Arbëri

QKUK-së i rekomandohet anulimi i tenderit ku eliminoi ofertën më të lirë

Organi Shqyrtues i Prokurimit, në ekspertizën lidhur me tenderin e QKUK-së për pajisje dhe shtretër në Klinikën e Nefrologjisë, ka konstatuar se eliminimi i kompanisë “KO MED” si e papërgjegjshme është bërë në kundërshtim me kriteret e vendosura nga vetë QKUK-ja.

E sipas Qendrës Klinike Universitare, kjo kompani nuk i kishte plotësuar disa nga specifikat e kërkuara teknike.

Si arsye të eliminimit, komisioni vlerësues i QKUK-së ka përmendur se aparatura e ofruar nuk kishte diapazonin e kërkuar për matjen e shtypjes së gjakut, nuk posedonte sistemin për monitorim dhe nuk i shfaqte këto vlera në ekran.

Mirëpo, në ekspertizën e saj, OSHP-ja ka konstatuar të kundërtën.

“Eksperti teknik sqaron se arsyeja e eliminimit të OE ankues nga autoriteti kontraktues QKUK është në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit, konkretisht aneksit 1, sepse Systole 40-260 mmHg i prezantuar në ofertën e OE ankues, konkretisht ne follderin - katalogun e pajisjeve (katalogu 6), specifikat dhe lista e pjesëve rezervë ‘Dialife’ në faqe 4 thuhet shprehimisht se Blood pressure range (v.j. diapazoni i presionit të gjakut) është nga 0 – 300”, thuhet në ekspertizën e OSHP-së.

Po ashtu komisioni vlerësues në QKUK ka konstatuar se operatori nuk ka dorëzuar listën e plotë të pjesëve rezervë.

Por ekspertët teknikë të OSHP-së hodhën poshtë edhe këtë pretendim.

“OE ankues në ofertën e tij ka dorëzuar listën komplete të pjesëve rezervë me shënimet teknike dhe kode identifikuese përkatëse, duke e përdorur tabelën e aneksit të specifikave teknike të detyrueshme të FDT. Eksperti teknik sqaron se arsyeja e eliminimit të OE ankues nga autoriteti kontraktues QKUK është në kundërshtim me kriteret e dosjes së tenderit”, thuhet në ekspertizë.

Një tjetër vërejtje e QKUK-së e hedhur poshtë nga ekspertiza e OSHP-së, është se operatori ekonomik nuk ka dorëzuar dëshmi se aparaturat janë të instaluara në tri shtete të BE-së.

“Eksperti teknik sqaron se nuk qëndron arsyeja e eliminimit të AK-së, sepse OE ankues ka ofruar dëshminë nga prodhuesit e cila dëshmon se pajisjet në shtetet e Bashkimit Evropian janë të instaluara, si Gjermani, Spanjë, Portugali, Greqi. Për më shumë eksperti teknik sqaron se OE ankues si provë shtesa ka dorëzuar edhe një deklaratë të prodhuesit ‘Dialife’ nga Zvicra, me të cilën konfirmohet se aparatura e ‘Dialife’ i plotëson kriteret për Systole, pasi që blood pressure monitoring si funksion e posedon në range 0 mmHg deri në 300 mmHg”, thuhet në ekspertizë.

Me këtë, ekspertët e OSHP-së kanë konstatuar se të gjitha arsyetimet e QKUK-së për eliminimin e “KO MED” ishin të pabazuara.

Për këtë arsye, OSHP-ja ka rekomanduar anulimin e vendimit për dhënie të kontratës dhe kthimin e tenderit në rivlerësim.

KOHA ka dërguar pyetje në QKUK që nga 5 shtatori lidhur me atë se çfarë do të ndodhë pas rekomandimit për anulim të kontratës, por deri më tash nuk ka marrë përgjigje.

Kompani fituese në këtë tender është zgjedhur “Medi Health” me vlerë 843,750 euro, ndërsa “KO MED”, që është ankuar, ka ofertuar me vlerë më të ulët - 733,500 euro.