Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Çerekshekulli i aktivizmit me qytet paralel të filmit

Në ditët e festivalit, Prizreni duket sikur jeton në dy kohë njëkohësisht (Foto: DokuFest)

Në ditët e festivalit, Prizreni duket sikur jeton në dy kohë njëkohësisht (Foto: DokuFest)

Edicioni i parë zgjati tri net. Shfaqi një numër të vogël filmash kryesisht nga Kosova dhe rajoni dhe funksiononte me një buxhet prej rreth një mijë eurosh. Nuk kishte përvojë të mëparshme për t’u mbështetur, nuk kishte një industri të zhvilluar festivalesh filmi dhe interneti sapo kishte filluar të hynte në jetën e përditshme. Kishte, megjithatë, diçka që ishte më e rëndësishme se infrastruktura, paratë apo përvoja: vullnetin. Tash është platformë aktivizmi që rrumbullakon 25 vjet dhe planet janë që lufta për krijimtari e ditë më të mira të mos ndalet

Në shtator të vitit 2002, kur në Prizren do të niste një festival i vogël filmi, binte shi. Shumë shi. Për organizatorët e asaj kohe, ky mund të ishte një ogur i çuditshëm: nuk dihej nëse ishte paralajmërim për një fillim të vështirë apo, përkundrazi, një lloj bereqeti që do ta shoqëronte një nismë të lindur në kushte të pazakonta. 

Pa njerëz që kishin sfond kinemanë e në qytetin asokohe pa kinema. Festivali kishte vetëm një kinema. Edicioni i parë zgjati tri net. Shfaqi një numër të vogël filmash kryesisht nga Kosova dhe rajoni dhe funksiononte me një buxhet prej rreth një mijë eurosh. Nuk kishte përvojë të mëparshme për t’u mbështetur, nuk kishte një industri të zhvilluar festivalesh filmi dhe interneti sapo kishte filluar të hynte në jetën e përditshme. Kishte, megjithatë, diçka që ishte më e rëndësishme se infrastruktura, paratë apo përvoja: vullnetin. Krejt kjo për të bërë diçka domethënëse, dhe jo dekor, ashtu siç u tha në ceremoninë e hapjes, të premten mbrëma. 

Një grup njerëzish vendosën të hapnin dyert e kinemasë “Lumbardhi” dhe të shfaqnin filma. Njëzet e pesë vjet më vonë, është pikërisht ky vullnet që duket se e ka mbajtur gjallë “DokuFestin”. Tash, kur festivalet kulturore maten me buxhete, numra, skena dhe spektakle, historia e “DokuFestit” nis me një akt shumë më të thjeshtë: me njerëz që vendosën të punojnë vullnetarisht dhe të besojnë se një qytet si Prizreni mund të bëhej vend për filmin, për diskutimin dhe për një formë tjetër të jetës publike.

Fryma e vullnetarizmit si konstante 

“Festivali nisi në vitin 2002 me një buxhet shumë modest, por me një vullnet të jashtëzakonshëm dhe me punë vullnetare. Fryma e vullnetarizmit vazhdon të jetë një nga vlerat kryesore të ‘DokuFest’. Ky festival ndërtohet mbi kontributin e vullnetarëve dhe pa ta nuk do të ishte i mundur. Është një vlerë që e kemi kultivuar dhe vazhdojmë ta mbrojmë”, thotë drejtori artistik i festivalit, Veton Nurkollari.

Edhe “DokuFesti” nis festën e çerekshekullit me “Mosbindje të vazhdueshme” Kulturë “DokuFesti” nis festën e çerekshekullit me “Mosbindje të vazhdueshme”

Në këtë kujtesë të fillimit ka diçka më shumë se nostalgjia për një festival që është rritur në përmasa në të cilat gjendet tash. Ka ide për mënyrën se si mund të ndërtohet një institucion kulturor në një shoqëri që sapo ka dalë nga lufta dhe që ende po përpiqet të ndërtojë infrastrukturën e vet kulturore. “DokuFest” nuk nisi si një institucion jo aq profesional sa tash. U rrit duke mësuar, duke gabuar, duke kërkuar filma, duke sjellë njerëz, duke krijuar publik dhe, mbi të gjitha, duke e bindur qytetin se kinemaja mund të jetë pjesë e jetës së tij.

“Në vitin e parë kishim vetëm një kinema, festivali zgjati tri net dhe u shfaq një numër i vogël filmash nga Kosova dhe rajoni. Nuk kishte koncerte, nuk kishte programe shtesë dhe, mbi të gjitha, askush nga ne nuk kishte përvojë në organizimin e një festivali”, kujton drejtori artistik  i “Doku Festit”, Veton Nurkollari.

Festivali si qytet paralel i filmit

Fjalia, “diçka që nuk e kishe parë më parë”, mund të shërbejë si një metaforë për gjithë historinë e festivalit. Në një Prizren ku hapësirat kulturore ishin të kufizuara, një festival filmi nisi të krijojë një qytet paralel, një qytet të përkohshëm që shfaqej çdo verë përmes ekraneve, bisedave, muzikës, njerëzve dhe historive që vinin nga vende të tjera të botës.

“Me ndihmën e disa njerëzve nga industria e filmit arritëm të sjellim një numër të vogël filmash, kryesisht nga Kosova, por edhe nga Maqedonia e Veriut dhe Bosnja e Hercegovina. Gradualisht mësuam se si ndërtohet një festival, krijuam strukturën organizative dhe e zhvilluam vit pas viti”, thotë Nurkollari.

Sot, në ditët e festivalit, Prizreni duket sikur jeton në dy kohë njëkohësisht. Është qyteti i zakonshëm, me ritmin e tij, me rrugët, kafetë, lumin, urat dhe jetën e përditshme, por është edhe qyteti i “DokuFestit”, i cili për disa ditë ndryshon ritëm dhe densitet. Ditët nisin me filma që shfaqen gjatë paradites dhe vazhdojnë me programe, diskutime, punëtori, masterklasa dhe takime. Pastaj, kur bie mbrëmja, kinemaja del nga ndërtesat dhe pushton hapësirat e qytetit. Lumi bëhet ekran, sheshet bëhen salla, ndërsa platetë dhe hapësirat publike kthehen në vende ku njerëzit mblidhen për të parë një film, për të dëgjuar muzikë ose thjesht për të qenë pjesë e një atmosfere që është e vështirë të gjendet në pjesën tjetër të vitit.

Kështu, “DokuFest” nuk është vetëm festival që zhvillohet në Prizren. Për disa ditë, ai është një mënyrë tjetër e të jetuarit të Prizrenit. Në një kuptim, festivali e kthen Prizrenin në një kinema të madhe pa çati.

Në një Prizren ku hapësirat kulturore ishin të kufizuara, një festival filmi nisi të krijojë një qytet paralel, një qytet të përkohshëm që shfaqej çdo verë përmes ekraneve, bisedave, muzikës, njerëzve dhe historive që vinin nga vende të tjera të botës (Foto: DokuFest)

Kinema si mënyre jetese 

Por kjo marrëdhënie mes festivalit dhe qytetit nuk është vetëm estetike. Ajo ka qenë edhe politike. Festivali ka ndihmuar që hapësira publike të kuptohet si hapësirë e kulturës, diskutimit dhe bashkëjetesës. 

“DokuFest ka qenë gjithmonë një platformë që jo vetëm shfaq filma, por edhe diskuton tema të rëndësishme për Kosovën dhe botën. Luftërat, krizat, të drejtat e njeriut dhe sfidat globale janë pjesë e debatit tonë. Mundohemi që përmes filmave dhe mysafirëve të krijojmë një hapësirë ku publiku jo vetëm sheh filmin, por edhe diskuton për çështjet që ai trajton”, ka thënë Nurkollari.

“Sot ‘DokuFest’ nuk është vetëm një festival filmi. Përveç filmave, ai përfshin debate, punëtori, programe edukative, masterklasa, forumin e industrisë dhe shumë aktivitete të tjera. Është zhvilluar në një festival me vizion të plotë, të krahasueshëm me festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare”, ka thënë Nurkollari më tej. 

Këtë vit, qyteti i festivalit ka një mungesë të dukshme. Kinemaja “Lumbardhi” është në renovim. Për një festival që e ka ndërtuar identitetin e tij pikërisht aty, mungesa e saj nuk është vetëm çështje infrastrukture. Është boshllëk në kujtesën fizike të festivalit.

“Fatkeqësisht, sivjet nuk e kemi kinemanë ‘Lumbardhi’, e cila ka hyrë në renovim. Ajo është vendi ku ka nisur DokuFest-i dhe ka qenë shtëpia e festivalit për 23 vjet. Shpresojmë që shumë shpejt të rikthehet dhe ta kemi sërish në dispozicion në edicionet e ardhshme”, thotë producentja e festivalit, Alba Çakalli.

Por historia e Çakallit me “Lumbardhin” shkon përtej rolit të saj të sotëm në festival. Ajo e ka përjetuar “DokuFestin” fillimisht si vullnetare dhe më pas si pjesë e strukturës profesionale të tij.

“Unë kam qenë vullnetare në vitet 2005–2006. Në atë kohë isha pjesë e ekipit që mblidhte nënshkrime për mbrojtjen e kinemasë ‘Lumbardhi’.’ DokuFesti’ ishte vendi ku për herë të parë mësova çfarë është aktivizmi qytetar, si mbrohen vlerat kulturore dhe trashëgimia, por edhe sa e rëndësishme është fryma e komunitetit. Ajo përvojë më ka mësuar shumë më tepër sesa shkolla tradicionale. ‘DokuFest’ ka qenë shkolla ime e aktivizmit dhe e organizimit kulturor. Sot, pas gjashtë vjetësh si producente e festivalit, ndihem krenare që jam ende pjesë e këtij rrugëtimi”, thotë ajo. 

Në këtë rrëfim, “Lumbardhi” bëhet simbol i idesë se trashëgimia kulturore ruhet duke ruajtur edhe kujtesën, funksionin dhe marrëdhënien e komunitetit me to.

“Ky jubile do të jetë një festë, por edhe një moment reflektimi dhe nostalgjie. Jemi krenarë për gjithçka që kemi ndërtuar gjatë këtyre 25 vjetëve, por njëkohësisht ndiejmë përgjegjësi për t'i mbrojtur këto vlera dhe vetë festivalin”, thotë Çakalli.

“Besoj se si shoqëri kemi nevojë për më shumë festivale që promovojnë mesazhe pozitive, bashkëpunim dhe zhvillim kulturor. ‘DokuFesti’ ka qenë gjithmonë një platformë që e shtyn shoqërinë përpara dhe shpresoj që këtë rol ta vazhdojë edhe në vitet që vijnë”, shton ajo

Këmbëngulja si politikë me “Mosbindje të vazhdueshme”

Tema e këtij edicioni - “Mosbindje e vazhdueshme” -  nuk  duket si zgjedhje e rastësishme. Në fakt, ajo mund të lexohet si përkufizim i vetë historisë së “DokuFestit”. Njëzet e pesë vjet më parë, festivali nisi në shi, pa siguri për të ardhmen dhe pa kushtet që zakonisht kërkohen për një institucion kulturor. Por dyert u hapën. Filmat u shfaqën. Dhe kjo vazhdoi. Gjer më sot. 

Manifestimi i sivjetmë e vendos këtë histori në kontekst më të gjerë. Bota vazhdon të jetë në krizë, luftërat vazhdojnë, strukturat e pushtetit mbeten të forta dhe “momenti perfekt” për të festuar ose për të vepruar nuk vjen kurrë. Prandaj, mosbindja këtu nuk nënkupton vetëm kundërshtimin. Por edhe refuzimin për të pritur.

“Njëzet e pesë vjet janë një moment krenarie. Është një çerek shekulli i ‘DokuFestit’ dhe, natyrisht, kemi pasur shumë arsye për të festuar. Kjo reflektohet edhe në programin e sivjetmë, te mysafirët që kemi ftuar dhe te njerëzit me të cilët duam ta ndajmë këtë jubile. ‘DokuFesti’ gjithmonë ka trajtuar tema komplekse, që lidhen me ndryshimet shoqërore në botë. Sivjet kemi dashur ta kthejmë vëmendjen pak më shumë te gëzimi, pa e harruar realitetin me të cilin përballemi, si në botë, ashtu edhe në vendin tonë”, thotë Eroll Bilibani, bashkëdrejtues i Forumit të Filmit të Shkurtër dhe udhëheqës i “DokuLab”.

“Shpresojmë që këto ditë të jenë ditë feste, por edhe një mundësi për të reflektuar mbi punën që është bërë gjatë këtyre 25 vjetëve. Është një rast për të parë se ku ka arritur kinematografia e Kosovës, për të cilën ndihemi jashtëzakonisht krenarë, si dhe për të krijuar edhe më shumë hapësirë për zhvillimin e autorëve të rinj dhe për ndërtimin e një programi sa më cilësor”, shprehet shprehur ai. 

Më tej, Bilibani e ka lidhur drejtpërdrejt këtë frymë me sloganin e edicionit: “Motoja e këtij edicioni është ‘Mosbindje e vazhdueshme’, ndërsa mesazhi përmbyllës është ‘Ende nuk e kemi kryer’. Kjo do të thotë se do të vazhdojmë, sepse përmes ‘DokuFest-it’ kemi arritur të nxisim ndryshime të rëndësishme shoqërore në qytet dhe më gjerë”.

Nga “festivali i gjeneratorëve” te qyteti kulturor

Historia e “DokuFestit” është, në njëfarë mënyre, edhe histori e transformimit të Prizrenit. 

“Kur filloi ‘DokuFesti’, ai njihej si festivali i gjeneratorëve dhe i filmit në një qytet pa kinema funksionale. Sot situata është krejtësisht ndryshe. Atëherë Prizreni kishte vetëm një hotel, ndërsa sot është shndërruar në një nga qytetet më të rëndësishme turistike në Kosovë, me një numër të madh hotelesh dhe vizitorësh”, ka thënë Bilibani.

“Mjafton të ecësh nëpër qytet për ta parë se sa shumë ka ndryshuar Prizreni. DokuFest-i ka pasur një ndikim të madh jo vetëm kulturor dhe shoqëror, por edhe ekonomik. Ai ka kontribuar në zhvillimin e qytetit dhe ka shërbyer si frymëzim për shumë iniciativa të tjera”, vijon ai në bashkëbisedën për KOHËN. 

Kjo është një nga paradokset interesante të një festivali kulturor. Një ngjarje që nisi si iniciativë e vogël dhe vullnetare ka ndikuar në zhvillimin e një qyteti. Ajo krijon arsye për të ardhur, për të qëndruar, për të takuar njerëz dhe për ta parë qytetin ndryshe.

“Që nga fillimi, DokuFesti ka qenë një përpjekje kolektive. Në këtë rast dua t'i falënderoj mijëra njerëz që gjatë këtyre viteve kanë qenë pjesë e festivalit, si staf, si vullnetarë apo si bashkëpunëtorë. Pa kontributin e tyre nuk do të kishim arritur aty ku jemi sot”, thotë Bilibani.

Por pikërisht për shkak të kësaj historie, mosbindja nuk është vetëm slogan, por edhe praktikë konkrete e aktivizmit.

“Përmes frymës së mosbindjes kemi arritur të mbrojmë asete të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe kinematografike, siç është Kinemaja Lumëbardhi. Përmes iniciativës për mbrojtjen e saj kemi ngritur vetëdijen edhe për rëndësinë e trashëgimisë kulturore të Prizrenit – për Kalanë, Hamamin dhe shumë hapësira të tjera publike”, thotë Bilibani tutje. 

Rikthimi te hapësira e mëparshme si akt nostalgjik

Edhe Grupi KOHA dhe “DokuFest”, një çerekshekull rrugëtim bashkë SOT Grupi KOHA dhe “DokuFest”, një çerekshekull rrugëtim bashkë

Në mbrëmje, “DokuFest” ndryshon sërish ritëm. Kinemaja dhe muzika bashkëjetojnë dhe qyteti bëhet hapësirë për një tjetër lloj zbulimi. “DokuNights” nuk është menduar vetëm si program argëtues, por si një tjetër mënyrë për të krijuar kujtesë kulturore.

“Si ‘DokuFest’ dhe ‘DokuNights’, gjithmonë jemi përpjekur të prezantojmë muzikë underground dhe artistë që nuk janë domosdoshmërisht pjesë e skenës komerciale. Synimi ynë ka qenë të sjellim emra që publiku ndoshta nuk i njeh ende, t’i prezantojmë në ‘DokuNights’ dhe t’i bëjmë pjesë të kujtesës muzikore të njerëzve”, thotë Leart Rama, kuator i programit “DokuNights”. 

“Shpesh ndodh që, vite më vonë, kur përmendet një artist, dikush thotë: ‘Atë e kam zbuluar në DokuNights.’ Pikërisht ky është një nga qëllimet tona. Një tjetër synim është të krijojmë një balancë mes artistëve më të mirë vendorë dhe artistëve ndërkombëtarë që janë aktivë në skenat evropiane dhe botërore. Besojmë se kjo është mënyra më e mirë për ta pasuruar programin dhe për t’i ofruar publikut përvoja të reja muzikore” shton ai. 

Jubileu i 25-vjetorit është, natyrisht, edhe një moment kthimi pas. Por Linda Llulla, drejtoresha e përgjithshme e festivalit, e sheh këtë kthim si një proces të kujtesës kolektive.

“Ky jubile pasqyron punën e të gjithë ekipit ndër vite. Kemi dashur të kthehemi në retrospektivë dhe t'i kujtojmë të gjithë ata që kanë qenë pjesë e DokuFest-it gjatë këtyre 25 viteve. Së shpejti do të publikojmë intervista me njerëzit që kanë kontribuuar në festival, me vizitorë të rregullt dhe me vullnetarë që kanë qenë pjesë e tij që nga fillimi”, thotë ajo. Sipas saj, ky edicion është festë e festivalit, festë e suksesit dhe e rrugëtimit 25-vjeçar. Kësaj here festa sërish ndodh në botën e mbushur me luftëra, tensione dhe pasiguri.

“Tema e këtij viti lidhet me 25-vjetorin e festivalit, por njëkohësisht pasqyron edhe realitetin e botës në të cilën jetojmë. Po shohim çfarë po ndodh në Iran, në Ukrainë, në Gaza dhe në shumë vende të tjera. Edhe në Evropë po përballemi me tensione dhe pasiguri. Është një kohë kur jeta nuk është e barabartë për të gjithë. Përmes filmave flasim për këto shqetësime dhe për botën në të cilën jetojmë sot. Megjithatë, fokusi kryesor i këtij edicioni mbetet shënimi i 25-vjetorit të ‘DokuFestit’”, thotë Llulla. 

Në këtë atmosferë, “DokuTalks” e merr rolin e një hapësire ku filmi nuk përfundon me titrat e fundit. 

Paneli “Hybrid cinema as political language”, i moderuar nga Dea Gjinovci, të shtunën pasdite ka nisur programin bashkëbisedimeve e diskutimeve. Ai e vendosi në qendër pyetjen se çfarë ndodh kur historia nuk është e plotë, kur arkivat janë të paarritshme dhe kur imazhet ekzistuese janë vetë produkte të pushtetit.

“Çfarë mund të bëjnë kineastët kur këto trashëgimi kulturore janë të paarritshme, ose kur duhet të vihen në pikëpyetje dhe të sfidohen? A mund të na ndihmojë kinemaja hibride, në njëfarë mënyre, të krijojmë narrativa të reja dhe hapësira të reja për ato gjëra që janë lënë jashtë?”, ka pyetur regjisorja Dea Gjinovci, e cila e ka moderuar këtë panel. 

Ajo ka prezantuar anëtaret e panelit: Sabine Groenewegen, artiste dhe kineaste, autore të “The Clearing”, film që trajton historinë e plantacioneve koloniale të gomës në Sumatra, Sanaz Sohrabi, artiste, hulumtuese dhe profesoreshë asistente në Concordia, autore të “An Incomplete Calendar”, Michael Barwise, regjisor dhe montazhier dokumentarësh nga Irlanda e Veriut, autor i “That Sanity Be Kept”; dhe Aurélia Martin, dizajnere dhe skenografe nga Parisi, e cila ka punuar në teatër, opera dhe film dhe ka bashkëpunuar me Gjinovcin në filmat e saj hibridë. Filmat e përmendur janë në garën zyrtare të “DokuFest”. 

Për Gjinovcin, kjo pyetje është veçanërisht e rëndësishme në kontekste ku trashëgimia historike nuk është gjithmonë e qasshme.

Sanaz Sohrabi ka folur për filmin e saj “An Incomplete Calendar” dhe për shumëllojshmërinë e materialeve mbi të cilat është ndërtuar ai.

“Filmi ka shumë forma të ndryshme. Kjo ndodh edhe sepse filmi punon me një fond arkivor që është jashtëzakonisht i larmishëm. Ka revista dhe botime nga Irani, nga bota arabe, nga Amerika Latine, si dhe pulla postare, letra, intervista dhe pamje të xhiruara në terren. Pra, vetë materiali i filmit e kërkonte këtë shumëllojshmëri formash. Dhe, për shkak të pranisë së të gjitha këtyre materialeve të ndryshme arkivore, doja vërtet ta tregoja edhe procesin e ndërtimit të kësaj marrëdhënieje me to”, ka thënë ajo. 

Kur arkivi është propagandë

Sabine Groenewegen e ka çuar këtë pyetje në një lloj alarmi. 

“Mendoj se, në rastin e ‘The Clearing’, ose të filmit që në fund u bë ‘The Clearing’, në të vërtetë nuk ekziston një arkiv zyrtar. Filmi fokusohet në historinë e viteve 1910 dhe 1920, në plantacionet koloniale të gomës nën sundimin kolonial holandez. Dhe, pa hyrë në një kurs të tërë historie, sipas mendimit tim, kjo ishte një periudhë në të cilën skllavëria u riemërtua si punë e detyruar, ndërkohë që praktikat e skllavërisë vazhduan deri në fund të viteve ’40”, ka treguar ajo. 

 “Unë i shoh këta filma vërtet si propagandë që vepronte kundër strukturave të solidaritetit dhe të së vërtetës, të cilat kanë ekzistuar gjithmonë”, është shprehur ajo më tej. 

Groenewegen e ka shpjeguar këtë edhe përmes kërkimit për materiale që janë lënë jashtë.

“Pastaj fillon kërkimi për të gjitha burimet e tjera që janë relevante për të folur rreth kësaj historie: jo vetëm arkivat zyrtare, por edhe historia gojore, gjurmët e përvojave të grave, si dhe një sasi e madhe materialesh të ruajtura në dokumente të shkruara, pamflete, manifeste dhe materiale të tjera”, ka thënë ajo më tej. 

Në filmin e Michael Barwise, pyetja zhvendoset nga arkivi te vëzhgimi, siç shpjegon ai. 

“Mua më interesonte shumë ideja e tij, pra fakti që vitet ’90 ishin një periudhë drejt fundit të konfliktit në Veri dhe ekzistonte kjo gjendje ku njerëzit ishin aq të mësuar të vëzhgoheshin dhe të regjistroheshin nga shteti britanik, nga ushtria britanike. Dhe pastaj pyetja ishte: çfarë të bën kjo si person? Në kuptimin që je gjithmonë i vetëdijshëm se po të shikojnë, se po të vëzhgojnë”, ka thënë ai.

Kjo çështje e rikrijimit të kujtesës pa pretenduar se po rikrijohet mekanikisht historia u lidh në panel me përvojën e Gjinovcit në realizimin e “The Beauty of the Donkey”, film i bazuar në kujtimet e babait të saj për fëmijërinë në një fshat të Kosovës gjatë një periudhe represioni.

Aurélia Martin, dizajnere e kostumografe, është pjesë e ekipit të realizimit të filmit. Ajo e ka përshkruar procesin përmes teatrit dhe bashkëkrijimit me banorët e fshatit.

“Për filmin e Deas, ne punuam me teatrin dhe skenën teatrale. Kjo do të thotë se vendosëm një skenë teatrale në fshat dhe të gjitha pjesët fiktive u luajtën nga vetë banorët e fshatit. Ata luajtën personazhet e asaj kohe. Ne shikonim dokumentarë ose imazhe të shtëpisë, të odës, që është një hapësirë tipike e shtëpive tradicionale në Kosovë, dhe menduam: ‘Në rregull, duam të rindërtojmë diçka që i ngjan një skenografie historike”, ka thënë ajo. 

Por, sipas, saj, para se të rindërtosh diçka, duhet të riparosh. 

“Ideja e riparimit ishte jashtëzakonisht e rëndësishme gjatë gjithë procesit të punës. Ne nuk erdhëm me një skenografi të gatshme që e kishim ndërtuar në Prishtinë, Paris apo Gjenevë. Përkundrazi, kaluam javë dhe muaj në fshat, duke punuar dhe duke krijuar së bashku me banorët. Të gjitha materialet i gjetëm në vetë fshatin dhe shumë prej tyre na i dhanë banorët. Pra, ishte një skenografi shumë lokale, e bazuar në materialet dhe objektet e vendit”, ka thënë ajo më tej. 

“Mosbindje e vazhdueshme” duket më shumë si një metodë pune sesa si temë vjetore. Ajo shfaqet edhe në vetë idenë e kinemasë hibride. Ashtu që  kur një formë nuk mjafton, krijohet një tjetër.

Drejtori artistik, Veton Nurkollari, e lidh këtë edhe me përvojën historike të Kosovës dhe me realitetin e luftërave të sotme.

“Ne nuk duhet ta harrojmë atë që kemi përjetuar. Nuk është se duhet të jetojmë vazhdimisht me luftën, por ne e kemi kaluar atë dhe nuk është e lehtë të shohësh se luftërat dhe tragjeditë vazhdojnë të shtohen në botë. Pikërisht për këtë arsye në festival sjellim filma që trajtojnë këto tema”, thotë ai. 

Dokumentari si çmontues i fashizmit

Dhe më pas e vendos dokumentarin në pozicion të drejtpërdrejtë politik duke thënë se dokumentari ka fuqinë të mposht fashizmin. 

“Unë besoj se është e vërteta ajo që e mposht fashizmin. Ideologjitë fashiste ushqehen nga gënjeshtra dhe manipulimi, ndërsa dokumentari, kur i qëndron besnik së vërtetës, ka fuqinë t'i sfidojë dhe t'i çmontojë ato. Për këtë arsye besoj se dokumentari është një nga mjetet më të fuqishme kundër fashizmit”, ka konsideruar Nurkollari. 

Edhe Nis edicioni i 25-të i “DokuFestit” Kulturë Nis edicioni i 25-të i “DokuFestit”

Sot, ‘DokuFest’ feston një çerek shekulli jo duke pretenduar se gjithçka është bërë, por duke këmbëngulur se ende ka punë. Se fashizmi dhe krejt 

“izmat” duhet vazhduar të luftohen. Midis të tjerash siç bën edhe “DokuFest” tash e 25 vjet. Me dokumentar e filma që aktivizimin e kanë identitet.