Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Konstituohet Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt, bëhet thirrje qe ai të mos politizohet

Komisioni Hetimor Parlamentar për rastin e Arlinda Zekajt

Foto: Driton Paçarada

Një javë pas vrasjes së Arlinda Zekaj, Komisioni Hetimor Parlamentar i formuar nga Kuvendi i Kosovës ka nisur punën e tij. Kryetari i tij, Burim Ramadani, është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi bazën e fakteve dhe argumenteve reale lidhur me vrasjen e Zekajt. Ai po ashtu ka kërkuar që puna e Komisionit të mos politizohet. Komisioni ka gjashtë muaj kohë për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve lidhur më këtë rast.

Komisioni Hetimor Parlamentar për veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, është konstituar këtë të hënë.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Katër ditë më vonë, Kuvendi i Kosovës e kishte themeluar këtë Komision.

Kryetari i komisionit, Burim Ramadani, është zotuar publikisht se komisioni do të punojë mbi bazën e fakteve dhe argumenteve reale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt.

Ai po ashtu ka thënë se pret që puna e komisionit të mos politizohet.

“E kujtojmë që vrasja e Arlinda Zekajt është alarm për të gjithë ne dhe prandaj qëllimi është se ky Komision të punojë mbi bazën e fakteve, dëshmive dhe përgjegjësive konkrete. Ky Komision nuk është farsë, është Komision që nuk do të bëjë raport politik, por do të bëjë raport mbi bazën e fakteve. Duke thënë për vete, si njëri prej jush, pres që secili të ketë synim të njëjtë, të mos e politizojmë komisionin, por ta kryejmë punën që na është besuar nga Kuvendi i Kosovës”, tha Ramadani.

Sipas Ramadanit, puna e Komisionit do të përfshijë tri faza: mbledhjen e provave, vlerësimin e tyre dhe përgatitjen e raportit përfundimtar.

Për këtë çështje u shpreh i përkushtuar edhe nënkryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi.

“Për të hetuar, verifikuar në detaje secilin veprim, mosveprim, mospërmbushje të obligimeve ligjore të institucioneve përgjegjëse…Po shprehi dedikimin dhe përkushtimin tim që do ta trajtojmë me profesionalizëm dhe më përgjegjësi të madhe, të plotë”, tha Rrustemi.

E deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili, theksoi se detyra e tyre si anëtarë të këtij Komisioni është të punojnë me përkushtim.

Edhe anëtarët e tjerë të Komisionit, Adelina Tërshani dhe Eman Rrahmani, u zotuan se do të angazhohen me përgjegjësi,

Mbledhja e radhës e Komisionit është caktuar të mbahet të premten.
Po ashtu u kërkuan dhe raportet e Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim të qartësimit të veprimeve institucionale në këtë rast.

Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë dhe ka mandat maksimal prej gjashtë muajsh për të hetuar veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në rastin e Arlinda Zekajt, si dhe trajtimin institucional të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve.