhvillimin e teknologjive të inteligjencës artificiale që njerëzit mund t’i formësojnë dhe përdorin për të rritur potencialin e tyre.
Nën drejtimin e Muratit, që më parë shërbeu si drejtoreshë e teknologjisë në OpenAI, Thinking Machines punësoi dhjetëra punonjës nga krijuesi i ChatGPT dhe lansoi produktin e saj të parë, Tinker, në tetor. Ky shërbim i ndihmon përdoruesit të përsosin modelet e mëdha gjuhësore, teknologjinë që fuqizon ‘chatbotet’ si ChatGPT.
Në muajt e fundit, Thinking Machines ka humbur disa punonjës që kanë kaluar tek OpenAI, përfshirë drejtorin e saj të teknologjisë.
-
Kompania më e madhe në botë u jep “tru” veturave: Do të dinë të sillen në çfarëdo situate
-
Nga çipat te chatbot-et: Si e përcaktoi Inteligjenca Artificiale vitin 2025
-
Mira Murati refuzoi ofertën e Zuckerbergut, po punon në një projekt sekret
-
“Arkitektët e inteligjencës artificiale” zgjidhen “Personi i Vitit” nga revista TIME