Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka vlerësuar se koha e mbetur deri më 6 tetor – afati i fundit për zgjedhjen e presidentit – e bën përmbylljen e procedurës për ndryshimet e Ligjit për Gjykatën Speciale “shumë të vështirë” brenda afateve të përcaktuara me Rregulloren e Kuvendit.
Ai ka thënë se dorëzimi të premten mbrëma i projektligjit nga Qeveria në Kuvend “e ka ngushtuar ndjeshëm hapësirën kohore për shqyrtim dhe miratim, brenda afateve sipas Rregullores”, duke marrë parasysh kërkesën e PDK-së për miratim para 6 tetorit.
Cakolli ka shpjeguar procedurën që do ta marrë projektligji në Kuvend deri në miratim. Për një shqyrtim më të shpejtë, Kuvendi ka në dispozicion mekanizmat e përshpejtimit dhe të shkurtimit të afateve procedurale.
Ai ka sqaruar se meqë materialet e plota të projektligjit u shpërndahen deputetëve sot, më 3 tetor, me afatet dhe procedurat që parasheh Rregullorja, projektligjit do t’i duhet kohë të kalojë nëpër secilën shkallë deri në miratim nga Kuvendi.
Procedurat që parasheh Rregullorja e Kuvendit, shpjeguar nga Cakolli:
1. Komisioni për Legjislacion, pasi të ngarkohet nga Kryetarja e Kuvendit si komision përgjegjës, mund ta shqyrtojë projektligjin në parim qysh sot, duke zbatuar përjashtimin që Rregullorja lejon për thirrjen e mbledhjeve në raste të veçanta. Për mbledhje duhet të jetë e pranishme shumica e anëtarëve të komisionit, ndërsa rekomandimi për votim në parim miratohet me shumicën e votave të anëtarëve që marrin pjesë në votim. Komisioni pastaj ia dërgon Kuvendit rekomandimin për miratim ose mosmiratim.
2. Mund të thirret seancë e rregullt plenare, ose seancë e jashtëzakonshme me kërkesë të 40 deputetëve. Për rrugën e rregullt, mbledhja e Kryesisë, si rregull, mbahet jo më herët se 48 orë nga njoftimi, ndërsa rendi i ditës dhe materialet për seancën plenare duhet t’u shpërndahen deputetëve së paku dy ditë pune përpara.
3. Për shqyrtim me procedurë të përshpejtuar, nevojitet kërkesë e së paku 30 deputetëve ose e Qeverisë, drejtuar Kryetares së Kuvendit. Kjo procedurë zbatohet për projektligje që lidhen me sigurinë kombëtare, shëndetin publik apo çështjet buxhetore e financiare. Ndërsa shmangia nga afatet procedurale, mund të propozohet nga së paku gjashtë deputetë dhe duhet të aprovohet nga 2/3 e deputetëve të pranishëm, jo medoemos nga 80 deputetë.
4. Sidoqoftë, edhe procedurat e përshpejtuara kanë afate minimale dhe duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën. Duhet të kalojnë së paku 48 orë nga shpërndarja e materialeve deri te shqyrtimi i parë dhe pastaj së paku 72 orë nga miratimi në parim deri te shqyrtimi i dytë. Pra, gjithsej së paku pesë ditë.
Madje, duhet rikujtuar që Kushtetuesja ka shfuqizuar vendime pikërisht për shmangie dhe miratim ligjesh kur shkurtimi i afateve ua kishte pamundësuar deputetëve dhe komisioneve shqyrtimin përmbajtësor.
5. Nëse materialet tashmë veçse janë shpërndarë dhe Komisioni për Legjislacion do ta aprovojë projektligjin, shqyrtimi i tij i parë në seancë mund të të mbahet më së herëti të hënën, më 5 tetor.
6. Pas miratimit në parim, projektligji kthehet në komision për shqyrtimin e dispozitave dhe amendamenteve eventuale, si dhe për shqyrtim nga komisionet e përhershme. Duke respektuar minimumin prej 72 orësh të kësaj procedure, shqyrtimi i dytë dhe miratimi përfundimtar mund të bëhen më së herëti më 8 tetor.
7. Pas miratimit, ligji i dërgohet Presidentit për shpallje jo më herët se tetë ditë nga miratimi. Presidenti ka pastaj deri në tetë ditë për ta shpallur ose kthyer atë. Nëse nuk vepron brenda këtij afati, përfshirë edhe rrethanën e shkuarjes potenciale në zgjedhje të reja, ligji konsiderohet i shpallur edhe pa dekretim dhe publikohet në Gazetën Zyrtare. Ligjet hyjnë në fuqi zakonisht 15 ditë pas publikimit.
8. Edhe nëse miratohet me afate më të shkurtra sesa që lejon Rregullorja, ligji gëzon prezumimin e kushtetutshmërisë, derisa gjykata kushtetuese të konstatojë të kundërtën. Për këtë, së paku 10 deputetë mund ta kontestojnë brenda tetë ditësh nga miratimi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur. Nëse kontestohet përmes kësaj procedure, shpallja e ligjit pret vendimin përfundimtar të gjykatës.