Zgjedhjet 2025

Isufi: LDK-ja e ka një pjesë të elektoratit në LVV

Elmaz Isufi

Zëvendëskryeredaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka thënë se LDK-ja ka vepruar njësoj sikurse në kohën e pandemisë kur u rrëzua Qeveria Kurti 1 dhe se për dy herë radhazi u rreshtua kah PDK-ja.

Në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, Isufi ka deklaruar se LDK-ja e ka një pjesë të elektoratit në Lëvizjen Vetëvendosje dhe se një grup brenda kësaj partie është me një këmb e gatshme të kthehet në LDK.

“Meqenëse po i analizonim të dhënat në zgjedhjet e fundit. Pasojë e rezultatit të fundit është e ngjashme me veprimet që LDK-ja i ka marrë në kohën e pandemisë. Dy herë u rreshtua krah PDK-së. U fut në kauzën e PDK-së. Qeveria Kurti 1 u rrëzua nga Hashim Thaçi e Ramush Haradinaj dhe u përdor si instrument LDK-ja që të krijohet një qeveri që në fund doli si jokushtetuese. Në zgjedhjet e 9 shkurtit pavetëdijshëm u fut në kauzën e PDK-së e AAK-së. LDK-ja ka frymë të përafërt me LVV-në në disa aspekte. Ajo çka është më e rëndësishme është që LDK-ja një pjesë të elektoratit e ka në LVV. LDK-ja e ka një grup brenda LVV-së e cila me një këmbë është në LVV e me një këmbë është e gatshme të kthehet në LDK”, ka thënë Isufi.

Isufi gjithashtu vlerësoi se do të ishte e shëndetshme për LDK-në që ta pranonte ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion në kohën kur i dërgoheshin oferta nga kjo parti.


Ramosaj për Abdixhikun e Hamzën: S’dinë të bëjnë lidership, janë menaxherë të thjeshtë

Ish-deputeti i LDK-së, Berim Ramosaj, ka thënë se PDK-ja dhe LDK-ja vuajnë për lidership.

Sipas tij, kryetarët e këtyre dy partive më shumë janë menaxher të partisë.

Ai kritika në veçanti ka pasur për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Sipas tij, kryetarët e saj, që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës, kanë qenë menaxherë të thjeshtë, por jo liderë.

“Ne u themi  liderë sepse më shumë janë menaxherë të partive sesa lider, sepse nuk dinë të bëjnë lidership, janë të dy teknicientë të mirë. Lidershipi është frymë, është proces i të ndikuarit të individit karshi të tjerëve, që ata të tjerët t’i shkojnë vet mbrapa atij. LDK-ja vazhdimisht ka vuajtur për lider, që prej vdekjes së Ibrahim Rugovës. Kanë ardh në shprehje menaxherë të thjeshtë, në kuptimin që dinë me bo buxhete, din me numëru njerëz, por nuk dinë të përçojnë frymë. E njëjta gjë ishte edhe te PDK-ja. Hamza ishte aq artificialë në paraqitje sa frymë nuk kishte fare. Vazhdimisht thirrej në liderët e vet që i kishte në Hagë. Ata janë në pritje të liderit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se në LDK, rënia nuk është e rastit.

Sipas tij, që kur Isa Mustafa e mori kryesimin, tendencat e të gjithë udhëheqësve të mëtutjeshëm ishte të krijohet një LDK e re.

Ramosaj ka thënë se partitë opozitare kanë rënë në grackat e Albin Kurtit, duke e humbur orientimin programor.  

“Mua më befason a ekziston lidership ekipor në ato parti apo vullnet individual, sepse ranë në ato pozita që nganjëherë propozimet ishin anakronike të Qeverisë”, ka thënë ai duke folur për premtimet e fushatës. “Veprimet e njëanshme të Qeverisë Kurti në veriun e Mitrovicës, kanë sjell rezultate për 3 vjet sa ishte dashtë një dialog me palën serbe 20 vjet të ndodhë. Kjo me plotë konsekuencave. Shumë organizata kriminale janë eliminuar”, ka shtuar ai.


Koci: Nëse do të kombinoheshin brezi i ri me të vjetrin, LDK-ja do ta mbante primatin

Melazim Koci, ish-kryeredaktor i Radio Evropës së Lirë, ka thënë se LDK-ja ka bërë prerje të mëdha dhe gati të patolerueshme nga themeluesit e saj.

Ka shtuar se LDK-ja sot është brez krejt tjetër.

“Habitem se si sot nuk ka në radhët e saj askënd nga ai brez. Po të ishin kombinuar me atë brez, mendoj se do ta mbante primatin e partisë së parë”, ka thënë ai.

Duke folur për rezultatin e Partisë Demokratike ka thënë se e ka ruajtur identitetin më shumë se LDK-ja.


Salihu: LVV-ja mori katër mijë vota në Skenderaj, numër relativisht i madh

Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka thënë se në Kosovë nuk mund të flitet për votues standard sepse vota sipas tij mund të orientohet shpesh edhe nga disponimi i qytetarëve.

Salihu në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka thënë se kësaj here lëvizje interesante të grafikonit kishte edhe në Drenicë. Ai e quajti numër relativisht të madh të votave që Lëvizja Vetëvendosje i mori në Skënderaj, rreth 4 mijë vota.

“Në Kosovë nuk mund të flasim për votues standard. Votuesi e ndërron orientimin, disponimin. Kësaj here edhe te Drenica kishte lëvizje interesante të grafikonit. Në Skenderaj LVV-ja mori rreth 4 mijë vota. Është numër relativisht i madh që ky subjekt politik merr në atë rajon”, ka thënë Salihu.

Sa i përket rezultatit të LDK-së, Salihu vlerëson se kjo ndodhi për shkak që Abdixhiku nuk përçoi frymë të mobilizimit elektoral dhe sipas tij gaboi edhe kur nuk e pranoi ofertën e Lëvizjes Vetëvendosje për të qeverisur bashkë.

“Unë gjykoj që LDK-ja nga ana tjetër ka rezultatin më të keq në historinë e ekzistencës së saj. Faktori i parë gjykoj që është fakti që Abdixhiku nuk ka përçuar një frymë të mobilizimit elektoral. Faktori i dytë është një lloj pozicionim i ngurtë i tij karshi mundësisë së një koalicioni me LVV-në. Mundësinë e kishte, ofertën e kishte. Abdixhiku do të mund të përfitonte shumë nga kjo”, deklaroi Salihu.

Ai poashtu konsideron që të gjitha partitë politike ranë në kalkulimet e Kurtit që zgjedhjet e parakohshme të caktohen në fundvit dhe të arrihet ky rezultat.


Isufi: LVV-ja e pati lehtë t’i bëjë 50%, ia mundësoi opozita

Zëvendëskryedaktori i KOHËS, Elmaz Isufi, ka vlerësuar që fitores së Lëvizjes Vetëvendosje i ka kontribuuar më së shumti qasja joserioze e partive opozitare.

Isufi në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka thënë se partitë opozitare pavarësisht rezultatit të 9 shkurtit, caktuan sërish kandidatët e njëjtë për kryeministër, ndërsa sipas Isufit ato iu qasën fuqisë politike sikur t’i kenë vendet e rezervuara në Kuvendin e Kosovës.

“Nga perspektiva ime LVV-ja e ka pasur lehtë t’i bëjë 50% për faktin se i ka kontribuar qasja joserioze e partive opozitare nga disfata që e pësuan më 9 shkurt. Fakti që të tri partitë opzitare kanë caktuar të njëjtit kandidat për kryeministër që as në sport një ekip humbës nuk e vazhdon kampionatin me një trajner humbës. Ky ishte favori i parë që i bënë LVV-së. Favori i dytë është që e lejuan LVV-në të qeverisë për afro 10 muaj. T’i ketë në dispozicion kapacitete institucionale e t’i shtyjë përpara politika që mendoj se afirmuan gadishmërinë e saj që kjo qeveri garanton edhe stabilitet ekonomik edhe mirëqenie sociale, politikave kulturore-sportive. Gjatë kësaj periudhe fokusi i LVV-së ka qenë në disa target grupe me të cilat nuk kanë punuar partitë opozitare. Ato iu qasën fuqisë politike sikur t’i kenë vendet e rezervuara në kuvend. Përpjekja e tyre nuk është të rriten por si të luftohet brenda llojit që të sigurohen këto vende. Ky komoditet u përkthye në sukses të LVV-së”, ka deklaruar Isufi.


Koci: Opozita i ka kontribuar rezultatit të VV-së

Ish-kryeredaktor i Radio Evropa e Lirë, Melazim Koci, ka thënë se nuk e ka pritur këtë rezultat të zgjedhjeve.

Sipas tij, këtë rezultat nuk e ka pritur as vetë Vetëvendosja.

Koci ka deklaruar se këtij rezultati i ka kontribuuar opozita.

“Në momentin kur kanë refuzuar ta votojnë qeverinë e pakicës së Konjufcës, kanë bërë gabim të rëndë. Nëse do e votonin këtë qeveri do të dëshmoheshin para opinionit si palë kontstruktive që dëshiron tejkalimin e ngërçit dhe do t’i zhagisnin zgjedhjet deri në mars dhe të shmangnin votën e diasporës që sipas të gjitha gjasave ka qenë vendimtare për të krijuar këtë distancë. Sepse besoj që do të shkojë në 50 për qind. Këtij rezultati më së shumti i ka kontribuuar ai vendim shkurtpamës i opozitës”, ka thënë ai.

Sipas tij, në zgjedhjet eventuale që do të mbaheshin në mars, nuk do të dilte ky rezultat.

Ai ka thënë se me këtë rezultat, nuk ka termet por paralajmërohet stabilitet.

Ka shtuar se Kurti pa problem do ta bëjë qeverinë e do ta konstituojë parlamentin.

“Problematike do të jetë zgjedhja e presidentit sepse aty duhen 80 vota, nëse Vetëvendosja tregohet zemërgjerë duke hequr dorë ta propozojë ndonjë kandidat të vetin sepse mund ta irritojë opozitën”, ka thënë ai.


Salihu: As vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk e ka pritur këtë rezultat

Bekim Salihu nga Instituti GAP, ka deklaruar që rezultati që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, nuk ka qenë fare i pritshëm për subjektet politike.

Salihu në emisionin “Zgjedhjet në KOHË”, ka theksuar këtë rezultat nuk e ka pritur as vetë Lëvizja Vetëvendosje. Shton se sondazhi i brendshëm i kësaj partie, e ka renditur atë me 43% por jo me gati 50% sa edhe i arriti.

“Ka qenë rezultat i befasishëm pothuajse për të gjithë përfshirë edhe subjektet politike. As vetë Lëvizja Vetëvendosje nuk ka shfaqur ndonjë opinionin për pritje të kësaj natyre. Këtë pritje e ka pasur në zgjedhjet e 9 shkurtit por nuk ka pasur pritje për këtë rezultat në zgjedhjet e 28 dhjetorit. Sipas disa të dhënave të cilat arrita t’i siguroj LVV ka operuar me një sondazh pak ditë para zgjedhjeve i cili e ka renditur këtë subjekt politik diku me rreth 43% dhe jo afër 50%. Rezultati është befasues dhe unë gjykoj se ky është rezultat të cilin unë do të doja ta shihja në secilin raund të zgjedhjeve. Natyrisht jo vetëm në raport me LVV por me secilin subjekt politik që synon ose ka potencial për të krijuar institucione është e dobishme të ketë këtë rezultat sepse ofron qëndrueshmëri institucionale”, ka deklaruar Salihu.

Ai ka shtuar se me këtë rezultat Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar një komoditet në raport me qeverisjen, megjithatë jo edhe efikasitet medoemos.


Ramosaj: Zgjedhjet treguan se nuk do të vazhdojë bllokada

Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berim Ramosaj, ka thënë se në përgjithësi është ditur renditja e partive politike nga rezultatet e zgjedhjeve.

Ai ka thënë se sa i përket rezultateve që kanë marrë LVV-ja dhe LDK-ja në raport me zgjedhjet e kaluara, tregon për një befasi në kuptimin e raporteve që do të jenë prezent dhe do të reflektojnë për një periudhë të gjatë kohore.

Sipas tij, këto zgjedhje ishin shkëputje e një kontinuiteti të bllokadave me qëllim që të kalohet në një produkt të ri politik ose të vazhdohet me logjiken e njëjtë.

“Këto zgjedhje treguan që nuk do të vazhdojë bllokada. Sa i përket zgjedhjeve të presidentit e të tjera ato do të vijnë pas një etablimi politik që do të pasojë pas ndërtimit të institucioneve”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në Kohë”.