Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“DokuFest” në prag të çerekshekullit me filmin si kujtesë e mosbindje

DokuFest

Për të dytin vit me radhë, festivali është detyruar të funksionojë pa njërën prej hapësirave më simbolike të tij. Përveç kësaj, sivjet mungon edhe përdorimi i Kalasë, e cila është mbyllur pjesërisht pasi është konstatuar se paraqet rrezik

Prizreni pret edicionin e 25-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Festivali këtë vit vjen si festë e arritjeve të një çerekshekulli, por edhe si reflektim mbi sfidat me të cilat është përballur. Me temën “Doku sepse duhet” dhe me moton “Mosbindje e vazhdueshme”, organizatorët thonë se festivali vazhdon të jetë një hapësirë për film, debat dhe rezistencë kulturore

Gjithçka është gati që Prizreni edhe një herë të shndërrohet në një nga qendrat më të rëndësishme të filmit dokumentar në rajon. Me ceremoninë e hapjes sonte (e premte) në kinemanë e improvizuar mbi rrjedhën e “Lumbardhit”, nis edicioni i 25-të i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.

Edicioni i sivjetmë vjen nën moton “Doku se duhet”, një temë që kthehet te vetë historia e festivalit, te rrugëtimi i tij 25-vjeçar dhe te nevoja për të reflektuar mbi kohën në të cilën jetojmë. Përmes 223 filmave në garë dhe jashtë saj, “DokuFest” sivjet sjell histori nga vende të ndryshme të botës, duke trajtuar luftën, kujtesën, migrimin, identitetin, mjedisin dhe pasojat e krizave globale.

Por, përtej festës së çerekshekullit, edicioni i sivjetmë është shoqëruar edhe me sfida të shumta. Mungesa e disa prej hapësirave tradicionale të festivalit, si kinemaja “Lumbardhi” dhe Kalaja e Prizrenit, si dhe reduktimi i mbështetjes financiare nga Komuna e Prizrenit, kanë bërë që organizatorët të rishikojnë disa pjesë të programit.

Por përtej sfidave, organizatorët kanë thënë se ky do të jetë edicion i festës, por edhe i qëndresës.

Mungesa e hapësirave identifikuese

Edhe “DokuFesti” nis festën e çerekshekullit me “Mosbindje të vazhdueshme” Kulturë “DokuFesti” nis festën e çerekshekullit me “Mosbindje të vazhdueshme”

Drejtoresha e përgjithshme e “DokuFest”, Linda Llulla, ka bërë të ditur se përgatitjet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe se festivali është gati për të pritur publikun.

Ceremonia e hapjes do të mbahet në “Kino Lumi”, një hapësirë e krijuar mbi lum pasi kinemaja “Lumbardhi” që kishte pritur organizimin e Festivalit që nga fillimi i tij më 2002, vazhdon të jetë jashtë funksionit për shkak të renovimit.

“Po, jemi gati. Tashmë po i përfundojmë vetëm disa detaje të vogla, por në përgjithësi gjithçka është gati. Programi është përfunduar, që është edhe pjesa më e rëndësishme. Të premten në mëngjes fillojnë përgatitjet për ceremoninë e hapjes, e cila këtë vit do të mbahet në ‘Kino Lumi’, pasi edhe këtë vit nuk e kemi në dispozicion kinemanë ‘Lumbardhi’. Pas ceremonisë së hapjes, të gjitha kinematë do të nisin menjëherë me shfaqjet dhe programin e planifikuar”, ka thënë Llulla.

Për të dytin vit me radhë, festivali është detyruar të funksionojë pa njërën prej hapësirave më simbolike të tij. Përveç kësaj, sivjet mungon edhe përdorimi i Kalasë, e cila është mbyllur pjesërisht pasi është konstatuar se paraqet rrezik.

“Në total, këtë vit kemi dy kinema në ambient të hapur – ‘Kino Lumi’ dhe “Platoja” – si dhe katër kinema të mbyllura. Për shkak të mungesës së hapësirave, por edhe të mbështetjes së pamjaftueshme financiare, jemi detyruar ta zvogëlojmë programin”, ka thënë Llulla.

Sipas saj, reduktimet kanë prekur disa segmente të festivalit, por jo thelbin e tij.

“Sivjet kemi më pak filma sesa në vitet e kaluara dhe kemi reduktuar disa programe, përfshirë ‘DokuNights’. Publiku ndoshta nuk do ta vërejë këtë ndryshim, por ne e dimë se, për shkak të sfidave infrastrukturore dhe financiare, jubileu ynë i 25-vjetorit është organizuar në përmasa më të vogla nga sa kishim planifikuar”, ka thënë ajo.

Një nga shqetësimet kryesore të organizatorëve mbetet edhe mungesa e mbështetjes financiare nga Komuna e Prizrenit.

“Ne ende nuk i kemi marrë mjetet e subvencionit të vitit të kaluar, edhe pse ato është dashur të paguheshin deri në fund të vitit 2025. Aktualisht, Komuna e Prizrenit na ka borxh 51 mijë euro. Për këtë vit na janë ndarë vetëm 30 mijë euro, edhe pse kemi bërë ankesë, por ankesa nuk është marrë parasysh”, ka deklaruar Llulla.

Ajo ka thënë se ende nuk është nënshkruar kontrata për subvencionimin e këtij viti.

“Nuk e di arsyen e këtij vendimi. Për këtë duhet të flitet me kryetarin e komunës. Ai vazhdimisht deklaron se ‘DokuFest’ është shumë i rëndësishëm, por kur vjen puna te veprimet konkrete dhe mbështetja financiare, kjo rëndësi nuk reflektohet”, ka thënë Llulla.

Shumë arsye për festë dhe mosbindje

Për drejtorin artistik të festivalit, Veton Nurkollari, fakti që “DokuFest” ka arritur në 25-vjetorin e tij është në vetvete arsye për festë.

“Natyrisht që është festë. Nuk është pak të organizosh një festival për 25 vjet me radhë dhe ta sjellësh në nivelin ku është sot ‘DokuFesti’. Sinqerisht, para 25 vjetësh nuk e kemi menduar se do të arrinim deri këtu. Koha ka kaluar shpejt dhe sigurisht që këtë jubile do ta festojmë. Të organizosh një festival në një vend si Kosova dhe të sjellësh filma dokumentarë është në vetvete një akt politik. E kam thënë shpesh këtë, sepse filmi dokumentar është një akt politik”, ka thënë Nurkollari.

Por, sipas tij, vetë ekzistenca e një festivali të tillë në Kosovë është edhe një deklaratë që tejkalon artin.

“Të organizosh një festival në një vend si Kosova dhe të sjellësh filma dokumentarë është në vetvete një akt politik. E kam thënë shpesh këtë, sepse filmi dokumentar është një akt politik”, ka thënë ai.

Slogani i sivjetmë, “Mosbindje”, sipas Nurkollarit, lidhet drejtpërdrejt me situatën në të cilën ndodhet festivali.

“Slogani i sivjetmë, ‘Mosbindje’, lidhet me situatën në të cilën ndodhet festivali këtë vit dhe me pamundësinë që ta festojmë 25-vjetorin ashtu siç e kishim planifikuar. Arsyeja kryesore është një raport i ndërlikuar me Komunën e Prizrenit. Për shkaqe që ende nuk na janë bërë të ditura, mbështetja financiare nga komuna është përgjysmuar, madje më shumë se përgjysmuar, pa asnjë arsyetim të mirëfilltë. Edhe ankesa jonë është refuzuar pa ndonjë shpjegim bindës”, ka thënë ai.

Programi i sivjetmë sjell filma që trajtojnë disa nga temat më të ndjeshme të kohës.

“Do të shfaqim, për shembull, një film që ka të bëjë me historinë e tre mjekëve në Gaza, një tjetër për të mbijetuarit në Ukrainë dhe shumë histori të tjera nga vende të ndryshme të botës. Festivale si ‘DokuFest’ duhet të jenë vende ku jo vetëm shihen filma, por edhe diskutohen çështjet që ata trajtojnë”, ka thënë Nurkollari.

Edhe Nis edicioni i 25-të i “DokuFestit” Kulturë Nis edicioni i 25-të i “DokuFestit”

Ka thënë se është jashtëzakonisht i larmishëm. 

“Ai përfshin filma për luftën dhe pasojat e saj, për mjedisin, për histori personale dhe për shumë tema të tjera. Kemi gjithashtu një numër të madh filmash të shkurtër, shumë prej tyre fitues në festivalet më prestigjioze të botës, përfshirë Festivalin e Kanës. Besoj se secili do të gjejë filma që i përshtaten interesimeve të tij”, ka thënë Nurkollari. 

Një prej mysafirëve kryesorë të këtij edicioni është regjisori dhe historiani i filmit Mark Cousins, i cili do të prezantojë pjesë nga projekti i tij më i fundit dhe do të mbajë një ligjëratë për historinë e kinemasë dokumentare.

Programet me rrëfime nga i gjithë globi

Producentja e festivalit, Alba Çakalli, ka bërë të ditur se këtë vit publiku do të ketë mundësi të ndjekë 223 filma në disa lokacione të festivalit.

“Sivjet kemi përzgjedhur gjithsej 223 filma që do të shfaqen në kinematë e festivalit. Pjesa më e madhe e festivalit do të zhvillohet në qendrën historike të Prizrenit”, ka thënë ajo.

Ndër risitë e këtij edicioni është “VR Cinema”, një program që do t’i mundësojë publikut të përjetojë filmin përmes teknologjisë virtuale.

“Në Shtëpinë e Kulturës do të funksionojnë dy kinema të rregullta. Po ashtu, sivjet sjellim një program të ri – ‘VR Cinema’, ku publiku do të ketë mundësi të përjetojë filma përmes pajisjeve VR (headsets), duke ofruar një eksperiencë krejtësisht ndryshe të shikimit”, ka thënë Çakalli.

Ajo ka përmendur edhe rikthimin e “DokuNights” në “Andrra Stage”, ndërsa ka theksuar rëndësinë e vullnetarëve në historinë e festivalit.

“Çdo vit kemi një rritje të numrit të aplikimeve për vullnetarë. Për shkak të kapaciteteve tona, nuk mund t'i pranojmë të gjithë, edhe pse dëshira është e madhe. Edhe unë vetë kam qenë vullnetare në DokuFest dhe e di se çfarë ndjenje krenarie është të jesh pjesë e festivalit. Vullnetarët janë shtylla kryesore e ‘DokuFest-it’. Pa ta nuk do të ishte realizuar as ky edicion dhe asnjë nga 24 edicionet e mëparshme”, ka thënë ajo.

Edhe programi muzikor rikthehet në një hapësirë simbolike. Kuratori i “DokuNights”, Leart Rama, ka thënë se kthimi në “Andrra Stage” lidhet drejtpërdrejt me kujtesën kolektive të festivalit.

“Jemi shumë të lumtur që sivjet kemi arritur ta rikthejmë DokuNights në Andrra Stage, aty ku ka filluar gjithçka dhe ku lidhen shumë prej kujtimeve tona më të bukura. Arsyeja kryesore për këtë rikthim është 25-vjetori i ‘DokuFest-it’. Kemi dashur t’i rikthehemi kujtesës sonë kolektive dhe ta kujtojmë se çfarë ka qenë ‘DokuFesti’ ndër vite. Na është dukur shumë e rëndësishme që, të paktën këtë vit, ta rikthejmë ‘’Andrra Stage’. Kjo nuk do të thotë se edhe në të ardhmen nuk do të ndryshojmë lokacion, por për këtë jubile kemi menduar se të gjithë e meritojmë ta festojmë sërish aty”, ka thënë Rama.

Ndërkohë, Forumi i Filmit të Shkurtër vazhdon sivjet me edicionin e dytë duke ardhur më i zgjeruar kësaj here.

Sipas Eroll Bilibanit, bashkëdrejtues i këtij Forumi, suksesi i edicionit të kaluar ka krijuar bazën për një program më të madh me projekte nga rajoni dhe Evropa.

“Mund të them se pilotimi i vitit të kaluar ishte shumë i suksesshëm. Ishte një test për të parë se si mund të krijojmë një platformë që lidh mekanizmat e financimit, koproduksionit dhe zhvillimit të filmit të shkurtër. Vitin e kaluar në forum morën pjesë projekte nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Skocia ishte shteti mysafir. Rezultatet ishin shumë inkurajuese”, ka thënë Bilibani.

Ka thënë se edicioni i parë i Forumit kishte rezultuar shumë i suksesshëm. 

“Vitin e kaluar në forum morën pjesë projekte nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Skocia ishte shteti mysafir. Rezultatet ishin shumë inkurajuese. Projekti ‘Kush po këndon?’ i Ana Morinës, që fitoi në forum, u prezantua më pas në Torino dhe gjeti koproducent në Kroaci. Filmi trajton rezistencën e grave gjatë viteve '90 dhe ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për autoren. Po ashtu, Flaka Kokolli, me projektin e saj, mori pjesë në Clermont-Ferrand, festivalin më të madh të filmit të shkurtër në botë, ku gjeti partnerë të rinj ndërkombëtarë dhe po zhvillon negociata për koproduksione të reja”, ka thënë Bilibani. 

Sipas tij, këto rezultate tregojnë se forumi ka funksionuar dhe se ekziston interes real për koproduksionet në fushën e filmit të shkurtër.

“Pikërisht për këtë arsye, sivjet kemi zgjeruar programin edhe me dy shtete të tjera – Bullgarinë dhe Malin e Zi. Janë përzgjedhur dhjetë projekte: katër nga Kosova, dy nga Shqipëria, dy nga Bullgaria dhe nga një nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Këtë vit Italia është shteti mysafir dhe do të prezantojë tri projekte që janë në kërkim të partnerëve për koproduksion në Ballkan. Kemi arritur të sjellim edhe përfaqësues nga ‘Clermont-Ferrand’ dhe nga ‘Short Film Corner’ i Festivalit të Kanës. Prania e tyre është shumë e rëndësishme, sepse autorët tanë kanë mundësinë të prezantojnë projektet e tyre drejtpërdrejt para njerëzve që vendosin për programet e festivaleve më të rëndësishme në botë”, ka thënë më tej Eroll Bilibani. 

Edhe Grupi KOHA dhe “DokuFest”, një çerekshekull rrugëtim bashkë SOT Grupi KOHA dhe “DokuFest”, një çerekshekull rrugëtim bashkë

Ai ka bërë të ditur se programi i industrisë do të përfshijë edhe “DokuTalks”, masterklasa dhe programe të dedikuara për autorët e rinj.

Me hapjen e edicionit të 25-të, “DokuFest” rikthehet aty ku ka qenë gjithmonë: mes filmit, qytetit dhe debatit publik. Në këtë vit jubilar, festivali nuk feston vetëm një histori 25-vjeçare, por edhe vazhdimësinë e një ideje – se kinemaja mund të jetë hapësirë kujtese, rezistence dhe ndryshimi.