Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Russell Brand dënohet me 10 vjet e gjysmë burgim për përdhunim dhe sulme seksuale

Russell Brand

Russell Brand

Foto: Associated Press

Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është dënuar me 10 vjet e gjashtë muaj burgim, pasi u shpall fajtor për një akuzë përdhunimi dhe tri akuza për sulm seksual. Gjatë shpalljes së vendimit, gjykatësi ka thënë se Brand ishte shndërruar në një “grabitqar seksual” dhe se sjellja e tij tregonte “arrogancë të jashtëzakonshme”, ka shkruar BBC.

Gjykatësi Justice Bennathan ka thënë se statusi i famshëm i Brandit e kishte mbrojtur atë deri në vitin 2023, kur një hetim i përbashkët i Channel 4 dhe The Sunday Times nxiti gra të tjera të dilnin publikisht dhe të tregonin përvojat e tyre.

Duke iu drejtuar të pandehurit, gjykatësi ka thënë se gjatë gjyqit ai kishte bërë një sërë deklaratash të pavërteta, përfshirë pretendimin se nuk kishte prekur kurrë një grua pa pëlqimin e saj.

Ai përmendi gjithashtu sjelljen e Brandit gjatë incidenteve, duke theksuar se ajo dëshmonte arrogancë dhe mungesë respekti ndaj viktimave. Për një prej sulmeve seksuale, të ndodhur në studiot e Choice FM në Londër, gjykatësi ka thënë se veprimi kishte shkaktuar edhe poshtërim të viktimës, pasi kishte ndodhur në prani të personave të tjerë.

Në lidhje me përdhunimin e vitit 2009, ai ka veçuar edhe faktin që Brand i kishte kërkuar viktimës të pastronte çarçafët e tij, duke e cilësuar këtë si një akt poshtërues.

Edhe Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri raste të sulmit seksual Showbiz Russell Brand shpallet fajtor për përdhunim dhe tri raste të sulmit seksual

Brand u shpall fajtor për katër vepra penale të kryera ndaj grave të ndryshme gjatë një periudhe pesëvjeçare. 

Sulm seksual në vitin 2004: Në një bar në Soho të Londrës, ai kapi gjoksin e një gruaje që sapo kishte takuar në një festë ditëlindjeje.

Sulm seksual në vitin 2004 ose 2005: Në studiot e Choice FM, ai kapi fytyrën e një gruaje, e puthi pa dëshirën e saj dhe i preku gjoksin dhe të pasmet.

Përdhunim në vitin 2009: Në banesën e tij në Hampstead, Londër, ai përdhunoi një grua, e cila kishte shkuar atje pas një takimi në teatrin Hammersmith Apollo. Gruaja dëshmoi se i kishte kërkuar të ndalonte, por ai nuk e kishte dëgjuar.

Sulm seksual në vitin 2009: Gjatë punës në një projekt të Channel 4, ai ka vendosur kokën në zonën intime të një kolegeje pa pëlqimin e saj.

Gjykatësi ka shpjeguar se dënimet për veprat e ndryshme nuk do të ekzekutoheshin të gjitha njëra pas tjetrës. Megjithatë, ai ka theksuar se dhënia e dënimeve të njëkohshme për të gjitha veprat nuk do të pasqyronte rëndësinë e përgjithshme të krimeve të kryera.

Edhe Pas vendimit gjyqësor, Russell Brand përballet me një realitet të vështirë në burg Showbiz Pas vendimit gjyqësor, Russell Brand përballet me një realitet të vështirë në burg

Sipas tij, dënimi përfundimtar duhej të ishte i drejtë dhe proporcional me peshën e veprave.

Pas shpalljes së vendimit, Brand nuk ka reaguar ndaj dënimit të gjatë dhe u shoqërua drejt qelive. Para se të largohej, ai ndaloi për një çast dhe i tha me lëvizjen e buzëve bashkëshortes së tij, Laura Brand: “Të dua”.