Lifestyle

Sa ushtrime në javë ju duhen për të mbajtur nën kontroll tensionin e gjakut

ushrimet fizike

Nëse dikush dëshiron ta mbrojë shëndetin e zemrës, është e rëndësishme të mos i përfundojë të gjitha përpjekjet fizike herët në jetë. Një studim i publikuar në revistën American Journal of Preventive Medicine ka treguar se për të shmangur tensionin e lartë të gjakut në moshë të madhe, njerëzit duhet të vazhdojnë të jenë aktivë fizikisht edhe gjatë moshës së mesme, ka shkruar ScienceAlert.

Por sipas këtij studimi, i cili ka analizuar më shumë se 5,000 persona në katër qytete të SHBA-së, faktorët shoqërorë mund ta bëjnë këtë më të vështirë për disa njerëz.

“Adoleshentët dhe të rinjtë në fillim të 20-ave mund të jenë fizikisht aktivë, por këto modele ndryshojnë me kalimin e moshës”, ka thënë autorja e studimit dhe epidemiologia Kirsten Bibbins-Domingo nga Universiteti i Kalifornisë, San Francisko (UCSF).

Shumë studime të mëparshme kanë treguar se aktiviteti fizik ndihmon në uljen e tensionit të gjakut. Por ky studim thekson se “ruajtja e niveleve të larta të aktivitetit fizik gjatë rinisë, më të larta sesa rekomandimet aktuale, mund të jetë shumë e rëndësishme për të parandaluar hipertensionin”, ka thënë Bibbins-Domingo.

Hipertensioni, i njohur si tension i lartë i gjakut, është një gjendje serioze që prek miliarda njerëz në mbarë botën. Mund të çojë në infarkt, goditje në tru dhe është gjithashtu faktor rreziku për zhvillimin e demencës në pleqëri.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se një në katër burra dhe rreth një në pesë gra në botë kanë hipertension, por shumica e njerëzve nuk janë të vetëdijshëm për këtë, prandaj shpesh quhet “vrasësi i heshtur”.

Megjithatë, hipertensioni mund të kontrollohet dhe një nga mënyrat më efektive janë ushtrimet.

Në këtë studim, mbi 5,100 të rritur u ndoqën për rreth 30 vjet, duke analizuar shëndetin e tyre përmes kontrolleve fizike dhe pyetësorëve mbi stilin e jetesës, përfshirë zakonet e tyre të ushtrimeve, pirjes së duhanit dhe konsumit të alkoolit.

Në secilën vizitë, tensioni i gjakut i pjesëmarrësve u mat tri herë, me një minutë distancë mes matjeve, ndërsa të dhënat u analizuan sipas grupeve të ndryshme gjinore dhe racore.

Rezultatet kanë treguar se aktiviteti fizik u ul dukshëm nga mosha 18 deri në 40 vjeç, ndërsa rastet e hipertensionit u rritën me kalimin e viteve. Kjo sipas studiuesve tregon se rinia është periudhë shumë e rëndësishme për të ndërhyrë me programe që nxisin aktivitetin fizik për të parandaluar hipertensionin në moshë të mesme.

“Thuajse gjysma e pjesëmarrësve tanë në moshën e re nuk kishin nivel të mjaftueshëm aktiviteti fizik, gjë që ishte e lidhur ndjeshëm me zhvillimin e hipertensionit”, ka thënë Jason Nagata, autori kryesor i studimit dhe ekspert në mjekësinë e të rinjve në UCSF.

Kur studiuesit analizuan ata që ushtronin rreth pesë orë në javë në moshë të re, që është dyfishi i minimumit të rekomanduar, ata zbuluan se ky nivel aktiviteti ulte dukshëm rrezikun e hipertensionit, sidomos nëse ky zakon vazhdonte deri në moshën 60-vjeçare.

“Arritja e të paktën dyfishit të udhëzimeve aktuale për aktivitetin fizik te të rriturit mund të jetë më e dobishme për parandalimin e hipertensionit sesa thjesht përmbushja e minimumit”, thuhet ne raportin e studimit.

Por nuk është gjithmonë e lehtë të bëhet kohë për të bërë ushtrime, veçanërisht pasi kalohet shkolla e mesme dhe njerëzit përballen me sfida të reja si puna, universiteti apo familja.

“Sidomos pas përfundimit të shkollës së mesme, mundësitë për aktivitet fizik zvogëlohen ndërsa të rinjtë kalojnë në faza të reja të jetës dhe koha e lirë reduktohet”, ka shpjeguar Nagata.

Studimi gjithashtu nxori në pah dallime të forta racore. Teksa aktiviteti fizik i burrave dhe grave të bardha mbeti i qëndrueshëm pas moshës 40 vjeç, te burrat dhe gratë afroamerikan aktiviteti vazhdoi të bjerë.

Në moshën 45 vjeç, gratë afroamerikane kishin norma më të larta hipertensioni sesa burrat e bardhë, ndërsa gratë e bardha kishin normat më të ulëta të hipertensionit deri në moshën e mesme.

Deri në moshën 60 vjeç, nga 80% deri në 90% e burrave dhe grave afroamerikan kishin hipertension, krahasuar me më pak se 70% te burrat e bardhë dhe rreth 50% te gratë e bardha.

Sipas studiuesve, këto dallime racore shpjegohen nga faktorë socialë dhe ekonomikë, si arsimimi, ambienti i lagjes dhe përgjegjësitë familjare, të cilat mund të ndikojnë në mundësinë për të mbajtur një stil aktiv jetese.

“Edhe pse të rinjtë afromaerikan shpesh angazhohen shumë në sporte në moshë të vogël, faktorët socio-ekonomikë, kushtet e lagjes dhe përgjegjësitë e punës ose familjes mund t’i pengojnë ata të vazhdojnë të jenë fizikisht aktivë gjatë gjithë jetës së tyre”, ka thënë Nagata.