Në mbledhjen e së mërkurës mbrëma Qeveria në detyrë ka marrë vendim që të mbështesë festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër me 100 mijë euro. “DokuFest” sivjet ka mbështetje prej 97 mijë eurosh nga Ministria e Kulturës, dhe me vendimin e fundit, mbështetja nga niveli qendror shkon në 197 mijë euro.
“Kjo mbështetje financiare përbën investim të drejtpërdrejtë në promovimin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës, duke qenë se festivali tërheq çdo vit artistë, profesionistë të industrisë së filmit, media dhe vizitorë nga vende të ndryshme, si dhe krijon hapësirë për prezantimin e krijimtarisë, kulturës dhe identitetit të Kosovës para publikut ndërkombëtar”, shkruhet në njoftimin e Qeverisë pas mbledhjes elektronike. Sipas Qeverisë, përmes reputacionit dhe shtrirjes së tij ndërkombëtare, “DokuFest” ndikon në forcimin e imazhit të Kosovës si një vend me skenë kulturore dinamike, shoqëri të hapur dhe potencial të rëndësishëm turistik e kreativ, duke kontribuar njëkohësisht në diplomacinë publike dhe kulturore të vendit.
“DokuFest” që këto ditë po mban edicionin e 25-të në Prizren sivjet është ankuar për përkrahje jo të duhur nga niveli lokal, Komuna e Prizrenit. Madje kjo është përmendur edhe në hapje të Festivalit, të premten e javës së kaluar. Ndonëse ulësja ishte e rezervuar për kryetarin Shaqir Totaj, ai nuk mori pjesë në ceremoninë e hapjes së “DokuFestit”.
“Komuna e Prizrenit mund të na mbyllë dyert, mund të na ndërpresë fondet, por nuk mund ta ndalë ‘DokuFestin’", ka thënë në ceremoninë e hapjes drejtori artistik i Festivalit, Veton Nurkollari.
Motoja zyrtare e sivjetme, “Doku, sepse duhet!” dhe tema “Persistent Defiance” (Mosbindje e vazhdueshme), e ka vendosur edicionin jubilar në një kontekst shumë më të gjerë sesa vetë arti filmik. Organizatorët e shohin këtë përvjetor jo si një rast për vetëlavdërim, por si një reflektim mbi kohën në të cilën jetojnë – një kohë luftërash, autoritarizmi, fashizmi në rritje dhe krizash globale. Në këtë kontekst, filmi nuk mbetet vetëm medium artistik, por shndërrohet në akt rezistence, kujtese dhe reflektimi.
Edicioni jubilar do të zgjasë deri më 15 gusht dhe do ta shndërrojë sërish Prizrenin në një qytet ku kinemaja takohet me jetën publike. Nga 3 mijë e 687 aplikime nga e gjithë bota, ekipi programues ka përzgjedhur 104 filma në konkurrencë, të ndarë në tetë kategori zyrtare, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e tyre do të shfaqen si premiera botërore.
Përtej konkurrencës, publiku do të ketë mundësi të ndjekë programe speciale filmike, retrospektiva autorësh, diskutime me regjisorë, panele, aktivitete të industrisë së filmit, programet edukative të ‘DokuLabit’, ‘DokuTalks’, ‘DokuKids’ si dhe koncertet tradicionale të ‘DokuNights’ që çdo mbrëmje e zgjasin atmosferën e festivalit deri në orët e vona. Kështu, edhe këtë vit, “DokuFest” mbetet shumë më tepër sesa një festival filmi: ai është një përvojë kolektive që e bën qytetin të marrë frymë në ritmin e kinemasë.
-
Tri vepra të Banksyt i kushtojnë Britanisë mbi 170 mijë euro t’i mirëmbajë
-
Komuna i kërkon Ministrisë së Kulturës bashkëpunim për sallën koncertale
-
Rrëfimet e përballjes me plagët, kujtesën e realitetin në garën kombëtare të “DokuFestit”
-
Anija mbi 2000-vjeçare pasuron gjetjet arkeologjike në Itali
-
Rrëfimet me pikëpyetje për fenë, familjen e migrimin në “DokuFest”