Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tërmeti me magnitudë 5.7 godet Japoninë qendrore

termet

Më shumë se 20 persona kanë mbetur të lënduar pasi një tërmet i fuqishëm ka goditur pjesën qendrore të Japonisë, duke thyer vitrinat e dyqaneve dhe duke shkaktuar panik te qytetarët, të cilët kanë dalë me nxitim nga ndërtesat.

Sipas autoriteteve dhe mediave lokale, tërmeti me magnitudë 5.7 ballë ka goditur pjesëm perëndimore të Shizuokas, në orën 01:04 pas mesnatës, sipas kohës lokale të së dielës. Lëkundjet janë regjistruar në një thellësi prej rreth 40 kilometrash.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, duke iu referuar autoriteteve, raportoi se më shumë se 20 persona janë lënduar në pjesët e njohura si Aichi dhe Shizuoka. Lëkundjet janë ndier në një zonë të gjerë, përfshirë qytetin Hamamatsu, si dhe ish-kryeqytetet historike të Japonisë, Kioto dhe Nara.

Tërmeti ka prekur gjithashtu Yamanashin, ku ndodhet mali Fuji, dhe Gifu. Megjithatë, sipas raportimeve të Kyodos, nuk është lëshuar paralajmërim për cunami. Lëkundjet nuk janë ndier në Tokio, e cila ndodhet larg epiqendrës së tërmetit.

Pamjet e transmetuara nga televizionet japoneze kanë treguar vitrina të thyera të dyqaneve dhe copa xhami të shpërndara nëpër rrugë. Në një librari, shumë libra kishin rënë nga raftet dhe ishin grumbulluar në dysheme.

Agjencia e lajmeve Associated Press raportoi se disa persona kishin pësuar lëndime pasi ishin rrëzuar në shkallë, gjatë përpjekjeve për të dalë nga ndërtesat pas tërmetit.