Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Surroi për përmbylljen e krizës politike: U tejkalua me shantazhe dhe me votë në mesnatë

Publicisti Veton Surroi ka thënë se është lajm i mirë për skenën politike që u kalua kriza gati dyvjeçare.

Por, Surroi në “Konfront” të KTV-së ka thënë se mënyra se si u tejkalua kriza tregon për një “sëmundje në jetën politike”. 

“Hoqëm një brengë. Ky është lajm i mirë për skenën politike e qytetarët që përjetuan krizë gati dyvjeçare. Nga ana tjetër tregon jokonsolidim politik të vendit. Nuk është se u tejkalua me një dakordim e parime. U tejkalua kriza me shantazhe, demonstrata, kërcënime fizike e në fund me votë në mesnatë”, tha Surroi. “Këto s’janë indikatorë të mirë të shëndetit politik të vendit. Tregojnë për një sëmundje në jetën politike”. 

Surroi ka thënë se mënyra se si u arrit marrëveshja, përfshirë edhe miratimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, do të ketë efekt në muajt e ardhshëm.

“Posaçërisht Ligji do të jetë sfidë politike, ligjore, kushtetutese e të tjera”, tha Surroi. 

Kosova doli nga ngërçi institucional dhe shmangu zgjedhjet e reja të parakohshme pak pas mesnatës së të martës së kaluar. Votimi për presidenten e re, Justina Shiroka-Pula, dhe numërimi i votave përfundoi diku me afro 13 minuta vonesë për dallim nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që kishte thënë se presidenti duhet zgjedhur deri më 6 tetor. 

Paraprakisht u votua në lexim të dytë dhe u miratuan ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Pati protesta e përplasje mes protestuesve e policëve më 5 tetor, pasi protestuesit nuk lejonin largimin e deputetëve nga Kuvendi pa u votuar ndryshimet e Ligjit për Specialen.  
 

Surroi: Ndryshimet në Ligjin për Specialen s’e ndryshojnë vendimin e 16 shtatorit, vetëm Apeli mundet

3 min. më parë / 12 tet 2026 20:51
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi, ka thënë se ndryshimet e miratura në Kuvendin e Kosovës në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Hagë, nuk e ndryshojnë vendimit e 16 shtatorit i cili i shpalli fajtorë katër ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Surroi në emisionin “Konfront” në KTV, ka deklaruar se aktgjykimi i Speciales ndaj Thaçit dhe të tjerëve mund të ndryshojë vetëm më vendimin e Apelit, instanca tjetër të cilës i drejtohet mbrojtja e tyre.

Ai ka thënë se Ligji për Specialen me ndryshimet e miratuara nuk do të gjejë zbatueshmëri për shkak të mospërputhjes me Kushtetutën e Kosovës.

“Është me rëndësi të shihet se gjithë ajo energji që është shpenzuar në ligj a do të ketë rezultat dhe kur do ta ketë at rezultat. Ata kanë besuar se me ligj do të ndihmohet disi fati i katër të dënuarve në Hagë ose procesi i mbrojtje së imazhit të UÇK-së. Mendoj se ligji nuk e bënë asnjërën prej këtyre sepse jo vetëm që do të pësojë filtrin kushtetues, pra nuk do të ketë zbatueshmëri për shkak të mospërputhjes së Kushtetutës së Kosovës, por edhe po të kalonte si i tillë çfarë është po të nënshkruhej prej presidentes të mërkurën ose të enjten kur e ka afatin, ligji nuk do të prodhonte që narracioni për këta katër të dënuar të ndryshonte. Pra dënimi i 16 shtatorit nuk ndryshon me Ligj por me një vendim tjetër, ai është i Apelit”, ka thënë Surroi.

Surroi është shprehur se procesi i Apelit mund të marrë deri në dy vjet ndërsa shtoi se në nëntor pritet të publikohet aktgjykimi i plotë.

“Ky proces i Apelit do të mund të marrë dy vjet ndoshta. Mund të ndodhë që deri në vitin 2028. Deri në vitin 2028 ne do të duhet të ballafaqohemi me aktgjykimin e plotë i cili do të botohet i tillë apo i redaktuar me 2600 faqe me sa kuptova unë, në fund të nëntorit të këtij viti”, ka deklaruar Surroi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar një ligj me ndryshime për Ligjin për Specialen. Ndryshimet e Ligjit të Speciales, të sponsorizuara nga PDK-ja parashohin kufizim të mandatit të Speciales dhe bartje në Kosovë të shkallës së tretë të gjykimit në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të dënuar nga shkalla e parë me 81 vjet burgim në total.

Vendimi i Kuvendit u kritikua nga partnerë ndërkombëtarë. Bashkimi Evropian ka thënë se plotësim-ndryshimi i miratuar bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Surroi: Ligji për Dhomat e Specializuara ka qenë një shantazh politik

11 min. më parë / 12 tet 2026 20:44
Veton Surroi

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Ligji për Dhomat e Specializuara ishte shantazh politik. Ai po ashtu tha se ishte shantazh edhe kushtëzimi që ishte bërë që të votoheshin ndryshimet në Ligjin në mënyrë që të dilet nga ngërçi institucional. 

“Ishte shantazh. Mënyra si u votua. Edhe mënyra se si ishte votuar Ligji Special herën e parë ka qenë nën shantazh. Ligji për Dhomat e Specializuara ishte shantazh politik. Në atë shantazh politik ishin krerët e PDK-së atë kohë, tash disa prej tyre të dënuar në shkallën e parë në Hagë. Mënyra se si është zhvilluar ky proces ka qenë shantazh politik – ose do të votohet ky ligj ose do të hyjmë në krizë të mëtejme politike”, ka thënë Surroi në “Konfront” të KTV-së. “...Në operacione të shantazhit s’ka zgjidhje të mirë, ka zgjidhje pak më të këqija”. 

Më 6 tetor Kuvendi i Kosovës votoi pak para mesnatës në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet u votuan pak para se të zgjidhej presidentja Justina Shiroka-Pula.