“DokuFest” mbush njëzetepesë vjet këtë vit. Për nëntë ditë në fillimgusht, qyteti i vjetër i Prizrenit bëhet një kinema e gjatë: 224 filma në një duzinë vendesh, të zgjedhur nga një rekord prej 3,687 aplikimesh. Ajo që filloi në vitin 2002 si një plan për të shpëtuar kinematë në vdekje të qytetit tani është festivali përcaktues i dokumentarëve në Ballkan. Ndërkohë, ky material tregon se si Grupi KOHA, ndër vite ka qenë pranë këtij festivali në çdo edicion.
Kur në verën e vitit 2002 një grup të rinjsh vendosën të ngrinin një ekran të hapur në Prizren, pakkush do të imagjinonte se ajo nismë do të shndërrohej në festivalin më të njohur të filmit në Kosovë.
Nga një aktivitet i vogël me projeksione në hapësira të improvizuara, festivali u rrit vit pas viti, derisa u shndërrua në një ngjarje që e bën Kosovën një pikëtakim ndërkombëtar të artistëve, regjisorëve dhe dashamirëve të filmit.
Në këtë rrugëtim, Grupi KOHA, përveç raportimit, ka qenë një dëshmitar dhe mbështetës i rritjes së tij.
Që në edicionet e para, raportuesit dhe kamerat e KOHËS kanë qenë të pranishme në rrugët e Prizrenit, në kinematë, diskutimet me regjisorë e artistë dhe në çdo moment që ka shënuar historinë e “DokuFestit”.
Sot, pas më shumë se një dekade, rikthehen ata që e prezantuan, realizuan kronikat, lidhjet direkte e intervistat, për të rrëfyer emocionet, energjinë e atmosferën unike që e karakterizoi këtë festival.
Edhe
Çerekshekulli i aktivizmit me qytet paralel të filmit
Gazetari dhe aktivisti nga Prizreni, Fisnik Minci kujton shtojcën “DokuDaily” dhe “DokuKronika” si dy platformat që e afruan festivalin me publikun.
“Çerekshekulli i ‘DokuFestit’ natyrisht se lidhet edhe me ecjen e përbashkët me Grupin KOHA që ka mundësuar informimin e audiencës së gjerë lidhur me aktivitetet përgjatë festivalit, përgjatë më shumë se një dekade d.m.th. ka qenë një bashkëpunim i ngushtë ndërmjet Grupit KOHA dhe ‘DokuFestit’, qoftë me “Doku Kronika”, qoftë me “Doku Daily” që atëherë ka qenë një shtojcë që ka dalë gjatë ditëve të festivalit bashkë me ‘Koha Ditore’ edhe e tëra kjo ka mundësuar që publiku vendor por edhe ai ndërkombëtar të informohet lidhur me aktivitetet që ndodhin lidhur me ‘DokuFestin’ por ka qenë edhe një platformë që filmbërësit e ndryshëm kanë prezantuar filmat, edhe punën, edhe karrierën e tyre në emisionet e ndryshme të Grupit KOHA”, thekson Minci.
“Puna e gazetarit gjithmonë lidhet me afatet kohore edhe si gjithnjë edhe kjo ka qenë njëra prej sfidave të mëdha meqenëse është dashur në kohë të kufizuar për t’i kryer dhe për t’i përcjellë shumë aktivitete mirëpo e tërë kjo është bërë me kënaqësi edhe duke e parë rezultatin në fund ajo ma ka mundësuar që të angazhohem më shumë në këtë drejtim”, shton ai.
Minci thotë se gjithmonë është emocionuese, siç thekson, “sidomos kur përçon rrëfime të ndryshme prej filmbërësve të ndryshëm nga vende të ndryshme të botës duke sjellë rrëfime autentike për ndodhitë gjithandej botës por edhe punën e guximshme të shumë filmbërësve, të shumë krijuesve, të cilët kanë frymëzuar edhe kolegët lokalë në mënyrë që të ndjekin ata hapa dhe të bëjnë punë të rëndësishme”.
“Për mua ka qenë një ndjenjë e veçantë duke qenë se prej pandemisë e këtej nuk ka më gazeta të shtypura kanë mbetur si njëfarë pengu por ka qenë kënaqësi në të njëjtën kohë për tërë ato vite të krijosh një format të tillë të raportimit”, deklaron ai.
Edhe ish-producenti ekzekutiv i “Kohavisionit”, Dardan Selimaj, i cili gjatë kohës sa ka qenë pjesë e Grupit KOHA ka përcjellë 18 edicione, thotë që sa ka qenë sfiduese, aq ka qenë edhe kënaqësi.
“DOKUFESTI 25 vjet ka rrugëtuar bashkë me KOHËN që prej fillimit, qysh në fillim në nuk kam qenë pjesë e KOHËS, kam qenë shumë më i ri, kam qenë diku në shkollë të mesme, edhe kam mundur ta përcjell prej ekranit reportazhe të cilat janë transmetuar në emisionet e ‘Kohavisionit’ ose artikuj të cilët janë transmetuar në KOHA. Në 2005 kur unë jam bërë pjesë e Grupit KOHA, në dy vjetët e parë raportimi ka qenë i integruar në emisionet ekzistente, ‘Express{, emisioni i mëngjesit, edicionet qendrore të lajmeve dhe jo vetëm, edhe në 2005/2006 nuk ka pasur një emision të veçantë për ‘DokuFest’, që më vonë është krijuar dhe është quajtur ‘DokuKronika’, e atëherë kur është krijuar ka qenë prej momenteve më sfiduese për mua, unë kam qenë gazetar i ri dhe kam pasur fatin që të realizoj emisionin i cili i dedikohet festivalit, është transmetuar në orën 23.00, edhe për rreth një orë kemi bërë intervista me muzikantë, ‘DokuNights’, edhe jurinë. Më pastaj ajo ka vazhduar ashtu, është zhvilluar, më pastaj terminët kanë ndryshuar po gjithmonë kanë zënë vend nga dita e parë e festivalit deri në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Fillimisht kam qenë vetë e më pas kanë vazhduar të shtohen anëtarë në ekip. Secili anëtar tjetër i ekipit që i është shtuar emisionit i ka shtuar edhe ngjyra të tjera”, thekson Selimaj.

Ai vlerëson shumë përkrahjen mediale ndaj “DokuFestit” në atë kohë.
“Nga 25 vjet të ‘DokuFest’, më ka rënë të i përcjell 18 edicione, natyrisht KOHA e ka përcjellë në çdo edicion të saj. Mbështetja mediale ka qenë shumë e rëndësishme për shkak se festivali në atë kohë ka qenë jo shumë i popullarizuar siç është sot natyrisht por në të njëjtën kohë sot është shndërruar në një prej festivaleve më të rëndësishme në botë, për ne ka qenë nder të rritemi bashkë me këtë festival, më vjen mirë që e kam pasur këtë mundësi, bashkë me KOHËN jam rritur dhe kam mësuar më shumë rreth këtij festivali dhe të intervistoj edhe njerëz që kanë lënë gjurmë, regjisorë, skenaristë por edhe muzikantë. Disa prej intervistave që më kanë mbetur në kokë dhe mendje janë intervista me regjisorin iranian, fotografin... ka pasur shumë... janë intervista të cilat unë i veçoj shumë në karrierën time në gazetari”, deklaron Selimaj.
“Kanë qenë 10 ditë qëndrimi në Prizren, jo në Prishtinë, raportimi në kushte e rrethana jo të televizionit, jo në kohën e digjitalizimit... por ndoshta krejt këto e kanë bërë dhe e kanë dalluar prej emisioneve të tjera, andaj ka qenë i veçantë”, shton ai.
Edhe
Gjithçka gati për nisjen e “DokuFestit” në Prizren
Pak vite më vonë, Dardan Selimaj ftoi gazetaren Ana Rrustemi të bëhej prezantuese e “DokuKronikës”.
Për shtatë edicione me radhë ajo e jetoi festivalin nga afër, duke raportuar çdo ditë nga Prizreni.
“Në qershor 2012 fillova zyrtarisht të punoj në KTV, gazetare, e re, me proteza duke mos e njohur shumë botën mediale, por kisha përvojë në Klan. Kur erdha këtu, u shndërrua direkt edhe emisioni i mëngjesit e mori emrin ‘SOT’ edhe me shumë çika, nga një moderatore u bënë 4/5. Nuk shkuan dy muaj, edhe nisi ‘DokuFest’, edhe më thërret Dardani e më thotë ‘Ana, sivjet, ti do të vish dhe do ta udhëheqësh ‘DokuKronikën’. Unë në atë kohë e përcjellja vetëm prej banesës sime dhe nuk kisha shumë përvojë”, thekson RRustemi
“Ne kemi shkuar me ekipin e KTV-së, 13 veta kemi qenë atje, kemi bujtë atje, në çdo vit kur kemi shkuar kanë thënë erdhi KTV-ja. Problemin e vetëm e kemi pasur gjumin sepse ne kemi qenë gjithë kohën me kamera on, kemi xhiruar gjithmonë, kemi realizuar intervista me vendorë e ndërkombëtarë. Kemi ngelur ndoshta deri në 5 në mëngjes sepse ‘DokuFest’ ka edhe festivalin e muzikës, kemi flejtë dy tre orë dhe është dashur të zgjohemi herët në mëngjes me u lidhë me emisionin e mëngjesit, ne kemi qenë dritarja, që kemi tregu se çka i pret sot në ‘DokuFest’”, shton ajo.
Producentja ekzekutive e KTV-së, Rea Surroi, thotë se që nga dita e parë, “Kohavisioni” ka qenë pjesë e pandashme e “DokuFestit”, duke e përcjellë festivalin në televizion dhe në faqet e “Koha Ditore”, përmes shtojcës “DokuDaily”.
“Në vitin 2002, në një realitet mjaft të brishtë, ekonomik, politik, me siguri të paktë, është themeluar ‘DokuFesti’ në qytetin e Prizrenit dhe prej asaj dite ‘Kohavisioni’ ka qenë aty. Çka nënkupton kjo, d.m.th. ne kemi qenë përgjatë këtyre 25 vjetëve e kemi përcjellë çdo edicion të këtij festivali, duke filluar prej televizionit, që nënkupton mbulim televiziv, pra hapjen e festivalit, qëndrimin atje gjatë gjithë kohëzgjatjes së festivalit, duke përcjellë atje të gjitha segmentet e festivalit, ekspozitat, diskutimet, mbrëmjet muzikore, shfaqjet e dokumentarëve në vende të ndryshme në qytetin e Prizrenit, bisedimet me filmbërës, artistë të njohur që vijnë nga e gjithë bota, pra kjo nënkuptonte përcjelljen televizive të ‘DokuFestit’, ndërsa, përderisa e kemi pasur edhe ‘Koha Ditore’ pra, gazetën ne kemi pasur edhe shtojcën e cila është bërë posaçërisht për këtë festival pra ‘DokuDaily’, por kur është ndërprerë shtypja e gazetës është ndërprerë edhe kjo. Kjo nënkupton përkrahjen që ia kemi bërë ne DOKUFESTIT si një ngjarje e rëndësishme kulturore në vend gjatë gjithë këtyre viteve”, deklaron Surroi.
Ajo kujton se bashkë me festivalin ndryshoi edhe teknologjia e raportimit, por jo përkushtimi i ekipit, i cili çdo vit sillte në ekran jo vetëm agjendën, por edhe atmosferën dhe energjinë e “DokuFestit”.
“Pra, gjatë 25 vjetëve, një çerekshekulli, kemi kaluar në etapa të ndryshme të zhvillimit teknologjik, si ‘Kohavisioni’ ashtu edhe ‘DokuFesti’, pra mënyra e transmetimit të lajmeve ka ndryshuar mjaft gjatë këtyre viteve, gjatë kohës kur e kemi përcjellë, në kohën kur interneti ishte më i ngadalshëm, me pak i avancuar, duhej të barteshin të gjitha storjet brenda ditës, të merrej materiali në vendin e ngjarjes, pra ne shkonim me ekipin tonë pothuajse 20 vetë prej kombit të regjisë dhe aty për aty edhe editoheshin materialet të cilat pastaj barteshin në formën klasike në atë kohë teknologjia nuk ishte shumë e avancuar përderisa tash është thjeshtësuar mjaft, mos të them aty për aty por brenda minutave montohet dhe transmetohet. Kjo është një gjë shumë e rëndësishme që ne të ishim prezentë dhe lidheshim çdo natë dhe sillnim atmosferën, përmbledhjet e ngjarjeve që ndodhnin atë ditë., d.m.th. ishin çdo herë të përpiktë. Çka vlen të ceket është që përmes ekraneve tona, gjithashtu edhe përmes gazetës ne mundoheshim të sillnim jo vetëm agjendën, por edhe atmosferë. Para 15,20 edhe ekipi që mbulonte këto ngjarje ishin në të 20-at, në moshë të re dhe ne sillnim atë energji, atë vullnet të madh dhe atë entuziazëm”, shton Surroi.
Një moment i veçantë, sipas saj, ishte edhe pjesëmarrja e “Kohavisionit” në edicionin e vitit 2014 me filmin “Brenda ka dritë”, i cili garoi në kategorinë “Balkan Docs”.
“Në vitin 2014, ‘Kohavision’ mori pjesë në ‘DokuFest’ me filmin që ne vetë e prodhuam ‘Brenda ka dritë’ jeta dhe punimi artistik i artistit Labinot Halilaj i cili tashmë gëzon famë botërore, atë e shfaqëm në festivalin e ‘DokuFestit’, ne garuam në garën ‘BalkanDocs’ dhe ajo ishte një emocion i vërtetë”, thekson Surroi.
Edhe
“DokuFest” në prag të çerekshekullit me filmin si kujtesë e mosbindje
Një çerekshekull më vonë, “DokuFest” vazhdon të sjellë në Prizren filmbërës e rrëfime nga e gjithë bota.
E bashkë me të, KTV mbetet aty ku ka qenë që nga fillimi, për ta dokumentuar çdo edicion të festivalit që tashmë është bërë pjesë e identitetit kulturor të Kosovës.