Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Meta prezanton modelet e reja të inteligjencës artificiale, synon të rivalizojë OpenAI dhe Anthropic

Meta

Kompania teknologjike Meta ka prezantuar modelin e saj më të ri të inteligjencës artificiale, Muse Wonder, për të cilin pretendon se është modeli më i avancuar i saj deri më tani për fuqizimin e asistentëve të inteligjencës artificiale. 

Me këtë lansim, kompania synon të konkurrojë drejtpërdrejt me rivalët si OpenAI dhe Anthropic, raportoi të martë “Euronews”.

Megjithatë, përdorimi i Muse Wonder mund të kushtojë nga 20 deri në 100 dollarë në muaj, varësisht nga versioni dhe shërbimi i ofruar.

Sipas kompanisë, modelet e reja vijnë në dy versione: Muse Wonder, i projektuar për detyra të përditshme, dhe Wonderful, një version më i fuqishëm me aftësi më të avancuara.

Meta thotë se modelet mund të kryejnë detyra në fusha si drejtësia, financat e shëndetësia, si dhe të ofrojnë performancë të lartë në programim. Këto aftësi mund të ndihmojnë zhvilluesit të krijojnë produkte të ndryshme, nga lojërat deri te aplikacionet për biznese të reja.

Një tjetër veçori e theksuar nga kompania është memoria aktive, e cila u mundëson modeleve të kuptojnë detyrat përgjatë një periudhe kohore dhe të rikujtojnë informacione nga ndërveprimet e mëparshme kur ato nevojiten.

Alexandr Wang e ka cilësuar Muse Wonder si modelin më të madh dhe më të aftë të kompanisë deri më tani, duke theksuar se mund të konkurrojë me modelet kryesore të tregut.

Krahas garës për modele më të fuqishme, industria e inteligjencës artificiale po përballet me presion në rritje për të garantuar sigurinë e teknologjive të reja.

Zuckerberg ka deklaruar se Meta e ka shtyrë për disa muaj lansimin e Muse për t'u përqendruar në sigurinë dhe mbrojtjen e sistemit.