Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Rasti i Arlinda Zekajt, Ramadani: Komisioni hetimor do të jetë transparent

komision hetimor

Foto: Driton Paçarada

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, e cila pas një diskutimi nga anëtarët e këtij komisioni ka vazhduar me dyer të mbyllura.

Kjo mbledhje vjen pas takimit të së premtes, kur u diskutua edhe për mosdorëzimin e raporteve të kërkuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme.

Kryesuesi i këtij komisioni, Burim Ramadani ka njoftuar se sot Zyra e Kryeministrit i ka dërguar këtij komisioni raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe se kështu ka filluar bashkëpunimi institucional lidhur me veprimet që do të ndërmerren për rastin e Arlinda Zekajt.

Eman Rrahmani nga PDK-ja, tha se Zyra e Kryeministrit, sipas tij, po tenton t’i mbulojë të metat e institucioneve në mbrojtjen e Arlinda Zekajt.

"Është situata që angazhimi edhe i Zyrës së Kryeministrit në vend që të duhet t'i ndihmojë këtij komisioni që të zbardhim gjithë dështimin e zinxhirit, po bëhet pengesë dhe manipulator i procesit... Unë e shoh se qasja e këtij grupi parlamentar, në përgjithësi, është për t’i mbuluar të metat dhe për të mos zbardhur dështimin e zinxhirit të shtetit për mbrojtjen jetën e një gruaje", tha ai.

Kryesuesi i komisionit Burim Ramadani u zotua para mediave se gjithçka do të jetë transparente.

Edhe Qeveria s’ia ofron Komisionit Hetimor raportet për Arlinda Zekajn Arbëri Qeveria s’ia ofron Komisionit Hetimor raportet për Arlinda Zekajn

"Kemi pasur qëndrime të kundërta, nuk jemi pajtuar, kemi dalë secili kemi folur dhe është ajo pjesë që nuk e fsheh askush", tha Ramadani.

Mbledhja e komisionit u vendos të vazhdojë pa praninë e mediave. Në rend dite janë plotësim-ndryshimi i Planit të Punës dhe kalendarit të aktiviteteve, hartimi preliminar i listës së dokumenteve që do t’u kërkohen institucioneve relevante, si dhe miratimi i buxhetit të komisionit.

Komisioni hetimor parlamentar është themeluar më 29 tetor nga Kuvendi i Kosovës dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh. Ai do të hetojë veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, si dhe për të shqyrtuar trajtimin institucional të dhunës në familje. /KSP