Tech

Nga çipat te chatbot-et: Si e përcaktoi Inteligjenca Artificiale vitin 2025

Foto ilustrim

Nga investimet rekorde në çipa dhe qendrat e reja të të dhënave, te chatbot-et  dhe robotët, Inteligjenca Artificiale në shumë mënyra ka përcaktuar vitin 2025. Storia në vazhdim ofron një vështrim se si tregjet, qeveritë dhe konsumatorët ndryshuan nga përparimi i shpejtë i AI-së dhe se çfarë do të thotë kjo në praktikë.

Besimi i investitorëve në inteligjencën artificiale përcaktoi rendin për tregjet globale që nga fillimi i këtij viti, duke i shtyrë aksionet e teknologjisë drejt kryesimit të indekseve globale.

“DeepSeek”, një model kinez me kosto të ulët i zhvilluar nga një ekip më i vogël me qëllim të zhvillimit të modeleve të mëdha të gjuhës (LLM) , fitoi vëmendjen botërore fillimisht për përputhjen e performancës së sistemeve më të mëdha me çmime më të ulëta.

Pas kësaj konkurrence fshihej pyetja më e gjerë, se si kompanitë duhet të zgjerojnë dhe mbështesin infrastrukturën që e bën të mundur AI-në.

Robotët mjekësorë dhe industrialë të shfaqur në konferencën e teknologjisë “Vivatech” në Paris ilustruan fuqinë e procesorëve të rinj të aftë për të analizuar imazhe dhe të dhëna në kohë reale. Performanca e tyre mbështetet në çipat e projektuar nga Nvidia, që dominoi historinë teknologjike dhe financiare të vitit.

Vlera e tregut të Nvidias kaloi tre trilionë dollarë, duke e bërë atë një nga kompanitë më të vlefshme në histori dhe një shenjë se sa qendrore ishte bërë Inteligjenca Artificiale në ekonominë globale.

Hardueri i saj është i integruar në një gamë të gjerë teknologjish, nga laboratorët kërkimorë deri tek automjetet vetëdrejtuese, duke e shndërruar projektimin e çipave dhe ruajtjen e të dhënave në industri strategjike po aq jetësore sa energjia ose transporti.

Qeveritë reaguan me investime dhe rregullore.

Në Britani, Nvidia premtoi miliarda për startup-e të reja të AI-së. Në të gjithë Evropën, politikëbërësit diskutuan përdorimin e energjisë, qasjen në të dhëna dhe koston mjedisore të gjeneratës së ardhshme të informatikës.

“Në të gjithë Evropën do të duhet të ndërtoni infrastrukturë të inteligjencës artificiale për të mbështetur startup-et dhe universitetet tuaja”, ka thënë Jensen Huang, themelues i “Nvidias”.

Kjo nevojë për kapacitet ishte e dukshme në të gjithë botën. Irlanda zgjeroi rrjetin e qendrave të të dhënave që u shërbejnë ofruesve globalë të cloudit dhe inteligjencës artificiale, ndërsa qeveritë, duke nisur nga Londra e deri në Seul futën rregulla të reja mbi furnizimin me energji, sistemet e ftohjes dhe kufizimet mjedisore.

Zgjerimi i industrisë i tërhoqi qeveritë në konkurrencë gjeopolitike.

Më 12 korrik 2025, presidenti Donald Trump rriti tarifat për importet e gjysmëpërçuesve të nivelit të lartë dhe teknologjive të tjera në 15 për qind, si pjesë e një përpjekjeje për të nxitur prodhimin vendas dhe për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e huaj.

Në përgjigje, prodhuesit e çipave në Japoni, Korenë e Jugut dhe Tajvan njoftuan plane për të zgjeruar prodhimin rajonal, ndërsa Kina rriti fondet për procesorët e vet për të zvogëluar varësinë nga furnizuesit e huaj.

Investimi në harduer ishte vetëm njëra anë e garës globale të inteligjencës artificiale. Tjetra ishte softueri: sistemet e projektuara për të shfrytëzuar atë fuqi.

OpenAI lansoi një sistem të aftë për të kryer kërkime të hollësishme dhe për të gjeneruar raporte të shkruara duke u mbështetur në tekst, imazhe dhe informacione online. Përderisa aftësitë u zgjeruan, inteligjenca artificiale u bë gjithashtu më personale.

“Është hera e parë që bota e jashtme përdor modelin tonë me O3. Dhe mund të shfletojë uebin, të skanojë tekst, imazhe, PDF shumë më tepër, t'i sintetizojë këto, të veprojë mbi to dhe të përgatisë një raport për ju”, ka thënë Sam Altman, themelues i “OpenAI”.

Sistemet e monitorimit të shëndetit përdorën gjithashtu inteligjencën artificiale për të matur presionin e gjakut dhe nivelet e oksigjenit.

E në tregti, ndihma e inteligjencës artificiale u tregua e dobishme edhe në luftën kundër falsifikimeve.