Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Krasniqi për Planin e Rritjes: Deputetëve duhet t’u faturohet dëmi që i është bërë Kosovës

Besnik Krasniqi

Gazetari Besnik Krasniqi ka deklaruar se humbja e të paktën 43 milionë eurove nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor duhet t’u faturohet deputetëve të Kuvendit.

Për shkak të mospërmbushjes së kushteve të caktuara nga Bashkimi Evropian, Kosova ka humbur miliona euro nga buxheti i ndarë për Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Deri tash janë konfirmuar si të humbura të paktën 43 milionë euro e priten edhe të tjera.  Arsyeja kryesore për humbjen e këtyre mjeteve nga ana e Kosovës është kriza e tejzgjatur institucionale gjatë së cilës nuk ka funksionuar Kuvendi dhe nuk ka qenë e mundur të miratohen disa vendime specifike që ishin kusht për pagesat nga Plani i Rritjes.

“Janë deputetët atyre të cilëve duhet faturuar ky dëm që i është bërë Kosovës, për shkakun që për gjithë këta muaj, për gati dy vjet, nuk kanë qenë në gjendje t'i japin Kosovës institucione funksionale, të cilat do të mund të merreshin me detyrat që ia ka listuar Bashkimi Evropian si kushte për t'i realizuar gjithë këto fonde, sepse Kosova është përfituese e gati një miliard eurove të Planit të Rritjes. Dhe fatkeqësisht, në mungesë të vendimmarrjes në Kuvend, pra gjatë kohës sa Kuvendi ka qenë i paralizuar, ka qenë e pamundur të nxirreshin, të hynin në fuqi dokumente me rëndësi që kërkoheshin”, ka deklaruar ai në “Konfront” të KTV-së. “Prandaj është ky problem që, për qëllime puro partiake, ne sot e kemi këtë situatë kur Kosova dhe qytetarët e Kosovës privohen nga një numër i madh projektesh, po e zëmë, që kishin mundur të përfitonin nga këta 43 milionë euro që po i dimë e që brenda pak dite ne mundemi me marrë lajmin që janë shumë më shumë se 43 milionë”.

Krasniqi ka thënë se pos këtyre mjeteve kanë shkuar dëm edhe 20 milionë euro të tjerë për dy palë zgjedhje e se pasojat ende do të vazhdojnë t’i përcjellin qytetarët e Kosovës.

Duke folur për çështjen e Kuvendit, Krasniqi ka thënë se Kuvendi ka përjetuar rënie të nivelit të klasës politike. Sipas tij, në Kuvend një pjesë e madhe e deputetëve “janë njerëz të TikTokut”.

“Nga njerëzit e TikTok-ut ti ke me pritë ekskluzivisht përplasje dhe jo ndonjë fjalë të mençme ose ndonjë kontribut të mençur që qëllim ka me i shty ose me prodhu një rezultat më të mirë sesa i sponsorizohet ose del përpara qoftë si nismë ligjore a diçka tjetër. Kështu që, kryesisht pjesë e madhe mendjen e kanë çka ka me më dhezë në rrjete sociale sesa çfarë politike mundemi me shty përpara”, ka thënë ai.

Lexo përditësimet tjera
Obligimet, kushtëzimet dhe detyrat e Kosovës | KONFRONT

Obligimet, kushtëzimet dhe detyrat e Kosovës | KONFRONT