Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Rusia dhe Ukraina sulmojnë njëra-tjetrën një ditë para bisedimeve

Lufta ne Ukraine

Foto: Associated Press

Rusia ka goditur sërish rrjetin energjetik të Ukrainës, ndërsa forcat ukrainase kanë sulmuar një tjetër prej rafinerive më të mëdha të naftës në Rusi, kanë njoftuar zyrtarët të hënën, vetëm disa orë para se delegacionet nga Moska dhe Kievi të takohen në një rund të ri bisedimesh, të ndërmjetësuara nga SHBA-ja, për t’i dhënë fund luftës.

Gati pesë vjet pas pushtimit rus të vendit fqinj, të dyja palët vazhdojnë të jenë të përfshira në luftime, pa asnjë shenjë se ndonjëra prej tyre është e gatshme të tërhiqet nga kërkesat e saj. Sipas analistëve dhe organizatave humanitare, lufta ka shkaktuar tashmë vdekjen e qindra mijëra ushtarëve dhe mijëra civilëve.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë në një intervistë për emisionin “60 Minutes”, të transmetuar të dielën, se Moska dhe Kievi janë “shumë pranë” arritjes së një marrëveshjeje, pavarësisht “urrejtjes së jashtëzakonshme” mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Ai ka thënë se, sipas marrëveshjes, Ukraina do të kishte “një formë pak më ndryshe”, por nuk ka dhënë hollësi të mëtejshme.

Trumpi ka bërë edhe më parë pretendime për zhvillimet në luftë, të cilat nuk janë realizuar.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë të hënën se kishte shënjestruar katër nënstacione elektrike në rajonet e Kievit, Dnipropetrovskut, Cherkasy-t dhe Vinnytsias në Ukrainë. Sulmet janë pjesë e fushatës së Rusisë për t’i privuar civilët ukrainas nga ngrohja, ndriçimi dhe uji i rrjedhshëm gjatë dimrit që po afron.

Ndërkohë Zelensky ka thënë të hënën se Bashkimi Evropian kishte rënë dakord të aktivizonte një mekanizëm të posaçëm emergjent, i cili përshpejton financimin për riparimin e rrjetit energjetik.

Forcat ajrore ukrainase kanë njoftuar se Rusia kishte lëshuar gjatë natës 317 dronë të llojeve të ndryshme drejt Ukrainës.

Sulmet ajrore ruse kanë goditur rëndë Ukrainën gjatë gjithë luftës, me pasoja tragjike. Një sulm rus me bombë rrëshqitëse javën e kaluar, pranë vijës së frontit në rajonin jugor të Zaporizhzhias, ka vrarë të paktën 55 persona në një qendër të shpërndarjes së ndihmave.

Ndërkohë, dronët me rreze të gjatë veprimi, të zhvilluar nga Ukraina gjatë luftës, kanë shkaktuar zjarr në rafinerinë e naftës KINEF, një nga më të mëdhatë në Rusi, pranë Shën Petersburgut dhe më shumë se 1.200 kilometra larg kufirit ukrainas, ka thënë të hënën guvernatori i rajonit të Leningradit, Alexander Drozdenko.

Në fillim të tetorit, Ukraina pretendoi se sulmet e saj me rreze të gjatë veprimi kishin nxjerrë jashtë funksionit më shumë se gjysmën e kapacitetit rus të përpunimit të naftës, duke vështirësuar furnizimin e forcave të Moskës.

Rundi i fundit i bisedimeve trepalëshe, i mbajtur në Gjenevë në shkurt, u zhvillua gjithashtu mes sulmeve të vazhdueshme. Ai nuk solli përparim drejt përfundimit të luftës, por disa rrethana kanë ndryshuar që atëherë.

Trumpi, që ka ndryshuar disa herë qëndrimin e tij për luftën, duhet të marrë parasysh se demokratët do të marrin kontrollin e Kongresit në janar, pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Ata mund të kërkojnë më shumë mbështetje për Ukrainën, shkruan AP.

Financat shtetërore të Rusisë janë nën presion të madh për shkak të luftës, ndërsa ekonomia e Ukrainës po mbytet nga sulmet e pandërprera.

Në Abu Dhabi, gjatë dy ditëve të bisedimeve që pritet të nisin të martën, do të diskutohet se cilat garanci sigurie do të ishin të pranueshme për Rusinë, e cila e sheh NATO-n si kërcënim, dhe për Ukrainën, që synon të parandalojë pushtimet e ardhshme ruse.

PutinI ka kërkuar t’i lërë mënjanë vendet evropiane dhe të negociojë drejtpërdrejt me Trumpin për të ardhmen e Ukrainës. Moska thotë se zyrtarët evropianë nuk do të marrin pjesë në diskutimet në Abu Dhabi, por ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, ka thënë të dielën se Franca dhe përfaqësues të tjerë evropianë do të jenë të pranishëm në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të hënën se takimi do të përqendrohet në negociatat trepalëshe, ku Shtetet e Bashkuara do të ndërmjetësojnë mes Rusisë dhe Ukrainës.