Është kthyer në rishqyrtim tenderi për furnizimin e Klinikës së Nefrologjisë me pajisje e shtretër për hemodializë. Këtë vendim, OSHP-ja e mori shkaku i mosshqyrtimit të plotë të ankesës së njërës prej kompanive pjesëmarrëse, nga eksperti teknik. E për tenderin mbi 840 mijë eurosh, që është objekt hetimi, në Prokurorinë Themelore në Prishtinë konfirmuan se Policia është autorizuar të mbledhë informata
Tenderi për furnizim me pajisje e shtretër për hemodializë në Klinikën e Nefrologjisë është kthyer në rishqyrtim nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, pas ankesave nga operatorët ekonomikë.
Në seancën e panelit shqyrtues të martën, OSHP-ja e mori këtë vendim, shkaku i mosshqyrtimit të plotë të ankesës së kompanisë “Argo Med” nga eksperti teknik.
Tenderi prej 843 mijë e 750 eurosh, i fituar nga “MediHealth”, pati përfunduar në OSHP pas ankesave të tri kompanive. Në vlerësimin fillestar, eksperti teknik pati konstatuar se oferta e kompanisë “KoMed” është në përputhje me kërkesat e dosjes së tenderit dhe se eliminimi i saj nga QKUK-ja ka qenë i pabazuar.
Sipas vlerësimit të ekspertit teknik, nuk qëndrojnë pretendimet e QKUK-së për eliminim.
“Eksperti teknik sqaron se nuk qëndron arsyeja e eliminimit të AK-së, sepse OE ankues ka ofruar dëshminë nga prodhuesit, e cila dëshmon se pajisjet në shtetet e Bashkimit Evropian janë të instaluara, si Gjermani, Spanjë, Portugali, Greqi. Për më shumë eksperti teknik sqaron se OE ankues si provë shtesa ka dorëzuar edhe një deklaratë të prodhuesit ‘Dialife’ nga Zvicra, me të cilën konfirmohet se aparatura e ‘Dialife’ i plotëson kriteret për Systole. Duke u bazuar në sqarimet e lartpërmendura, eksperti teknik i propozon panelit shqyrtues që ankesa e OE ankues të aprovohet si e bazuar, të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës dhe rekomandon që lënda të kthehet në rivlerësim”, thuhet në ekspertizë.
Edhe ankesa e “Argo Medit” u pati anuluar nga QKUK-ja, me justifikimin se kompania nuk ka dëshmi se ka pajisje të instaluara në të paktën tri shtete të BE-së. Por OSHP-ja konstatoi se eksperti teknik nuk e shqyrtoi në hollësi rastin dhe kërkoi që ankesa të rishqyrtohet.
E ankesa e “Medicomit” u refuzua me arsyetimin se pajisjet nuk i përmbushin kriteret e dosjes së tenderit. Por këtë vendim, avokati i kompanisë, Kushtrim Palushi, e cilësoi tendencioz.
“Ata thoshin se arsyeja kryesore e eliminimit të ‘Medicomit’ ishte gjoja se modeli që ka aplikuar është model i vjetër dhe, sipas tyre, nuk ka rëndësi nëse i plotëson kriteret apo jo, mjafton që është i vjetër dhe e eliminojnë. Kjo qasje është shumë tendencioze dhe paragjykuese, sepse nëse nuk i plotësonim kriteret, është dashur të eliminohemi për atë arsye, jo për faktin që pajisja nuk është modeli më i fundit”, ka thënë Palushi.
KOHA raportoi edhe më herët për tenderin që vazhdon të jetë objekt hetimi nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, e në të cilën të martën konfirmuan se Policia është autorizuar të mbledhë informata për zbardhjen e plotë të rastit.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë se Prokurori i shtetit ia ka lëshuar autorizimin Policisë së Kosovës për mbledhjen dhe grumbullimin e informatave relevante për zbardhjen e plotë të rastit në fjalë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“MediHealth” që u shpall fituese në tender është një prej operatorëve që gjatë vitit ka fituar më së shumti kontrata nga QKUK-ja e SHSKUK-ja, por është njashtu në listën e kompanive më të gjobitura për mosliferim në kohë.
Në shqyrtimin e së martës, ajo nuk mori pjesë, pasi thanë që në të morën pjesë vetëm palët e pakënaqura, teksa shtuan që oferta e tyre është në përputhje me ligjin dhe dosjen e tenderit.