Paratë që tashmë i ka humbur Kosova nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor do t’u shkojnë tri vendeve të tjera të rajonit të cilat me kohë i kanë përmbushur kriteret për shfrytëzimin e tyre.
Këtë e kanë paralajmëruar burimet e Komisionit Evropian ë Bruksel duke rikujtuar se të gjitha gjashtë vendet e rajonit e kanë pasur të qartë se këto mjete janë me afate të kufizuara dhe se ato mjete që një shtet nuk i shfrytëzon do t’u jepen vendeve që kanë performancë më të mirë.
Kështu mjetet nga Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor që nuk i kanë shfrytëzuar me kohë Kosova, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia do t’u ndahen si mjete shtesë Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Se mjetet e pashfrytëzuara nga të ashtuquajturit “nxënësit e dobët” do t’u shkojnë atyre që kanë performancë më të mirë e ka konfirmuar mbrëmë në Bruksel edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke folur para gazetarëve pas samitit të BE-së me liderët e rajonit të Ballkanit Perendimor.
“Në kuadër të Planit të Rritjes, kemi interes të madh që fondet në dispozicion të shfrytëzohen. Duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi: Ato mjete janë vendosur në dispozicion për t'u investuar dhe për të sjellë rezultate. Për këtë arsye planifikojmë t’i rishpërndajmë fondet e konsiderueshme tek tri vendet që kanë bërë përparimin më të madh në kuadër të Instrumentit”, ka thënë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Edhe
BE-ja dhe Qeveria me shifra të ndryshme për mjetet që Kosova mund t’i përfitojë nga Plani i Rritjes
Komisioni Evropian pritet të dalë së shpejti edhe me njoftime më të sakta se sa ka humbur Kosova nga mjetet të cilat i ka pasur në dispozicion e për shfrytëzimin e së cilave ka skaduar afati kohore. Pritet që shuma që do të konfirmohet se është humbur në mënyrë të pakthyeshme është së paku 40 milionë euro, por gjasat janë të mëdha që mjetet e humbura në të ardhmen të jenë edhe disa qindra miliona euro pasi afatet po kalojnë edhe për shuma tjera.
Arsyeja kryesore për humbjen e këtyre mjeteve nga ana e Kosovës është kriza e tejzgjatur institucionale gjatë së cilës nuk ka funksionuar Kuvendi dhe nuk ka qenë e mundur të miratohen disa vendime specifike që ishin kusht për pagesat nga Plani i Rritjes.