Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Evropa përballë zjarreve masive – në Francë qindra të arrestuar për zjarrvënie

kr

Zjarri kaploi Omishin, Kroaci, të premten. (Foto: Shutterstock)

Gati 500 persona janë arrestuar nën dyshimin se kanë shkaktuar zjarre në Francë që nga fillimi i verës, kanë njoftuar autoritetet, ndërsa zjarrfikësit në gjashtë vende evropiane po përballen me zjarre të fuqishme, në kohën kur kontinenti po përfshihet nga një valë rekord e të nxehtit.

Një zjarr përfshiu shtëpitë në një zonë turistike në Kroaci të premten, duke shkaktuar vdekjen e një personi, lëndimin e 40 të tjerëve dhe detyroi rreth 1,200 persona të evakuohen, thanë zyrtarët. 

Qindra persona të tjerë u evakuuan nga fshatrat në Gjermaninë perëndimore dhe në jugperëndim të Francës, ndërsa në Greqi pushues të bllokuar u nxorën nga plazhet e rrezikuara nga zjarret. Në Spanjë, ushtria ndërhyri për të shpëtuar objekte historike të rrezikuara nga flakët, raportoi Guardian. 

Ministria e Brendshme e Francës njoftoi se që nga 1 korriku janë ndaluar 474 persona, përfshirë 183 të mitur, për shkak të zjarreve pyjore në vend.

Rreth 70 për qind e të arrestuarve dyshohet se i kanë shkaktuar zjarret qëllimisht, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se i kanë shkaktuar aksidentalisht. Mediat franceze raportuan se një 15-vjeçar ishte ndaluar në lidhje me një zjarr pranë aeroportit të Bordeauxit, i cili në korrik la të vdekur dy zjarrfikës.

Edhe Franca e Spanja po përballen me zjarre masive, mijëra të evakuuar Botë Franca e Spanja po përballen me zjarre masive, mijëra të evakuuar

Të premten, autoritetet franceze evakuuan më shumë se 525 persona nga fshati Luglon, pasi një zjarr i ri përfshiu rreth 1,100 hektarë pyll nga temperaturat e larta, në më pak se 24 orë.

Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike po shkaktojnë ngjarje më të shpeshta dhe më ekstreme të motit, duke tharë tokat dhe rrjedhat ujore, duke nxitur përhapjen e zjarreve dhe duke shkaktuar mijëra vdekje në Francë. Evropa po ngrohet me një ritëm rreth dy herë më të shpejtë se mesatarja globale.

Shërbimi i BE-së për ndryshimet klimatike, Copernicus, paralajmëroi në parashikimin e tij javor për kushte “shumë ekstreme” në një zonë të gjerë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Zona të tjera me rrezik të lartë janë identifikuar në jug të Britanisë, Irlandë, Francën veriore dhe Suedinë jugore.

Temperatura mesatare maksimale në Evropën Perëndimore të premten ishte parashikuar të arrinte 31.2 gradë Celsius, rreth 8 gradë më shumë se temperatura tipike në periudhën 1961-1990. Për Evropën në tërësi, temperatura ishte 1.6 gradë mbi normalen e periudhës 1961-1990.

Në Gjermaninë perëndimore, më shumë se 2,000 persona u larguan nga shtëpitë e tyre herët të premten dhe u strehuan në një shkollë fillore aty pranë, pasi një zjarr në pyllin Hürtgen u përhap deri në disa qindra metra nga fshati Gey. Situatën e ndërlikuan edhe municionet e pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.

Në Kroaci, një zjarr i ndihmuar nga erërat e fuqishme u përhap gjatë natës në qytetin turistik Lokva Rogoznica. Policia njoftoi të premten se gjatë kërkimeve në zonat e djegura ishte gjetur trupi i pajetë i një personi.

Edhe Spanja përballë një prej zjarreve më vdekjeprurëse Botë Spanja përballë një prej zjarreve më vdekjeprurëse

Në disa qytete përreth u hapën qendra emergjente për strehim. Nga 36 persona që u trajtuan nga shërbimet e ambulancës në qytetin e Splitit, 14 u shtruan në spital dhe shtatë prej tyre ishin në gjendje të rëndë për jetën, thanë zyrtarët shëndetësorë lokalë.

Kryeministri kroat e përshkroi zjarrin që u përhap deri në Omish si “një nga zjarret më të këqija të viteve të fundit”.

Një zjarr shumë më i madh në jug të Spanjës po ashtu u përkeqësua të enjten. Deri tani janë djegur rreth 31 mijë hektarë në provincën Huelva dhe rreth 700 persona janë detyruar të evakuohen.

Në Greqinë veriore, një flotë varkash të vogla evakuoi të enjten rreth 500 pushues nga plazhet, pasi një zjarr pyjor kërcënoi resortet Siviri dhe Fourka në gadishullin Halkidiki, në jug të Selanikut.

Për pjesën më të madhe të territorit të Greqisë u lëshua alarmi maksimal, i nivelit të pestë, për rrezikun nga zjarret. Autoritetet lokale në Halkidiki ndaluan qasjen në pyjet e dendura me pisha.

Në Mbretërinë e Bashkuar, zjarret u përhapën me shpejtësi në Ëest Midlands, duke djegur disa shtëpi.

Edhe Mijëra të evakuuar në Greqi teksa zjarret në Evropë vazhdojnë të përhapen Botë Mijëra të evakuuar në Greqi teksa zjarret në Evropë vazhdojnë të përhapen

Valë e jashtëzakonshme e të nxehtit ka përfshirë pjesë të mëdha të Evropës, duke krijuar kushte të favorshme për përhapjen e zjarreve. Autoritetet në disa vende po përballen njëkohësisht me evakuime masive, temperatura ekstreme dhe thatësira, ndërsa zjarrfikësit po luftojnë për të vënë nën kontroll vatrat e shumta të zjarrit.