Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Zjarret në Himarë, gjashtë banesa digjen totalisht, banorë dhe turistë u larguan nga zona

zjarre

Një vatër e fuqishme zjarri përfshiu territorin e Himarës, konkretisht lagjen nr. 1 , mbrëmjen e së premtes.

Flakët, të ndihmuara edhe nga era e fortë, janë përhapur me shpejtësi duke rrezikuar zonën përreth dhe disa banesa.

Sipas informacionit të bërë nga Prefektura dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, deri më tani raportohet se gjashtë banesa janë djegur plotësisht. Tre prej tyre kanë qenë të banuara, ndërsa tre të tjera kanë qenë të pabanuara.

Banorët e zonës kanë përjetuar një natë të vështirë, ndërsa për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, disa banorë dhe turistë janë detyruar të largohen nga banesat dhe strukturat ku qëndronin, duke u zhvendosur drejt zonave më të sigurta.

Operatorët turistikë dhe pronarët e bizneseve në zonë shprehen se situata i ka gjetur të papërgatitur, ndërsa era e fortë ka favorizuar përhapjen e shpejtë të zjarrit.

Situata ka vijuar të mbetet problematike deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës. 

Edhe Tërmet në Shqipëri Arbëri Tërmet në Shqipëri

Zjarri ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në banesa dhe prona, duke krijuar një situatë të vështirë për banorët e Himarës. Forcat zjarrfikëse dhe strukturat e emergjencave kanë vijuar gjatë gjithë natës punën për izolimin dhe shuarjen e flakëve, ndërsa situata vijon të monitorohet.

Përmes një reagimi, ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Ermal Nufi bëri të ditur se në terren ndodhen 171 efektivë dhe 10 mjete, ndërsa nga Forcat e Armatosura ishin në gatishmëri edhe një mjet zjarrfikës dhe një ambulancë./ABC News Albania