Qindra fluturime janë anuluar dhe shërbimet hekurudhore janë ndërprerë në të gjithë Belgjikën, si pasojë e një greve kundër masave të planifikuara të kursimit të shpenzimeve publike.
I gjithë trafiku ajror është pezulluar në aeroportin Zaventem të kryeqytetit Bruksel, si dhe në aeroportin e Charleroit, ku operojnë kompani ajrore me kosto të ulët, si Ryanair.
Edhe trenat dhe linjat e metrosë në Bruksel janë ndalur, ndërsa pritet që një numër i madh njerëzish t'i bashkohen marshimit protestues.
Protesta zhvillohet në një kohë kur kryeministri Bart De Wever ende nuk ka arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit për një buxhet që synon shkurtimin e shpenzimeve. Mbreti Philippe refuzoi dorëheqjen e tij në fillim të këtij muaji, duke i dhënë De Weverit më shumë kohë për negociata.
Për shkak të grevës së kontrollorëve të trafikut ajror, asnjë fluturim nuk do të ngrihet apo ulet në aeroportin e Brukselit nga ora 07:00 deri në 21:00 sipas kohës lokale të hënën. Planet e udhëtimit të më shumë se 50.000 pasagjerëve janë prekur, ndërsa pritet që numri të rritet gjatë natës dhe të martën.
Një situatë e ngjashme është paraqitur edhe në aeroportin e Charleroit, ku të gjitha fluturimet figuronin me statusin “të planifikuara”, pavarësisht orarit të nisjes apo mbërritjes.
“Pa kontrollin e trafikut ajror, asnjë fluturim nuk mund të ngrihet apo të ulet”, ka deklaruar aeroporti të shtunën, kur u njoftua greva, duke paralajmëruar për “pasoja katastrofike”.
Ndërsa mijëra njerëz u drejtuan drejt Brukselit për marshimin protestues, kreu i një prej sindikatave kryesore të vendit, FGTB, ka deklaruar se qeveria kishte alternativa ndaj “shkatërrimit të sistemit të mbrojtjes sociale”.
“Një taksë e mirëfilltë mbi pasurinë, një sistem i drejtë tatimor dhe eliminimi i lehtësive fiskale që mundësojnë shmangien e taksave”, ka thënë Bert Engelaar, kreu i FGTB-së.
“Përgjegjësia politike nuk ka të bëjë me mbajtjen e një qeverie në këmbë me çdo kusht. Ka të bëjë me të diturit se kur duhet ndalur”, ka shtuar Engelaar, duke përshëndetur partinë e majtë Vooruit, të vetmen parti nga koalicioni pesëpartiak qeverisës që, sipas raportimeve, ka penguar përpjekjet për arritjen e marrëveshjes për buxhetin.
Vooruit kërkon rritjen e taksave për të pasurit dhe më pak shkurtime në pensione dhe në sektorin e shëndetësisë.
Një tjetër udhëheqëse sindikale, Ann Vermorgen nga CSC, ka kritikuar planet e qeverisë për të shkurtuar ditët e pushimit zyrtar kur ato bien në fundjavë.
Ndërprerje po përjetojnë gjithashtu transporti publik, shkollat dhe shërbimet e tjera publike.