Një zjarr ka përfshirë një objekt në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel, e si pasojë e zjarrit gjashtë persona kanë marrë lëndime, përfshirë pesë shtetas të Kosovës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e ndërtesës.
Shefi i Reanimacionit në Spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, ka treguar se nga pacientët e pranuar pesë janë dërguar për trajtim në Tiranë. Ai ka thënë se personat e lënduar janë kryesisht nga Prishtina, Lipjani e një pacient nga Resheni. Ka thënë se një paciente ka marrë djegie në thuajse gjithë sipërfaqen e trupit e një tjetër në 50 për qind të sipërfaqes.
“Ishte një situatë shumë emergjente. Bëhej fjalë për 6 pacientë të dëmtuar nga zjarri, të cilët ndodheshin në katin e dytë. Tre prej tyre kishin djegie të rënda, ndërsa dy të tjerë ishin hedhur nga kati i dytë dhe kishin pësuar fraktura të kolonës. Dy prej pacientëve i nisëm drejt Qendrës së Traumës, pasi nuk kishin djegie, ndërsa tre të tjerë u dërguan në repartin e djegieve. I gjithë ekipi u njoftua dhe ishte në gatishmëri për të përballuar situatën. Pacientët kanë mbërritur rreth orës 4:30. Njëra prej pacienteve, e cila është në rrezik për jetën, kishte djegie në pothuajse 100% të trupit, ndërsa një tjetër rreth 50%. Bëhet fjalë për persona të moshave të reja, rreth 25-30 vjeç. Ata ishin nga Prishtina, Lipjani dhe njëri prej pacientëve nga Rrësheni”, tha Breshanaj.
Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në objekt kanë dalë nga dritaret dhe ballkonet duke u hedhur prej tyre. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen.
Edhe
Tjetër zjarr në jug të Shqipërisë, flakët kaplojnë resortin në rrugën Sarandë-Syri i Kaltër
Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë ka treguar se gjendja e një paciente është e rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve.
“Informacion mbi gjendjen e të lënduarve pas zjarrit në një hotel në Vlorë: Si pasojë e zjarrit të rënë në një hotel në Vlorë, në QSUT janë paraqitur tre qytetarë, të cilët aktualisht po marrin trajtim mjekësor. Njëra prej pacienteve është në gjendje të rënduar, për shkak të përqindjes së lartë të djegieve, ndaj kërkon monitorim dhe kujdes të vazhdueshëm mjekësor. Pacienti tjetër klinikisht paraqitet më i qetë dhe po ndiqet nga stafi mjekësor. Ndërsa në Spitalin Universitar të Traumës po marrin trajtim mjekësor dy paciente, të cilat janë paraqitur me dëmtime të shumta. Njëra prej pacienteve paraqitet në gjendje shëndetësore të stabilizuar dhe vijon të jetë nën kujdesin e stafit mjekësor. Pacientja tjetër, gjendja shëndetësore e së cilës është aktualisht e stabilizuar, por për shkak të dëmtimeve të marra do të vijojë të mbahet në monitorim intensiv dhe të vazhdueshëm nga stafi mjekësor. Stafet mjekësore do vijojnë të ndjekin me kujdes gjendjen shëndetësore të pacientevë duke ofruar trajtimin e nevojshëm mjekësor”, shkruan Ministria e Shëndetësisë.
Lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia e Vlorës. Ajo ka thënë se dyshohet se zjarri ishte aksidental.
“Vlorë/ Informacion paraprak. Sot, rreth orës 04:05, në lagjen “10 Korriku”, Vlorë, ka rënë zjarr në ambientet e brendshme të një hoteli, në pronësi të shtetases M. A. Si pasojë e zjarrit janë lënduar 6 pushues, (5 prej tyre shtetas të Kosovës dhe 1 shtetas nga Rrësheni). Pesë nga të lënduarit janë transportuar për mjekim në Spitalin e Djegieve në Tiranë, ku 2 prej tyre kanë pësuar djegie të konsiderueshme trupore. Një shtetas po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Gjithashtu, nga zjarri janë shkaktuar dëme materiale. Nga veprimet hetimore të kryera, përfshirë këqyrjen e pamjeve të kamerave të sigurisë, rezultoi se zjarri ka qenë aksidental, i shkaktuar nga djegia e prizës elektrike të frigoriferit, i cili ndodhej në ambientet e restorantit. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet procedurale për dokumentimin e plotë të ngjarjes”, shkruan Policia.
E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet në Shqipëri për të lënduarit e zjarrit që përfshiu një hotel në Lungomare të Vlorës.
“Sot, në orët e hershme të mëngjesit, një zjarr përfshiu një hotel në Vlorë, ku si pasojë u lënduan katër shtetas të Republikës së Kosovës, tre prej të cilëve po marrin trajtim spitalor në Tiranë dhe një në Vlorë. Jemi të tronditur nga lajmi dhe po e monitorojmë nga afër gjendjen e qytetarëve tanë, duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet përkatëse në Shqipëri. Të lënduarve u dëshiroj shërim të shpejtë dhe të plotë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Një pushues nga Kosova, që ndodhej në hotel, ka rrëfyer momentet e panikut për “ABC News Albania”.
Edhe
Zjarr i madh në Kroaci, dhjetëra të lënduar dhe mbi 1 mijë të evakuuar
Ai ka treguar se është hedhur nga ballkoni bashkë me të fejuarën për t’i shpëtuar flakëve.
“Jemi nga Lipjani. Isha në gjumë, ishte ore gati 04:00 mëngjesit. E fejuara u ngrit e para dhe më tha ‘ngrihu nga gjumi se nuk e di çfarë ka ndodhur’. U ngritëm me dalë nga dera dhe ishte tym, tymi hyri brenda. Dolëm nga ballkoni , ishte flakë dhe tym. U hodhëm dhe nuk u lënduam nga djegia. Kur jam hedhur kam rënë me një cep të një hekuri dhe kam lënduar këmbën. Ka qenë edhe një familje me një fëmijë të vogël. Ishte dita e dytë aty në hotel. Isha në katin e dytë sipër lokalit”, tha Luan Salihu.