Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Një tornado në Francë lë dhjetëra të lënduar dhe mbi 300 shtëpi të dëmtuara

France

Foto: Associated Press

Një tornado ka përfshirë rajonin Aude të Francës jugperëndimore të hënën vonë, duke dëmtuar më shumë se 300 shtëpi dhe duke shkaktuar lëndimin e dhjetëra personave, kanë bërë të ditur autoritetet.

Tridhjetë e nëntë persona janë lënduar, përfshirë dy që ndodhen në gjendje kritike në fshatin Pomas, kanë njoftuar autoritetet lokale. 

Deri të martën në mëngjes, rreth 21,000 familje në jug të Francës kishin mbetur pa energji elektrike, përfshirë 1,600 në Aude, ka bërë të ditur operatori lokal i rrjetit ENEDIS.

“Një tornado me intensitet të rrallë goditi rajonin Aude dje pasdite vonë, duke dëmtuar rëndë fshatin Pomas”, ka deklaruar në X ministri i Brendshëm, Laurent Nunez. 

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe të verifikuara nga Reuters treguan tornadon duke u rrotulluar në fshatin e afërt Verzeille, në Aude, të hënën vonë. Shumë prej ndërtesace që janë përfshirë në trajektoren e tornados kishin dritaret e thyera.

Tornadoja ka goditur në një kohë kur vala intensive e të nxehtit të kësaj vere po i hapte rrugë këtë javë stuhive me bubullima në shumë zona të Francës jugore.