Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Palokaj: Kosova rrezikon të humbë qindra milionë euro nga BE-ja

Augustin Palokaj

Korrespondenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, ka thënë se pas krijimit të institucioneve të reja, Kosova mund të hyjë në një fazë të stabilitetit institucional, e cila do t’i mundësonte të avanconte në përmbushjen e reformave dhe të përfitonte më shumë nga fondet e Bashkimit Evropian.

Duke iu referuar burimeve të tij brenda BE-së, Palokaj tha se në Bruksel ekziston pritshmëria që me krijimin e institucioneve stabile të jetë më e lehtë që Kosova të realizojë procese që deri tani kanë mbetur pezull.

“Zyrtarët evropianë me të cilët kam kontaktuar thonë se tash Kosova me gjasë do të hyjë në një fazë stabiliteti institucional dhe do të jetë më shumë e mundshme që me Kosovën do të kryhen disa punë që nuk ka qenë e mundshme të kryhen në kohën kur Kosova nuk kishte institucione stabile”, ka thënë ai të mërkurën në emisionin “tre8tre” në KTV.

Sipas tij, stabiliteti institucional është i rëndësishëm edhe për përfitimin nga fondet e BE-së, veçanërisht nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se Kosova, përveç disa mjeteve të parafinancimit, nuk ka përfituar deri më tani nga paketa e rritjes, ndërsa paralajmëroi se vendi rrezikon të humbë qindra miliona euro.

“Ka mbetur pak kohë deri në fund të vitit që Kosova të shpëtojë ato para që ka pasur rrezik të humbë. Një pjesë e ka humbur sepse nuk i ka zbatuar kriteret deri në muajin qershor, ne kemi tërhequr vërejtjen disa herë që pos asaj që ka humbur, Kosova rrezikon të humbë jo dhjetëra, por qindra miliona euro”, ka thënë ai.

Palokaj ka thënë se institucionet e reja, por edhe opozita duhet të bashkëpunojnë për miratimin e reformave të kërkuara nga BE-ja.

Ai tha se opozita duhet të jetë konstruktive dhe të ndihmojë në votimin sa më të shpejtë të ligjeve që janë pjesë e kritereve të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Paratë janë të kufizuara e janë të kufizuara edhe në aspektin kohor”, theksoi Palokaj.

Ai shtoi se pa Kuvend dhe pa Qeveri që propozon e miraton reformat, edhe plotësimi i kushteve të tjera teknike nuk është i mjaftueshëm për të përfituar nga fondet.

Sipas kryenegociatorit të Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, 131,4 milionë euro nga 22 hapa të Planit të Rritjes kanë afat përfundimtar 31 dhjetorin e këtij viti.