Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Rajon

Zjarr i madh në Kroaci, dhjetëra të lënduar dhe mbi 1 mijë të evakuuar

kr

Foto: Cropix

36 persona kanë pësuar lëndime nga një zjarr në qytetin Omish në Kroaci të enjten mbrëma. 14 prej tyre janë shtruar në spital, ndërsa të tjerët u liruan pas trajtimit. Zjarrfikësit kanë vijuar të premten përpjekjet për shuarjen zjarrit.

Shtatë pacientë janë në kujdes intensiv pasi janë në gjendje kritike. Sipas medias kroate “Index”, ata kanë pësuar djegie të rënda. 

Shumica e pacientëve u trajtuan për djegie, ndërsa të tjerë patën probleme me frymëmarrjen për shkak të tymit. 

Më shumë se 1 mijë banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe u strehuan në një palestër sportive. Dëshmitarët thanë se disa persona u detyruan të hidheshin në det për t'u shpëtuar flakëve, pasi edhe disa varka morën flakë.

Zjarri shpërtheu vonë të enjten në një zonë periferike të Omishit dhe u përhap me shpejtësi për shkak të erërave të forta. Flakët iu afruan qendrës së qytetit, ndërsa disa zona mbetën pa energji elektrike dhe shumë automjete u dogjën.