Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

BE-ja urdhëron Metan t’u japë rivalëve të inteligjencës artificiale qasje në WhatsApp

WhatsApp

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Metas që t’u lejojë chatbotëve të inteligjencës artificiale të kompanive rivale ta përdorin WhatsAppin falas.

Komisioni Evropian ka thënë se kompania duhet ta ruajë këtë qasje ndërkohë që vazhdon një hetim lidhur me vendimin e gjigantit teknologjik për të bllokuar qasjen e ofruesve të tjerë të AI-së në platformën e mesazheve, përveç shërbimit të vet, Meta AI, raportoi BBC. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas Komisionit, ndërhyrja është e nevojshme për të parandaluar “dëm serioz dhe të pariparueshëm ndaj konkurrencës në këtë treg në rritje, si rezultat i sjelljes së Metas”, e cila sipas tij duket se shkel rregullat e konkurrencës të Bashkimit Evropian.

Meta ka reaguar ndaj këtij vendimi, duke e akuzuar Komisionin për “tejkalim të kompetencave rregullatore”. Kompania ka deklaruar se do të paraqesë ankesë.

BE-ja ka thënë se e kishte nisur hetimin në dhjetor të vitit 2025, pasi Meta ua ndaloi ofruesve të inteligjencës artificiale të palëve të treta përdorimin e WhatsApp Business API.

Sipas Komisionit, ky veprim mund të përbëjë abuzim me pozitën dominuese të Metas në tregjet evropiane.

Prandaj, si masë e përkohshme gjatë vazhdimit të hetimit, Metas i është dhënë afat prej pesë ditësh pune për t’ua rikthyer qasjen ofruesve të përgjithshëm të AI-së të palëve të treta në WhatsApp Business API, sipas të njëjtave kushte që kanë qenë në fuqi më parë.

Komisioni Evropian paralajmëroi se, nëse Meta nuk e zbaton vendimin e përkohshëm, mund të përballet me gjoba.

Megjithatë, Meta argumenton se vendimi i hap rrugën kompanive shumë të mëdha të AI-së që ta përdorin WhatsAppin pa pagesë.

“Në thelb, Komisioni Evropian ka vendosur që OpenAI dhe disa nga kompanitë më të mëdha në botë të mund të përdorin produktin me pagesë WhatsApp Business falas”, deklaroi kompania në një deklaratë.

“Ky është një tejkalim rregullator që subvencionohet nga shumë kompani evropiane që paguajnë për këtë shërbim. Ne do ta apelojmë vendimin”.