KOHA.net

Поддржете го TIME. Зачувајте ја вистината.
Арбери

Пожар зафати хотел на шеталиштето Лунгомаре во Валона, меѓу 7-те повредени има и од Косово

Lungomare - Zjarr

Një zjarr ka përfshirë një objekt në zonën e Lungomares në Vlorë, ku ndodhet edhe një hotel. Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë nisur fillimisht në lokalin në katin e parë të godinës, dhe më pas janë përhapur në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e ndërtesës.

Si pasojë e zjarrit, disa persona kanë mbetur të lënduar dhe janë dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Sipas të dhënave, pesë persona janë nisur drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, një prej tyre në gjendje të rëndë. Një tjetër ndodhet në spitalin e Vlorës në gjendje të stabilizuar, ndërsa një person tjetër, pasi ka marrë ndihmën mjekësore, është larguar nga spitali. Mësohet se gjashtë prej të lënduarve janë shtetas të Kosovës, ndërsa një tjetër është nga Rrësheni, shkruan “ABC News Albania”.

Për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit, një pjesë e personave që ndodheshin në godinë kanë dalë nga dritaret dhe ballkonet duke u hedhur prej tyre. Shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e rënies së zjarrit. Hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht ngjarjen. 

E një pushues nga Kosova, që ndodhej në hotel, ka rrëfyer momentet e panikut për “ABC News Albania”. 

Ai ka treguar se është hedhur nga ballkoni bashkë me të fejuarën për t’i shpëtuar flakëve.

“Jemi nga Lipjani. Isha në gjumë, ishte ore gati 04:00 mëngjesit. E fejuara u ngrit e para dhe më tha ‘ngrihu nga gjumi se nuk e di çfarë ka ndodhur’.  U ngritëm me dalë nga dera dhe ishte tym, tymi hyri brenda. Dolëm nga ballkoni , ishte flakë dhe tym. U hodhëm dhe nuk u lënduam nga djegia. Kur jam hedhur kam rënë me një cep të një hekuri dhe kam lënduar këmbën. Ka qenë edhe një familje me një fëmijë të vogël. Ishte dita e dytë aty në hotel. Isha në katin e dytë sipër lokalit”, tha Luan Salihu.