Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Meta gjobitet me 25 miliardë dollarë për “gënjeshtra” lidhur me privatësinë e të dhënave të përdoruesve

Meta

Meta, kompania që qëndron pas Facebook-ut, Instagram-it dhe WhatsApp-it, është përballur me gjobën më të madhe të vendosur ndonjëherë ndaj saj për praktikat e biznesit, raporton "BBC". 

Të mërkurën, një gjykatës në New Mexico urdhëroi kompaninë të paguajë 25 miliardë dollarë, pas një gjykimi dyjavor në fillim të këtij viti, në të cilin u konstatua se kompania kishte gënjyer për vite me radhë publikun lidhur me mënyrën se si i trajtonte të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut.
“Gënjeshtrat shtrihen edhe përtej praktikave të Facebook-ut lidhur me të dhënat”, tha gjykatësi, duke shtuar se ato preknin “thelbin e praktikave kryesore të biznesit të Facebook-ut”.

Avokati kryesor i Metas, CJ Mahoney, tha se vendimi e bënte “pothuajse të pamundur të bërit biznes në shtetin e New Mexicos”. Kompania synon të apelojë vendimin, dhe Mahoney tha se apelimi do të jetë i suksesshëm.

Kjo është gjoba më e madhe e vendosur deri më tani ndaj Metas, e cila këtë vit është gjobitur ose ka rënë dakord për zgjidhjen e disa padive të tjera, përfshirë një marrëveshje prej 18 miliardë dollarësh me Californian lidhur me sigurinë e fëmijëve.

Padia e New Mexicos buronte nga roli i Metas, e cila në atë kohë vazhdonte të operonte me emrin Facebook, në atë që u bë e njohur si skandali i Cambridge Analyticas.

Kjo kompani përdori të dhëna dhe informacione nga miliona përdorues të Facebook-ut në kuadër të veprimtarisë së saj në konsulencën politike, përfshirë punën e lidhur me zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016, të cilat përfunduan me triumfin e Donald Trumpit.

New Mexico e kishte akuzuar gjithashtu Metan se kishte çorientuar qëllimisht publikun lidhur me mënyrën se si përfitonte nga përmbajtjet që përfshinin gjuhë të urrejtjes dhe mënyrën se si zbatoheshin rregullat kundër saj. Edhe për këto pretendime, juria konstatoi se kompania e kishte çorientuar qëllimisht publikun.
Meta i kundërshtoi këto akuza.

“Në thelb, kjo padi synon të vendosë një taksë mbi shprehjen e lirë, për të imponuar rregulla të reja mbi atë që njerëzit mund të thonë në internet”, shtoi Mahoney.

Avokatët e New Mexicos e paditën kompaninë për shkak të deklaratave të shumta që drejtuesit e Metas kishin bërë ndër vite, duke pretenduar se të dhënat e përdoruesve nuk ndaheshin me palë të treta dhe as nuk u viheshin atyre në dispozicion pa lejen e përdoruesve, ndërkohë që në të vërtetë kjo kishte ndodhur.

Ata pretenduan se i gjithë populli i shtetit, rreth dy milionë banorë, ishte prekur nga mashtrimi i Metas lidhur me mënyrën se si ajo kontrollonte të dhënat e përdoruesve. Juria konstatoi se Meta kishte shkelur ligjet shtetërore më shumë se 40 milionë herë.

“Për një kohë të gjatë, kompanitë e fuqishme të teknologjisë kanë vepruar sikur madhësia dhe ndikimi i tyre t'i vendosnin ato mbi ligjin”, tha të mërkurën prokurori i përgjithshëm i New Mexicos, Raul Torrez.

“Rezultati i sotëm e bën të qartë se asnjë korporatë nuk është aq e fuqishme sa të mos mbajë përgjegjësi”.

Avokatët e shtetit kishin kërkuar gjoba deri në 40 miliardë dollarë ndaj Metas. Meta kishte argumentuar se çdo shumë mbi 3.4 miliardë dollarë do të ishte jokushtetuese.

Të mërkurën, gjykatësi Francis Mathew ishte i drejtpërdrejtë në vendimin e tij për ta gjobitur Metan me një shumë afërsisht të barabartë me fitimet e saj për çdo tremujor.

Ai tha se shkeljet e ligjit nga Meta dhe deklaratat mashtruese ndaj publikut për mënyrën se si përdoreshin dhe ndaheshin të dhënat e përdoruesve të Facebook-ut ishin “të qëllimshme” dhe kishin vazhduar për “më shumë se 11 vjet”, nga viti 2010 deri në vitin 2021.

Komunikimet ndërmjet drejtuesve të lartë të kompanisë, përfshirë Mark Zuckerbergun, ishin “të hartuara për ta çorientuar publikun”, shkroi gjykatësi Mathew në vendimin e tij.

Ndonëse shuma e plotë e gjobës ndaj Metas, e llogaritur në bazë të mijëra shkeljeve të ligjeve shtetërore, arriti në 219 miliardë dollarë, gjykatësi Mathew e uli atë në 25 miliardë dollarë.

Ky vendim vjen pas gjobës prej pesë miliardë dollarësh që Komisioni Federal i Tregtisë i SHBA-së i vendosi kompanisë në vitin 2019 për praktikat e saj lidhur me privatësinë e të dhënave.