Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një person dhe e ka dërgura në mbajtje për 48 orë, nën dyshimin se ai ka shkelur urdhrin mbrojtës dhe ka ngacmuar ish-bashkëshorten e tij.
Policia ka bërë të ditur se rasti ishte raportuar në stacionin e policisë në Ferizaj të enjten dhe viktima ka deklaruar se i dyshuari e ka shqetësuar vazhdimisht duke shkelur distancën e urdhrit mbrojtës të caktuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.
Ajo po ashtu ka raportuar se ishte kanosur me jetë dhe se ndihej e rrezikuar.
“Pas konsultimit me prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprat penale “Ngacmimi” dhe “Mospërfillja e Gjykatës”. I dyshuari i moshës 40 vjeç është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit të shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë. Policia Rajonale e Ferizajt vazhdon trajtimin e rasteve të dhunës dhe shkeljes së urdhrave mbrojtës, duke ndërmarrë veprimet e menjëhershme, të nevojshme dhe ligjore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.