Një gjykatë në New Mexico ka urdhëruar kompaninë Meta të paguajë edhe 567 milionë dollarë dëmshpërblim për dështimin në paralajmërimin e publikut mbi rreziqet që platformat e saj paraqesin për fëmijët.
Vendimi përbën sanksionin më të madh të shqiptuar ndonjëherë ndaj kompanisë për çështje që lidhen me sigurinë e të miturve, raportoi “BBC” të premten.
Gjykatësi Bryan Biedscheid e ka krahasuar ndikimin e Metas me ndotjen e ajrit. Sipas tij, mënyra se si funksionojnë platformat e kompanisë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme psikologjike dhe ka ekspozuar fëmijët ndaj shfrytëzimit seksual.
Kjo shumë i shtohet një gjobe të mëparshme prej 375 milionë dollarësh të vendosur në të njëjtën çështje, duke e çuar totalin e detyrimeve financiare të Metas në 942 milionë dollarë.
Në arsyetimin e vendimit, gjykatësi e krahasoi Metan me një fabrikë, ku reklamat dhe përmbajtja përbëjnë produktin, ndërsa dëmet psikologjike dhe shfrytëzimi seksual i fëmijëve janë "ndotja" që duhet eliminuar.
Edhe
“Meta” duhet të paguajë 375 milionë dollarë për dështim në “sigurinë e fëmijëve”
Padia ishte ngritur në vitin 2023 nga autoritetet e shtetit të New Mexicos, të cilat argumentuan se algoritmet e rekomandimit të Metas drejtonin përdoruesit e mitur drejt përmbajtjeve të dëmshme dhe kontakteve me persona që mund të përbënin rrezik.
Në fazën e parë të procesit gjyqësor, gjykata konstatoi se Meta kishte shkelur në mënyrë të përsëritur ligjin për praktikat e padrejta tregtare të New Mexicos. Në fazën e dytë, gjykatësi vendosi se ndikimi i kompanisë kishte arritur nivelin e një problemi të shëndetit dhe sigurisë publike, duke e bërë Metan kompaninë e parë të rrjeteve sociale që shpallet ligjërisht "bezdi publike".
Vendimi parashikon krijimin e një fondi të posaçëm për financimin e programeve të trajtimit dhe rehabilitimit të fëmijëve të prekur nga ndikimet e rrjeteve sociale.
Rreth 420 milionë dollarë do të investohen në shërbime klinike dhe programe të shëndetit mendor, ndërsa pjesa tjetër do të përdoret për trajnimin e mësuesve, profesionistëve të shëndetësisë dhe fushata ndërgjegjësuese për parandalimin e rreziqeve online.
Gjykata urdhëroi gjithashtu Metan të zbatojë një sërë masash të reja sigurie për përdoruesit nën moshën 18 vjeç.
Masat e reja përfshijnë gjithashtu heqjen e numrit të pëlqimeve ("likes") për përdoruesit nën 18 vjeç, ndalimin e njoftimeve (push notifications) gjatë natës dhe orarit shkollor, si dhe vendosjen e një kufiri maksimal prej 90 orësh përdorimi në muaj për Instagram dhe Facebook, ose rreth tre orë në ditë.
Edhe
Meta gjobitet me 25 miliardë dollarë për “gënjeshtra” lidhur me privatësinë e të dhënave të përdoruesve
Meta, e cila zotëron Facebookun, Instagramin, WhatsAppin dhe Threadsin, ka njoftuar se nuk pajtohet me vendimin dhe do ta apelojë atë. Kompania deklaroi se vazhdon të investojë në sigurinë e përdoruesve dhe se pretendimet e ngritura në proces gjyqësor nuk pasqyrojnë faktet.
Kjo nuk është sfida e vetme ligjore për Metan. Kompania po përballet me mijëra padi të ngjashme në Shtetet e Bashkuara, ndërsa javën e ardhshme në Kaliforni pritet të nisë një tjetër proces i madh gjyqësor, ku afro 30 shtete amerikane e akuzojnë për shkelje të ligjeve mbi privatësinë dhe mbrojtjen e fëmijëve në internet.