Lara Colturi vazhdon me paraqitje serioze në skijim, por dëshiron të ketë suksese të mëdha dhe të lërë gjurmë. Për ta arritur nivelin më të lartë të skijimit, 19-vjeçarja italiane që garon për Shqipërinë, ka siguruar përkrahje të madhe në stafin e trajnerëve.
Johan Clarey, ish-skitari i klasës botërore nga Franca, në disiplinën e lëshimit, i është bashkuar stafit të trajnerëve të Colturit. Clarey është medalist i argjendtë olimpik. Me këtë lëvizje, skitarja e talentuar dëshiron ta bëjë hapin e madh dhe të zhvillohet edhe më shumë në disiplinat e shpejtësisë.
Sezonin e ri të Kupës së Botës në skijim alipin, Colturi e nisi të shtunën me vend në podium. Ajo e zuri vendin e dytë në Solden të Austrisë në garën e sllallomit të madh. Larg pozitës së parë ishte vetëm për një të qindtën e sekondës. Garën e fitoi skitarja që përfaqëson SHBA-në, Paula Moltzan.
Për Colturin është hera e tetë që zë vend në podium, ndërsa ka 78 paraqitje në garat e Kupës së Botës.
Deri tani fokusi i saj ka qenë në disiplinat teknike, të sllallomit dhe sllallomit të madh. Dhe me afrimin e francezit Clarey, Colturi do të fitojë edhe më shumë. Clarey ka marrë pjesë në 240 gara të Kupës së Botës, ndërsa në Lojërat Olimpike Dimërore “Pekini 2022”, ishte i argjendtë në disiplinën e lëshimit. Ai e mbylli karrierën në vitin 2023.
Roli i tij do të jetë përmirësimi i rezultateve të Colturit në sllallom të madh dhe në Super-G.
“Dua të afirmohem më shumë në disiplinat e shpejtësisë dhe kjo është çështje të cilën e diskutojmë edhe me prindërit. Në fund, megjithatë, ia dola dhe jam krenare që e kam Jo-n përkrah”, ka shpjeguar 19-vjeçarja.
Edhe
“Vajza e shpejtë” e skijimit alpin, pionierja e papritur e Shqipërisë
Clarey është optimist po ashtu për këtë bashkëpunim. Ai e sheh Colturin me të ardhme të ndritur në sportin e skijimit. Por ka treguar se ka mbetur i befasuar kur i erdhi oferta për të punuar me të.
“Prindërit e saj më thirrën në korrik dhe isha i befasuar me ofertën e tyre”, ka thënë francezi për mediumin e njohur “L’Equipe”. Ai ka shtuar se nuk ishte i gatshëm për të marr rol të tillë. Por, e vlerësoi se oferta dhe mundësi të tilla nuk vijnë dy herë.
Prindërit e Colturit janë marrë për kohë të gjatë me skijim dhe kanë qenë të suksesshëm po ashtu.
Nëna Daniela Ceccarelli është ish-skitare italiane që fitoi medalje të artë në garën e Super-G në Lojërat Olimpike Dimërore “Salt Lake City 2002”. Edhe babai i saj, Alessandro Colturi, është instruktor i skijimit dhe trajner.