Publicisti Veton Surroi e paraqitur ditën e sotme si afat në të cilin deputetët kanë mundësi të arrijnë një marrëveshje për disa çështje të rëndësishme institucionale dhe politike ose ta dërgojnë vendin në zgjedhje të reja parlamentare.
Surroi ka thënë se 120 deputetët e Kuvendit kanë mundësinë të dakordohen për një paketë që do të mundësonte zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, si dhe përshpejtimin e procesit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.
“Njëqind e njëzet deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ditën e sotme për t’u pajtuar për një paketë që mundëson zgjedhjen e Presidentit të vendit, miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, përshpejtimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe qasjes në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe forcimin e kohezionit shoqëror për sfidat e së ardhmes. Kanë edhe mundësinë që, në mesnatë, ta dërgojnë vendin në zgjedhjet e katërta parlamentare brenda më pak se dy vjet”, ka shkruar ai në Facebook.
Sot përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit. Nëse deri në mesnatë nuk zgjidhet një president i ri, Kosova do të shkojë në ciklin e katërt zgjedhor brenda dy vjetësh.
E edhe sot jashtë Kuvendit janë ftuar protesta në kërkim të miratimit në lexim të dytë të ndryshimeve në Ligjin për Specialen. Mbrëmë protestat përshkallëzuan në përplasje me Policinë.